Rama, kategorik përballë qeverisë

“Protesta, protesta dhe vetëm protesta”. Ky është sipas kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama, aksioni i vërtetë i opozitës që pritet të shoqërojë Shqipërinë përgjatë dy muajve të ardhshëm. Me një gjuhë të drejtpërdrejtë, me një sens të reduktimit të analizës politike në mungesën e transparencës dhe në situatën ekonomike, Rama ka drejtuar dje nga një konferencë për shtyp mesazhe të qarta rreth veprimeve të pritshme të selisë rozë dhe aleatëve të saj. “Plani ynë A, plani ynë B, plani ynë C, janë protestat, protestat, protestat”, deklaroi ai. I përforcuar me një ton të ri, qëndrimi i PS i ka dhënë një jehonë ndryshe përvjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, ngjarje të cilën pushteti ka preferuar ta shohë vetëm nën përgjegjësitë e organizimit të festimeve zyrtare. Kriza si kryefjalë është theksuar edhe më shumë dje nga kryetari i opozitës shqiptare, i cili përtej deklaratave zyrtare ka paralajmëruar rrezik për demokracinë, por edhe kolapsin e ekonomisë shqiptare. “Shifrat e publikuara zyrtarisht, janë shifra të manipuluara...në pamundësi për të kuruar plagët e rënda të një demokracie në rrezik...Në këto kushte është shumë e rëndësishme, që qytetarët të protestojnë për të ndaluar ardhjen e atij momenti kur asgjë nuk e shpëton dot ekonominë nga një kolaps që do të përfshijë gjithë shoqërinë”, deklaroi Rama. Një përshkallëzim i theksuar i gjuhës politike, por që sipas leximit që opozita i bën realitetit buron nga përkeqësimi i situatës ekonomike në të gjithë vendin. Nëse beteja për transparencën e zgjedhjeve identifikohet gjithnjë si krizë e politikës, rëndimi i ekonomisë së çdo qytetari, rritja e çmimeve dhe papunësisë janë tipare të një krize të kudondodhur dhe që nuk bën dallim. Për këtë arsye selia rozë po e nënrendit interesin e saj për hetimin e 28 qershorit interesit qytetar që sipas saj kërkon një dritare për të kanalizuar refuzimin ndaj kësaj gjendjeje që mbahet nën kontroll me lojën e shifrave. “Jetojmë në një demokraci dhe në një ekonomi të rrezikuar. Ky është fakti dhe s’ka nevojë të argumentojmë dhe kundër argumentojmë mes palësh politike, sepse këtë fakt e ndiejnë përditë shqiptarët në xhepat e tyre, në tryezën e bukës së familjes së tyre, me shpenzimet gjithmonë e më të pamundura...”, vijoi më tej Edi Rama. Në një farë kuptimi ky paralajmërim kundërshton edhe akuzën e shumicës së djathtë sipas së cilës “protestat synojnë destabilizimin e vendit”. Përballë një qeverie që është shkaku i krizës, paralajmërimi për protesta përfytyrohet si kura më e mirë parandaluese, e cila me imponimin e një zgjidhjeje politike priret të frenojë kolapsin ekonomik që nuk merret në konsideratë nga pushteti i tanishëm. Analogjia e kësaj situate mund të nënkuptohet mirë me precedentin e vitit 1997 dhe nënteksti i përdorur disa herë nga socialistët e riciklon rrezikun që vjen nga një qeveri që nuk pranon të njohë realitetin. Kështu përkundrejt një logjike normale që do të duhet të nxiste koordinimin e dialogut për daljen nga situata e vështirë ekonomike, palët në Shqipëri shfaqin mosmarrëveshje edhe për konceptin e krizës dhe leximin e thjeshtë të gjendjes së tanishme. Sa i përket opozitës dhe angazhimit të saj në emër të luftës së varfërisë dhe rëndimit të gjendjes ekonomike duhet thënë se adaptimi i kësaj motoje vetëm sa e ndihmon atë në betejën e zgjatur me qeverinë e Sali Berishës. Jo vetëm pse kauza e kutive ripërkufizohet me një përmasë politikisht të kuptueshme, por edhe pse ajo aktualizon pas 20 vjetësh tranzicion protestën e munguar për ekonominë dhe jetën e çdo qytetari.
#