E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dështimi i samitit të Ohrit, MPJ e Kosovës: Një fitore për Prishtinën

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës e ka cilësuar dështimin e Samitit të Ohrit si një fitore të shtetit të Kosovës. Në një analizë të vetën ajo ka përshkruar në detaje se si ka rrjedhur i tërë procesi i përgatitjes së Samitit të Ohrit e deri te dështimi.

Në dokumentin e publikuar nga mediat në Kosovë thuhet se është vërtetuar se pa Kosovën nismat rajonale nuk kanë karakter kuptimplotë.

Ministria e Jashtme e Kosovës e konsideron dështimin si një fund të tendencave përjashtuese dhe paragjykuese për popujt dhe shtetet e caktuara në Ballkanin Perëndimor.

“Tendenca e Serbisë për të mbajtur peng rajonin, përmes metodave të bllokimit dhe mungesës së bashkëpunimit rajonal mbi parimet europiane, tashmë është dekonspiruar dhe si e tillë duhet dënuar ashpër.” thuhet në në dokumentin e MPJ-së.

Presidenti i Maqedonisë, Geroge Ivanov, anuloi takimin e lartë të udhëheqësve të shteteve të nismës së Bashkëpunimit të Evropës Jug-lindore që ishte planifikuar të mbahej në Ohër të Maqedonisë këtë fundjavë. Vendimi për anulimin e takimit pasoi njoftimet se ai do të bojkotohet nga Presidentët e Shqipërisë dhe të Kroacisë, të cilët nuk janë pajtuar me mospërfshirjen e presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga.

Presidenti maqedonas, tha se Republika e Maqedonisë ka vepruar në përputhje të plotë me dokumentet dhe rregullat si kryesuese e përgjegjshme në këtë proçes.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›