E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dështimi i projektit europian

Është më tepër se ironike që NATO-ja është përkushtuar për të përcaktuar një koncept të ri strategjik pikërisht në momentin kur marrëdhëniet transatlantike konsiderohen si më pak të afërta që nga vitet 30-ta.

Ky zhvillim, në njëfarë mase, pasqyron suksesin e Europës. Ndërsa Europa ishte arena qendrore në pjesën më të madhe të shekullit 20 dhe një teatër kryesor për të dyja luftërat botërore dhe Luftën e Ftohtë, ajo tani është kryesisht në paqe.

Çarja franko-gjermane është zëvendësuar nga një integrim më i gjerë i kontinentit brenda Bashkimit Europian, me Francën dhe Gjermaninë në thelbin e tij. Europa është në një masë të madhe e kompletuar dhe e lirë. Çfarë ndodh brenda saj nuk do ta përcaktojë harkun e shekullit 21.

Por, humbja e rëndësisë së Europës gjithashtu pasqyron dështimet e saj. Projekti europian po rrëzohet. Greqia është problemi më i theksuar, i nxitur nga vetë moskokëçarja e saj dhe lidershipi i dobët europian, që ka lejuar të veprojë përtej mundësive dhe t'i shkelë kushtet nën të cilat është vendosur euroja.

Kriza u përkeqësua nga ngurrimi gjerman dhe fillimisht nga përgjigjet e ndrojtura të institucioneve dhe qeverive europiane. Dhe, euro mund të jetë një nga viktimat.
Tashmë ka shenja se kriza po përhapet në vende të tjera, të cilat janë duke vuajtur nga falimentimi. Pakoja e shpëtimit prej 750 miliardë eurosh, që u miratua këtë javë, do të blejë kohë, por nuk do ta adresojë falimentimin në thelb.

Rimëkëmbja e Europës do të jetë e dobët në terma absolutë dhe relativë. Europa tani është ekonomia më e madhe në botë, pak më e madhe se Shtetet e Bashkuara, por nuk do të jetë për kohë të gjatë.

Edhe para kësaj krize ekonomike, Europa ishte dobësuar nga krizat politike. Shumë europianë kanë qenë të preokupuar me rishikimin e institucioneve europiane, por refuzimet e njëpasnjëshme të Traktatit të Lisbonës tregojnë se një Europë e bashkuar nuk është më në imagjinatën e shumë banorëve të saj.
Pas kësaj është edhe realiteti i zymtë që europianët kurrë nuk i janë përkushtuar Europës, kryesisht për shkak të ndikimit të vazhdueshëm të nacionalizmit.
Nëse europianët do të ishin seriozë për të qenë fuqi kryesore, do t'i këmbenin ulëset që britanikët dhe francezët kanë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara me një ulëse për europianët. Por, kjo nuk ka gjasa të ndodhë.

Rrëshqitja e Europës manifestohet edhe ushtarakisht. Disa shtete europiane janë të gatshme të investojnë edhe 2 për qind të buxheteve të tyre për mbrojtjen. Dhe, ajo në çfarë ata i shpenzojnë paratë, ka pak kuptim.

Koha dhe demografitë nuk do ta përmirësojnë situatën. Nga mesi i shekullit përqindja e europianëve mbi moshën 65-vjeçare parashikohet të dyfishohet. Shumë më pak do të jenë për moshë ushtarake; një numër i vogël do të punojë për pensione.

Historia ka vendin e vet këtu. Lidhjet SHBA-Europë dhe NATO-ja ishin destinuar të bëhen më të dobëta, duke i dhënë fund Luftës së Ftohtë. Aleancat tentojnë të formohen dhe të lulëzojnë në periudha të pashmangshme dhe konsensusi mbi kërcënimet dhe obligimet.

Kombinimi i të metave ekonomike, botëkuptimi i ngushtë politik dhe limitet ushtarake do ta përshpejtojnë këtë rrëshqitje transatlantike. Një Europë e dobët do të ketë një zë më të ulët dhe një rol më të vogël.

NATO-ja nuk do të jetë më partner i përzgjedhur për politikën e jashtme amerikane. Në vend të kësaj, SHBA do të krijojë koalicione të gatshme për t'u marrë me sfida të veçanta.

Këto grupe do t'i përfshijnë ndonjëherë vendet europiane. Por, SHBA-të rrallë do ta shohin NATO-n apo Bashkimin Europian si një. Edhe para se të fillojë kjo, koha e Europës si fuqi kryesore botërore në shekullin 21 duket të ketë përfunduar.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›