Dështojnë negociatat Bode-Ndoka për postet në qeveri
Eljona Ballhysa
Kryedemokristiani Nard Ndoka është zyrtarisht jashtë kabinetit qeveritar, ndërsa janë shuar dhe shpresat për një marrëveshje të re me Partinë Demokratike. Ndërsa gjithë ditën e djeshme lajmet dhe informacionet mbi riformatimin e qeverisë ngriheshin dhe rrëzoheshin minutë pas minute, duket se pas emërimit të Genc Pollos si zëvendëskryeministër tashmë është sqaruar përfundimisht dhe statusi i Nard Ndokës. Pas furtunës së papritur që përfshiu qeverinë në krye të dy ditëve, duket se demokratët dhe sidomos kreu i PD-së Berisha ka vendosur të mos e ketë më në qeveri Nard Ndokën. Ky konkluzion ka dalë edhe pas negociatave që janë zhvilluar pasditen e djeshme për disa orë rresht me Sekretarit të Përgjithshëm demokrat Ridvan Bode dhe kreut të PDK-së Nard Ndoka. Bode ka ngulmuar që Ndoka të pranonte postin e nënkryetarit të parlamentit pasi Fatos Beja u zyrtarizua si Ministër i Arsimit. Por Ndoka ka refuzuar kategorikisht një variant të tillë ndërsa është përballur me një ofertë nga ana e Bodes e cila lë të nënkuptohet se PD ka plane përfaqësimi të një tjetër niveli për Ndokën.
-Takimi
Pasditen e djeshme pas kangjellave të Kryeministrisë dalloheshin qartë makinat që hynin e dilnin dhe një tension lidhur me zhvillimet e shpejta që kishin përfshirë papritur qeverinë. Kështu ka ndodhur edhe me Nard Ndokën makina e të cilit është futur me furi në kryeministri, ndërsa vetëm pas disa orësh është mundur të mësohet diçka lidhur me rezultatet. Surpriza e parë që u mësua ishte fakti se si rrallë herë Berisha ka shmangur çdo formë kontakti me Ndokën, duke deleguar kompetencat e negocimit te ministri i tij i financave Bode. Sikurse mësohet takimi ka qenë shumë i ftohtë dhe formal, aq sa dukej sikur po takoheshin dy ministra të qeverive të ndryshme. Të tilla kanë qenë dhe rezultatet e takimit ku duket se “surpriza” që Berisha i bëri Ndokës, duke e shkarkuar papritur, u pasua me një ofertë tjetër surprizë që nuk rezervon për Ndokën post në qeveri. Kryeministri Sali Berisha ka bërë dje lëvizjen e parë në kabinetin qeveritar. Ai ka shkarkuar ministrin e Arsimit, Genc Pollo, duke i ofruar atij një tjetër post, atë të zëvendëskryeministrit. Në vend të Pollos, tek arsimi, Berisha ka propozuar emrin e Fatos Bejës, i cili mban postin e nënkryetarit të Kuvendit dhe kryetarit të Komisionit Parlamentar të Ligjeve. Ndërkohë që kjo lëvizje, megjithëse nuk është zyrtarizuar ende nga kryeministria, është konfirmuar nga nënkryetari i PDR-së, Tritan Shehu, i cili e shikon pozitive ngritjen në detyrë të kryetarit Genc Pollo.
Transparenca
Duket se kryeministri Berisha nuk ka preferuar të konsultohet me deputetë të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, por as dhe me shumicën e partive aleate, për ndryshimet në qeveri. Madje shumë deputetë të PD-së janë ndjerë të habitur me ndryshimet e radhës, të cilat i kanë konsideruar si mungesë transparence nga ana e kryeministrit me partinë e tij. Po kështu dhe përfshirja e Partisë Republikane në qeveri duket se ka kompromentuar procesin, jo vetëm për ndryshimet e imponuara në qeveri, por edhe me rrjedhën që do të pasojë mbi hetimin e tragjedisë së Gërdecit. Vetë Presidenti i Nderit i Partisë Republikane, Sabri Godo, është shprehur kohë më parë se PR-ja do të qëndrojë jashtë qeverisë, deri në zbardhjen e plotë të tragjedisë së Gërdecit, ku i implikuar është kryetari i kësaj partie, ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Pikërisht Godo është ai që propozon vajzën e tij, Anila Godo, në postin e ministres së Shëndetësisë. Nëse kryeministri Berisha pranon një propozim të tillë, prish ekuilibrat brenda koalicionit, pasi rrezikon opozitarizmin e demokristianëve, por nga tjetër forcon shumë pozitat e Godos brenda PR-së duke nxjerrë “jashtë loje”, kryetarin Mediu. Por republikanët kanë kërkuar dhe ministrinë e Bujqësisë dhe largimi i Gjanës nga ky post, duket se mund të forcojë pozitat e Berishës në Kuvend, ndërkohë që nuk prish marrëveshjen me PDK-në dhe kënaq “oreksin” e PR-së. Megjithatë në ditët në vijim pritet një lëvizje e dytë e kryeministrit Berisha, e cila do të sqarojë pozicionin e Ndokës në qeveri, marrëdhëniet e PDK-së me PD-në, si dhe përfshirjen e republikanëve, të cilët pretendojnë ministrinë e Shëndetësisë ose atë të Bujqësisë.
Largimi i Bejës, priten zhvillime dhe në Kuvend
Largimi i Fatos Bejës nga Kuvendi pritet të krijojë një vakuum pasi lë bosh dy poste të rëndësishme, atë të nënkryetarit të Kuvendit, si dhe atë të kryetarit të Komisionit Parlamentar të Ligjeve. Pritet që gjatë mbledhjes së ardhshme të grupit parlamentar të Partisë Demokratike të diskutohet dhe për emrin e deputetit të PD-së që mund të zëvendësojë Bejën. Në bazë të rregullores së Kuvendit grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka të drejtë që të propozojë emrin e një deputeti në radhët e saj për postin e nënkryetarit të Kuvendit. Po kështu me largimin e Bejës mbetet bosh dhe posti i kryetarit të Komisionit Parlamentar të Ligjeve, post ky i cili kërkon një deputet jurist për ta drejtuar. Duket se emri i Ilir Rusmalit është më mundshëm për t’u propozuar nga PD-ja për këtë post. Burimet bëjnë të ditur se Partia Demokratike do të shohë mundësinë që postin e nënkryetarit të Kuvendit t’ia lërë aleatëve, duke mbajtur mirë marrëdhëniet me ta.
23 Korrik 2008