Projekti i Jugut, BB rikonfirom investimet për zonën bregdetare
Bordi i Drejtorëve të Bankës Botërore ka miratuar në mbledhjen e fundit ristrukturimin e Projektit të Menaxhimit të Integruar të Bregdetit dhe Pastrimit. Për ristrukturimin e këtij projekti u diskutua dhe u ra dakord me qeverinë shqiptare. Projekti i ristrukturuar do të mbështesë infrastrukturën më të nevojshme që lidhet me përmirësimin e kushteve të mjedisit dhe higjienës, të cilat janë shumë të rëndësishme për një zhvillim afatgjatë të bregdetit dhe turizmit. Ky ristrukturim pasqyron ndryshimet e ndodhura në mjedisin ekonomik, financiar dhe teknik që nga projekti fillestar dhe i jep zgjidhje çështjeve të hartimit dhe zbatimit të projektit. Banka Botërore pranoi nëpërmjet zv/Presidentit të saj, objeksionet e qeverisë për raportin e Panelit të Investigimit. Objektivi i rishikuar i projektit është të ndihmojë qeverinë shqiptare në zhvillimin e qendrueshëm të turizmit në Bregdetin e Jugut duke përmirësuar infrastrukturën kryesore publike mjedisore dhe shërbimet e pushtetit vendor.
Në mënyrë më specifike, Projekti do të vazhdojë të mbështesë investimet për: pastrimin e mbetjeve të rrezikshme në Porto Romano; ndërtimin e një hapësire për mbetjet e ngurta për bashkinë e Sarandës dhe një stacioni transferimi në Himarë në mbështetje të menaxhimit të përmirësuar të mbetjeve të ngurta; rikonstruksionin e portit të Sarandës për të mundësuar hyrjen e trageteve për pasagjerë në Bregdetin e Jugut; sistemin e ujësjellës-kanalizimeve në qytetin e Sarandës; investimet me bazë komunitetin në fshatrat e Bregdetit; dhe menaxhimin e zonave të mbrojtura të Parkut Kombëtar të Butrintit. Projekti i ristrukturuar do të zbatohet nën përgjegjësinë direkte të Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit. Kostoja totale fillestare e projektit ishte 38.5 milionë dollarë.