Katarsis në selinë blu, ja krerët e qarqeve të PD-së që do largohen
Në shtator nis analiza e humbjes, ja se si të lëvizin kryetarët e PD në rrethe
Në shtator Partia Demokratike do të nisë analizën e humbjes së saj të 23 qershorit. Humbja me një rezultat të thellë i zgjedhjeve të përgjithshme dhe pranimi i rezultatit pas asnjë ekuivok nga ana e lidershipit demokrat do të thotë edhe riformatim të degëve të partisë në të gjitha rrethet.
Paralajmërimi i Berishës
Në momentin kur Sali Berisha deklaroi dorëheqjen e parevokueshme nga të gjitha funksionet parlamentare, ai paralajmëroi një analizë të thellë të humbjes në çdo qark. Madje një pjesë e kryetarëve të PD-së nëpër rrethe janë të shkarkuar që më përpara, edhe pse në rrugë zyrtare një fakt i tillë nuk është pranuar ende.
Kush rrezikon
Qarqet në të cilat ka ndodhur edhe humbja më e thellë, do të jenë edhe ato më problematiket, ku vendorët do të duhen të marrin edhe përgjegjësitë e tyre dhe ti hapin rrugë një lidershipit të ri. Burime nga PD deklarojnë për gazetën Tirana Observer se drejtuesit e PD-së në këto qarqe do të jenë të parë që nuk do të rizgjidhen më. Një ndër qarqet ku PD pësoi një humbje të thellë ishte qyteti i Elbasanit, dhe në këtë mënyrë kryetari i PD-së në këtë qark, Luçiano Boçi, nuk do të rikandidohet më për këtë post. Të njëjtin fat do të ketë edhe kryetari i PD-së në Shkodër, Astrit Bushati. Në këtë qytet PD pësoi një humbje katastrofike më 23 qershor, duke bërë që bastioni i saj historik të kalonte majtas. Ndërsa në qytetin e Durrësit, Igli Cara, edhe pse jo zyrtarisht është i shkarkuar nga ky post. Por asnjë nga drejtuesit e qarveve nuk do tw përjashtohet nga kjo reformw, me ndryshime të pakta, të gjithë kryetarët aktualë të PD-së në qarqe nuk do ti mbajnë më këto poste.
Pse Aldo Bumçi shpëton nga reforma
I vetmi nga drejtuesit e PD-së në qarqe që do ti shpëtojë kësaj reforme do të jëtë kryetari i PD-së për Tiranën, Aldo Bumçi. Jo sepse PD mori në këtë qark një rezultat, përkundrazi, rezultati ishte katastrofik. Por Bumçi ka një miqësi të hershme me Bashën, dhe gjithashtu është edhe një ndër bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, dhe pikërisht kjo arsye do të bëjë që Bumçi të drejtojë sërish PD-në e Tiranës.
Gjueti shtrigash ndaj mbështetësve të Olldashit
Edhe pse ka një muaj që gara për kreun e PD-së mes Bashës dhe Olldashit ka marrë fund, plagët e kësaj gare nuk janë mbyllur ende. Fushata mes tyre solli edhe përplasje të mëdha në qarqe, përplasje të cilat nuk u bënë kurrë publike në media. Burime nga PD deklaruan se të gjithë mbështetësit e Olldashit në strukturat e PD-së në qarqe do të largohen, për tu zëvëndësuar nga mbështetës të Bashës. Në këtë mënyrë kryetari i ri i PD-së do të jetë më komod në drejtimin e partisë.
Parimi një anëtar një votë
Parimi një anëtar një votë, që u përdor për zgjedhjen e kryetarit të PD-së, do të përdoret edhe për zgjedhjen e kryetarëve të PD në qarqeve. Sipas këtij parimi, secili anëtar do të zgjedhë në mënyrë individuale kandidatët e Kryesisë dhe jo me një listë kandidatësh të përcaktuar paraprakisht. Njëkohësisht me zgjedhjen e kryetarëve do të zgjidhen edhe delegatët që do të përfaqësojnë degët në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike.
Basha: Tri parimet mbi të cilat do të zgjidhen strukturat e reja
Kryetari i ri i Partisë Demokratike ka deklaruar se se zgjedhja e strukturave të reja do të bëhet duke u bazuar në parimet që ai vetë ka shpallur gjatë gjithë kësaj kohe, të punës, kontributit, përkushtimit dhe vlerësimit të këtyre tri elementëve për çdo drejtues dhe anëtar të PD. Strukturat drejtuese të Partisë Demokratike do të angazhohen në një proces sipas parashikimeve statutore, që do të nisë në muajin shtator në të gjithë degët e Partisë Demokratike. Një proces analize dhe përgatitjet me zgjedhjen e forumeve të degëve dhe që do të çojë në mbledhjen e Kuvendit Kombëtar dhe zgjedhjen e Këshillit Kombëtar dhe Kryesisë së re, në kohën e parashikuar në statut. Dhe për këtë po bëhen hapat e parë të përgatitjes, ka deklaruar Basha dy javë më parë.
Kryetarët e degëve të PD-s렠
Tiranë Aldo Bumçi
Durrës Igli Cara
Korçë Gjergji Papa
Dibër Bedri Hoxha
Gjirokastër Bexhet Çobani
Shkodër Astrit Bushati
Berat Arenc Berati
Fier Admirim Shehu
Elbasan Luçiano Boçi
Lezhë- Pashk Noci
Kukës Ibsen Elezi
Vlorë Ardian Kollozi