E Diel, 1 Nëntor 2026

"Çan" eskortën e kryeministrit Berisha, gjobitet shoferi 30-vjeçar

Shpejtësia e madhe për pak i ka kushtuar shtrenjtë një të riu në kryeqytet. Paraditen e djeshme, një 30-vjeçar ka qenë duke ecur me makinë dhe padashur ka përfunduar në mes të eskortës së kryeministrit të vendit, Sali Berisha. Burime nga policia bëjnë me dije, se një mjet është futur në mes të eskortës së kryeministrit pa ndonjë qëllim të caktuar. Sipas policisë, shkak për incidentin është bërë shpejtësia tej normave të lejuara nga ana e të riut.

Incidenti
Rreth orës 10:00 të ditës së djeshme, eskorta e kreut të qeverisë është "përçarë" dhe në mes të saj është futur një makinë me targa të huaja. Burime nga policia bëjnë të ditur, se ngjarja është shënuar në zonën pranë rrethrrotullimit të Doganës në kryeqytet. Mësohet se një mjet tip "Audi", ngjyrë gri, me targa të huaja CJ 683 EX, ka humbur kontrollin dhe është futur mes eskortës së kryeministrit të vendit. Mësohet se mjeti drejtohej nga Florion Loshi, 30 vjeç, i cili është shoqëruar më pas në ambientet e policisë. Burime nga forcat blu, bëjnë me dije se i riu nuk ka pasur asnjë qëllim për të ndërprerë eskortën e kreut të ekzekutivit. Sipas forcave blu, shkaku pse mjeti ka përfunduar në mes të eskortës së kryeministrit, ka qenë shpejtësia tej normave të lejuara e drejtuesit të makinës, raporton balkanweb.

Të njëjtat burime pohojnë se ndaj të riut është marrë masa administrative e ndëshkimit me gjobë, për shkak të thyerjes së rregullave të qarkullimit. Në fakt, kjo është hera e katërt që brenda pak muajve, eskorta e kryeministrit përfshihet në incidente të tilla. Në fillim të muajit shkurt, mjeti që drejtohej nga i riu Ervis Hoxha nga Lushnja, i ka ndërprerë rrugën eskortës së Berishës, pranë zonës së Kishës Katolike. I riu ka pohuar se nuk ka pasur asnjë qëllim ndaj kryeministrit, por duke qenë se ka qenë i dehur, është futur kundravajtje në rrugën vetëm me një kalim, duke shënuar incidentin me kreun e qeverisë.

Ndërkohë, pak kohë më parë, 33-vjeçari Romir Kopliku, djali i ish-zv/kryeministrit Bashkim Kopliku, ka ndjekur nga Vora në Tiranë makinat e Gardës që shoqëronin kryeministrin, pas një vizite të tij në Durrës. Drejtuesi i makinës së fundit të eskortës është përpjekur të mbajë nën kontroll "Benz"-in e dyshimtë, por ai ka vazhduar ndjekjen në përpjekje për të hyrë në mes të makinave të Gardës. Forcat e Policisë Rrugore kanë mundur të izolojnë makinën "Benz" që sfidoi për 20 kilometra masat e sigurisë për lëvizjen e kryeministrit./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›