Dështimi i dytë më i madh bankar, First Republic Bank në Amerikë shpall falimentin dhe shet aksionet
Kompaniaa amerikane e shërbimeve financiare, JPMorgan Chase po blen shumicën e aktiveve të First Republic Bank pas, dështimit të dytë më të madh bankar në vend ndonjëherë. Marrëveshja është shpallur këtë të hënë dhe mbron plotësisht depozitat e klientëve të bankës amerikane.
JPMorgan Chase tha se kishte blerë "shumicën e konsiderueshme të aktiveve" dhe kishte marrë depozitat, të siguruara dhe të pasiguruara, të First Republic Bank nga Korporata Federale e Sigurimit të Depozitave, agjencia e pavarur qeveritare që siguron depozitat për klientët e bankave.
“Në kryerjen e këtij transaksioni, JPMorgan Chase po mbështet sistemin financiar të SHBA përmes fuqisë së tij të konsiderueshme dhe aftësive të ekzekutimit,” tha banka në një deklaratë.
Korporata Federale e Sigurimit të Depozitave (FDIC) mori kontrollin e First Republic Bank dhe më pas njoftoi menjëherë shitjen. Dështimi do t'i kushtojë FDIC rreth 13 miliardë dollarë. Këto para do të paguhen nga bankat e vendit, të cilat paguajnë ekstra për të mbështetur agjencinë.
Lëvizja përfaqëson përpjekjen e fundit nga rregullatorët federalë për të mbështetur besimin e konsumatorëve në sistemin bankar të SHBA-së, i cili ka pësuar tre dështime të mëdha bankare në shtatë javët e fundit. Silicon Valley Bank dhe Signature Bank të dyja u morën nga FDIC muajin e kaluar.
Rënia e këtyre bankave shkaktoi javë spekulimesh për qëndrueshmërinë e bankave rajonale të SHBA-së, veçanërisht atyre me një bazë depozitash kryesisht të pasiguruar.
First Republic, e cila filloi veprimtarinë në 1985 me një degë të vetme në San Francisko, është e njohur për mbështetjen e klientëve të pasur në shtetet bregdetare. Ajo kishte aktive prej 229.1 miliardë dollarë më 13 prill. Në fund të vitit të kaluar, ajo ishte banka e 14-të më e madhe e vendit, sipas një renditjeje nga Rezerva Federale.
JPMorgan Chase është banka më e madhe në Shtetet e Bashkuara me aktive totale globale prej afro 4 trilion dollarë që nga 31 marsi.
Sondazh
A e mbështesni protestën siç është zhvilluar dy ditët e fundit nën emrin e studentëve?
-
Po-
Jo-
Nuk e di
-
-
Lexo gjithashtu
