E Diel, 1 Nëntor 2026

Dështimi i turizmit shqiptar. Operatorët: I shtrenjtë dhe pa kushte

Vendet e rajonit e konkurrojnë Shqipërinë, jo për nga natyra, por për nga shërbimi

1170715_10151843215302673_514570835_nNumri i turistëve që kanë vizituar Shqipërinë për pushimet e verës duket se nuk është shumë më i lartë se ai i vitit të kaluar; ku pati rreth 4 milionë turistë. Por edhe pse është ende herët për bilancin përfundimtar duke qenë se sezoni i verës nuk është mbyllur, shifrat e deritanishme nuk flasin për një fluks të lartë. Ekspertët thonë se një arsye e mos rritjes së numrit të turistëve këtë vit kanë qenë edhe zgjedhjet e 23 qershorit, dhe frika që lanë ato tek të huajt. Megjithatë zgjedhjet nuk janë i vetmi motiv; duket se një tjetër mangësi e jona e dallueshme prej vitesh, është edhe mungesa e shërbimeve dhe kushteve që ne ofrojmë për turistët e huaj kur vijnë në Shqipëri. Nga njëra anë është punuar mirë me rrugët dhe infrastrukturën; por sërish në shumë plazhe ka ndotje; mungesë uji apo edhe dritash ndonjëherë.

Krahasimi me rajonin

Ekspertët konstatojnë se pavarësisht se turizmi shqiptar ka mangësi në shërbime, sërish çmimet e akomodimit apo të ushqimeve janë shumë më të larta se në disa vende të tjera të rajonit. Për operatorët turistikë kjo është arsye e vlefshme se pse turistët e huaj preferojnë më shumë Greqinë, Malin e Zi apo Kroacinë në vend të Shqipërisë. E vetmja mënyrë për ti mbijetuar konkurrencës së ashpër është ndryshimi total i mënyrës se si funksionon industria e turizmit në Shqipëri. Të paguash dhe të mos marrësh shërbimin, nuk të lë aspak shije të mirë, dhe askush nuk e mendon të kthehet një herë të dytë në një vend të tillë. Operatorët turistikë theksojnë se çmimet e larta dhe shërbimet jo cilësore që ofrohen kryesisht nga njësitë akomoduese të bregdetit i kanë larguar turistët. Shumë hotele dhe njësi akomoduese janë shprehur se këtë verë e kanë ndjerë shumë konkurrencën e tregjeve turistike të rajonit, të cilat ofrojnë çmime më të ulëta krahasuar me shërbimin që ofrojnë.

Konkurrenca

“Mbas heqjes së vizave për turistët shqiptarë jashtë vendit, ky treg ka dhe konkurrencën e tregjeve kufitare. Në këto kushte, shtresa të mëdha popullsie që nuk shkonin jashtë vendit për pushime, tani i janë drejtuar tregjeve të Korfuzit apo Kalkidhikisë. Në këto kushte diferenca bëhet edhe në shërbime edhe në çmime. Tregjet kufitare kanë ofruar dhe ofrojnë shërbime shumë më të larta dhe çmime relativisht të ulëta për shërbimet që ofrojnë në raport me tregun shqiptar. Pra, kjo industri duhet të pësojë ato ndryshime të nevojshme për të përballuar konkurrencën e vendeve kufitare,” ka thënë dje në media Besnik Vathi, operator turistik.

Turizmi kulturor

Ekspertët e turizmit theksojnë më tej se kur flitet për të huajt që vizitojnë vendin tonë, kemi parasysh kryesisht turizmin kulturor. Sipas tyre, një pjesë e mirë e turistëve të huaj e vizitojnë Shqipërinë për historinë e saj dhe jo për plazhet. Por edhe në qytetet antike e në shumë pika të tjera turistike mungojnë guidat, apo informacioni i duhur turistik. Madje në disa raste abuzohet edhe me çmimet e biletave, si për shembull në Butrint, ku hyrja këtë verë ishte 7 euro për të huajt dhe 300 lekë të reja për shqiptarët. “Tregu shqiptarturistik për shumë të huaj nuk është tërheqës për plazhet, por është tërheqës me atë pjesë të turizmit kulturor, historik, me monumentet, ku edhe të huajt tregojnë interes. Kjo ka qenë pothuajse në të njëjtat shifra,” thotë Vathi. Sa i përket numrit të turistëve që kanë hyrë dhe dalë nga Shqipëria, ekspertët theksojnë se krahasuar me një vit më parë, shifra është thuajse e njëjtë. Sipas tyre, efekt në mos rritjen e këtij numri kanë pasur edhe zgjedhjet e 23 qershorit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›