E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kadare: “Te mos gabohet ne vleresime per aurore qe sot jane pjese e polikes”



Petrika GROSI
Me nisjen e punës për hartimin e historisë së re të letërsisë shqipe pritet që të hapen debate të mëdhaja, sikundër ka ndodhur me çështjen e rishikimit të historisë, apo sjellin këtu në kujtesë edhe debatin mediatik e parlamentar mbi festat kombëtare, (ditën e Çlirimit, nëse duhej festuar 28 apo 29 nëntori…) Madje shpesh, diskutime të tilla kanë marrë trajta nga më qesharaket ai ato të tipit “kur iku gjermani i fundit ka Shqipëria...”, etj. Ditën e djeshme gazeta “Albania” publikoi emrat e disa shkrimtarëve të realizmit socialist të cilët paramendohet se do të kenë vlerësim tjetër në këtë histori të re, madje një pjesë e tyre e “përkëdhelur” në atë kohë, tashmë do të “kamzhikohet” dhe do të rivlerësohet me qëllimin “për të vënë drejtësinë e hirearkisë së vlerave në vendin e saj real”. Por sipas ecurisë së deritanishme të kësaj historie dhe emrave të përfshirë në lista, mësojmë që emra si Sterio Spase e Dhimitër Shuteriqi do të kenë një vend fare të vogël dhe do të shpërfillen krejt në këtë histori të re. Kjo thuhet se do të bëhet në bazë të studimeve, kritikës dhe vlerave që vepra e tyre transmeton, por ende nuk i kemi të qarta kriteret sesi do të gjykohet. Në këtë rast, me të drejtë lind frika, se mos çdo shkrimtar i realizmit socialist, “të përkëdhelurit e regjimit” do të rivlerësohen në mënyrë subjektive duke ju hequr vlerat, sikundër do të hyjnë shkrimtarë që kanë lidhje fisnore apo individuale me politikën e ditës, të persekutuar e të përndjekur, etj. Ndërsa thuhet se do të ngrihen grupe pune me specialistët më të mirë brenda e jashtë vendit, për shkruarjen e një historie të letërsisë shqiptare në Shqipëri, Kosovë e diasporë, nuk e kemi ende të qartë nëse kjo do të jetë një histori e letërsisë apo diçka e ngjashme me të?!

Kriteret e paqarta

Pikat që mbeten për t’u diskutuar jo vetëm nëpër tavolinat e mbyllura mes katër mureve të instituteve, por edhe publikisht janë mënyra sesi do të gjykohet për dhënien e hapësirave të njërit apo tjetrit autor, pasi krahas vlerësimit, edhe hapësira në këtë histori të re është një faktor i rëndësishëm. Nuk është vendosur ende nëse shkrimtarët do të paraqiten sipas periudhave, apo nëse do të renditen sipas rrymave që përfaqësojnë. Janë një mori çështjesh e problemesh, të cilat do të ndezin debate dhe dyshime për objektivitetin e shkrimit të historisë së re të letërsisë. Por le të kthehemi te shqetësimi ynë fillestar, ai i kritereve të vlerësimit dhe dhënies së hapësirës për shkrimtarët. Të mos harrojmë se në bazë të kësaj historie, që konsiderohet si vepër akademike, do të hartohen më tej edhe tekstet shkollore të letërsisë. Pra ngrihet një shqetësim tjetër: Çfarë do të mësojnë të rinjtë e sotëm mbi letërsinë tonë, shkrimtarët shqiptarë dhe vlerat e tyre, të vërtetën, apo një tjetër trill? Disa nga emrat të cilëve do t’u ndryshohet ndjeshëm vlerësimi dhe hapësira që do të zënë si “zëra” në historinë e re të letërsisë janë Dhimitër Shuteriqi, Sterio Spase, Ali Abdi Hoxha, Fatmir Gjata, Andrea Varfri, Lazar Siliqi e Shefqet Musarai.

Kadare “mbron” Spasen, Xoxën e Shuteriqin

I pyetur nga gazeta “Albania” në lidhje me zhvlerësimin e këtyre shkrimtarëve, shkrimtari ynë i njohur, Ismail Kadare është shprehur se “Dhimitër Shuteriqi nuk mund të kthehet në një “zë të vogël” pasi ka kontribut dhe vlera të mëdha. Ai është një figurë që i përket dy kohërave, ndërkohë që edhe Sterio Spase nuk mund të anashkalohet. Po Jakov Xoxa, ç’vend do të ketë? Mos do ta heqin edhe atë?” –pyet ai duke qeshur. Sipas Kadaresë, rishkrimi i historisë së letërsisë është një nismë pozitive që duhet vlerësuar e përgëzuar, por komisioni që do të merret me këtë punë duhet të jetë legal, jashtë influencave të politikës dhe të tregohet shumë skrupuloz. Ndërsa në lidhje me futjen e shkrimtarëve të rinj, ata që janë quajtur talentet e viteve ’80-’90, duhet bërë kujdes, sidomos të mos gabohet me vlerësimin e tepërt e të pamerituar për autorë që sot janë pjesë e politikës, ose që kanë influenca e mund të ushtrojnë presion falë lidhjeve me të. Vlerësimi duhet të bëhet vetëm në bazë të veprës, në mënyrë që të mos përsëriten gabimet e së kalurës. “Është një gjë e mirë, por nuk duhet abuzuar me shkrimin e kësaj historie”, përfundon Kadare.
Ftesë për debat
Redaksia e gazetës “Albania” fton për debat të gjithë të interesuarit mbi këtë temë. Pra si mendoni se duhet rishikuar historia e letërsisë, mbi bazën e cilave kritere dhe çfarë duhet të bëjmë me shkrimtarët e “përkëdhelur” të realizmit socialist? A është e drejtë që ata të humbasin vlerësimin real vetëm se mund të jenë vlerësuar me superlativa deri në vitet ’90? Mund të na shkruani komentet dhe të jepni mendimin tuaj në adresën e postës elektronike: petrikagrosi@yahoo.it ose në redaksinë e gazetës “Albania”.

23 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›