E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dështojnë kasat fiskale, do përsëritet procesi

Ministria e Financave: Pjesa dërrmuese janë pa standarde dhe sistem online

Procesi i kasave fiskale rezulton i dështuar në pjesën më të madhe, për shkak se janë shitur pa standarde, të pacertifikuara dhe që nuk kanë lidhje me sistemin online të tatimeve. Për këtë shkak, Ministria e Financave ka urdhëruar ribërjen nga e para të vendosjes së kasave, duke iu referuar vendimit të fundit të qeverisë. Ndryshimi rrezikon ta shtyjë në kohë procesin, ndërsa për biznesin do të ketë të tjera angari për shkak se i duhet ta ndërpresë përdorimin e kasës deri në riprogramimin nga e para. Javën e kaluar në ministri të Financave u zhvillua një mbledhje me të pesta shoqëritë e autorizuara të kasave fiskale nga ku dolën në dritë një sërë problemesh, të shkaktuara nga vetë shoqëritë, me “ndihmën” e Drejtorisë së Metodologjisë dhe Kalibrimit. Tashmë ministria u ka dhënë rreth një muaj e gjysmë afat për t’i ndryshuar kasat e shpërndara, në mënyrë që t’i përshtaten standardit të ri, sipas të cilit nuk lejon programet soft, por vetëm hardëere, si dhe ndalimin në mënyrë kategorike të shitjes së kasave me dy rula letrash, sikurse ka ndodhur deri tani.

Dështimi

I gjithë dështimi u vërtetua pas datës 1 janar, kur u lëshua sinjali i parë i transmetimit të të dhënave nga kasat fiskale, të cilat ishin instaluar në pjesën më të madhe te biznesi VIP dhe biznesi i mesëm i Tiranës. Në momentin e lëshimit të sinjalit, tatimet vunë re se të dhënat nuk transmetoheshin të qarta, ishin me gabime, ndërsa u gjetën plot raste me fshehje xhirosh. Tjetër dështim lidhej me certifikimin dhe kalibrimin e tyre. Mësohet se te biznesi janë shitur si kasa edhe makina llogaritëse, ndërsa kasat janë ofruar pa aparatin modem, i cili bën të mundur sinjalin. Ministria e Financave i pranon të gjitha defektet, e për pasojë lëshoi VKM-në me nr.96, e cila përcakton nga e para modelin që duhet ndjekur.

Verifikimi

Të gjitha kasat e shituara deri tani në treg do të instalohen nga e para, përmes programit të ri. Koston për këtë proces do ta paguajë shoqëria e autorizuar, e cila për shkaqe të ndryshme ka gabuar (me dashje ose pa dashje, kjo do verifikohet nga autoritetet përkatëse). Në rast se shoqëritë nuk marrin përsipër të paguajnë koston shtesë që rrjedh nga detyrimi i vendimit të ri, atëherë rimbursimin e bën Ministria e Financave për llogari të bizneseve. Pas kësaj, qeverisë i lind e drejta të rishikojë të gjitha kontratat me kompanitë që kanë marrë licencën e shpërndarjes dhe vendosjes së kasave. Kostot për shoqëritë e kasave llogariten deri në 1 milion euro, ndërsa vlera e kasave fiskale të shpërndara deri tani i kapërcen tre milionë euro.

Vendimi i ri

Të gjitha pajisjet fiskale të shitura dhe të reja duhet të pajisen me autorizimin përkatës të lëshuar nga komisioni i posaçëm i ngritur nga ministri i Financave. Pjesë e pandarë e pajisjes fiskale është edhe modemi GPRS. Sipas VKM nr.96 çdo pajisje fiskale duhet të jetë e shoqëruar me një modem. Tatimpaguesit që kanë blerë modem GPRS më pak se numrin e pajisjeve fiskale duhet të pajisin të gjithë këto pajisje fiskale me modemin përkatës. Pajisjet fiskale sipas standardit të ri duhet të kenë të integruar një “modul crypto-chip” që do të mundësojë firmosjen dixhitale në mënyrë që të vërtetojë informacion fiskal të dërguar nga pajisja fiskale. Deri tani, nga shoqëritë e autorizuara janë vendosur mbi 13 mijë kasa fiskale, kryesisht te biznesi i madh i Tiranës dhe fare pak në qytetet kryesore.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›