Kosova po i pret shtatë njohjet e Hoxhajt

Fushata lobuese dhe premtimet e shefit të diplomacisë kosovare për shtimin e numrit të njohjeve janë bërë “bozë” kohëve të fundit. Madje për analistët politikë dhe opozitën kosovare, deklarata për njohje të shpejtë dhe mosrealizimi i tyre, janë bërë fushatë demagogjike dhe qesharake.
Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Skender Hyseni, tha se ministri Enver Hoxhaj po premton njohje vetëm për konsum të brendshëm politik, ndërsa lëvizja Vetëvendosje konsideron se Hoxhaj nuk ka as vizion, e as diplomaci. Ndërsa analistët politikë kanë shkuar më tutje duke e akuzuar ministrin Enver Hoxhaj, dhe zyrtarët e tjerë shtetërorë, se po vazhdojnë të duken qesharakë kur përmes informatave që marrin nga miqtë e Kosovës, nga diplomacitë e shteteve të forta, tentojnë të krijojnë famë politike për veten e tyre.
Mirëpo me të gjitha këto akuza nuk është pajtuar këshilltari i ministrit Hoxhaj, Artan Behrami, i cili ka thënë se akuzat e ish- ministrit Hyseni janë jo të sinqerta.
“Me akuza të tilla Hyseni po mundohet që politikën e jashtme ta shndërrojë në politikë të brendshme. Zoti Hyseni e ka pasë rastin të dëshmohet në diplomaci, por këtë nuk e ka bërë. Por siç ka thënë Jakup Krasniqi, sa ka qenë ministër ai, e ka bë fet”, ka thënë Behrami, shkruan gazeta "Zëri".
Ai tha se ministri Hoxhaj asnjëherë nuk ka paralajmëruar njohje. Kjo, sipas tij, është bërë vetëm atëherë kur ka pasur pyetje dhe insistim të gazetarëve. “Ministri Hoxhaj më parë kishte paralajmëruar njohje nga Timori Lindor, ajo ka ndodhur, ka paralajmëruar njohje nga Saint Kitts dhe Nevis, ajo ka ndodhur, ka paralajmëruar nga Çadi dhe ajo ka ndodhur, ka paralajmëruar nga Fixhi dhe ajo ka ndodhur, ka paralajmëruar nga Papua new Guinea dhe ka ndodhur. Së fundi ai kishte paralajmëruar një njohje në mars, dhe Guajana njohu Kosovën. Por, mendoj se më shumë se kjo simbolikë, e rëndësishme është që kemi dyfishim të numrit të njohjeve në krahasim me vitin 2010”, ka thënë Behrami.
Ku mbetën njohjet, o Enver?
Ish-ministri i Punëve të Jashtme, i cili vjen nga LDK-ja, Skënder Hyseni, thotë se ministri Hoxhaj ka premtuar që brenda dy javësh do të vijnë ato 5 apo 7 njohje. “Dy javë kanë kaluar qysh moti, kështu që s’kam asnjë koment”, ka thënë Hyseni. Ai nuk ka ditur se si t’i quajë këto deklarata të ministrit Hoxhaj, për faktin se siç shprehet ai, është lodhur me komentime të “margaritarëve të Hoxhajt”. “Është tejkaluar çdo masë e deklarimeve. Meqë ministri i di datat dhe shtetet që do të na njohin, pse nuk na thotë por po na lë varur. Është gabim i skajshëm dhe i rrezikshëm me paralajmëruar njohje”, ka thënë Hyseni, duke shtuar se deri në këtë shkallë është degraduar procesi i njohjeve. Ai ka thënë se çështjen e njohjeve është munduar ta bëjë debat publik, megjithatë nuk ka mundur. “Madje as përgjigjet në pyetjet e drejtuara ministrit Hoxhaj gjatë raportimit të tij para Komisionit për Punë të Jashtme nuk ka mundur t’i marrë”, ka thënë Hyseni duke shtuar se nuk ka përgjegjësi publike për faktin se ministri Hoxhaj ka deklaruar publikisht për këto njohje.
Anëtarja e kryesisë dhe drejtuesja e Komitetit për Punë të Jashtme në Lëvizjen Vetëvendosje, Puhie Demaku, ka thënë se është e qartë që ministri Hoxhaj nuk ka as vizion e as strategji për politikën e jashtme. “Çdo veprim dhe çdo deklaratë e tij është “ad hoc”, pa pasur asnjë bazë e argument dhe i arsyeton ato me "të qenit i matur". Politika e jashtme e Kosovës, e për pasojë edhe imazhi i saj vuajnë dhe pësojnë nga mungesa e vizionit, jo vetëm të ministrit, por të komplet qeverisë”, ka thënë Demaku.
Madje, sipas saj, ministri Hoxhaj nuk e di as numrin e saktë të njohjeve që Kosova i ka tani, pra ai nuk është në gjendje të japë numra faktik e lëre më të bëjë parashikime të njohjeve që do të vijnë. “Deklaratën për 5 njohje të reja që do të vijnë e ka dhënë më 27 shkurt 2013, pra saktësisht një muaj më herët. Nuk saktëson as emra shtetesh e nuk jep as data, ngase ka frikë nga llogaridhënia dhe përgjegjësia”, ka deklaruar Demaku.
Njohjet, meritë e shteteve mike
Drejtori ekzekutiv i Klubit për Politike të Jashtme (KPJ), Ylli Hoxha, shprehet se njohjet e Kosovës ndodhin në masë të madhe si meritë e lobimit të shteteve tona mike siç janë SHBA-ja, Britania, Franca etj. “Roli i diplomacisë kosovare në këtë proces nëse nuk është fare relevant, atëherë është thellësisht i subordinuar”, ka thënë Hoxha. Ai konsideron se deklaratat e paralajmërimit të njohjeve nga një zyrtar i Qeverise sonë është keqpërdorim i informatave që atij i janë dhënë nga diplomatë të shteteve mike, më parë se sa meritë e tij në këtë proces.
“Pra Enver Hoxhaj, dhe zyrtar të tjerë të lartë shtetërorë të Kosovës, vazhdojnë të duken qesharakë kur përmes informatave që marrin nga miq tanë nga diplomacitë e shteteve të forta, tentojnë të krijojnë famë politike për veten e tyre”, konsideron drejtori i KPJ-së, Ylli Hoxha. /Indeksonline/