Si kanë ndryshuar në tre vite qeveritë “Berisha”
Kryeministri Sali Berisha ka ndryshuar disa herë përbërjen e kabinetit qeveritar në tre vite qeverisje. Qeveria më jetëgjatë duket se ka qenë ajo e krijuar pas fitores në zgjedhjet e tre korrikut të vitit 2005. Ndërsa ndryshimet e tjera të kryeministrit duket se më së shumti kanë qenë të papritura dhe të kushtëzuara nga ngjarjet politike, kryesisht nga dorëheqjet e ministrave. Kështu, vetëm gati një vit pas zgjedhjeve të vitit 2005 kryeministri Berisha realizoi ndryshimet e para në qeveri, duke larguar Maksim Cikulin nga ministria e Shëndetësisë dhe në vend të tij vuri aleatin Nard Ndoka. Berisha largoi Arenca Trashanin nga ministria e Integrimit dhe afroi Majlinda Bregun, largoi Bujar Leskajn nga ministria e Kulturës dhe mori Ylli Pangon. Po kështu shkarkoi Aldo Bumçin nga ministria e Drejtësisë dhe postin e tij ia dha zëvendëskryeministrit Ilir Rusmali. Në vend të Rusmalit Berisha emëroi në kabinetin e tij të dytë, Gazmend Oketën. Në shkurt të 2007 Berisha detyrohet të bëjë sërish ndryshime në qeveri, për shkak të kandidimit të Sokol Olldashit për postin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Kështu me largimin e Olldashit nga posti i ministrit të Brendshëm Berisha emëron në vendin e tij Bujar Nishanin, duke krijuar kabinetin e 3-të qeveritar. Fill pas zgjedhjeve lokale Berisha realizon kabinetin e 4-t, i kushtëzuar nga dorëheqja e ministrit të Punëve të Jashtme, Besnik Mustafaji. Në vendin e tij Berisha emëron Lulzim Bashën i cili mbante postin e Ministrit të Transporteve. Këtë post Berisha ia jep Sokol Olldashit duke e risjellë sërish në qeveri. Në nëntor të vitit 2007 Berisha krijon kabinetin e pestë qeveritar, edhe këtë herë i kushtëzuar nga dorëheqja e ministrit të Drejtësisë Ilir Rusmali, duke emëruar në vend të tij Enkelejd Alibeajn. Ndërsa në mars të 2008 Berisha krijon një tjetër kabinet, pas dorëheqjes së ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Në vend të tij Berisha emëron zëvendëskryeministrin Gazmend Oketa, duke lënë bosh këtë post deri tani. Kabineti qeveritar që pritet të krijohet tashmë, do të mbajë numrin “Berisha 7”, nëse do të marrim parasysh të gjitha emrat që janë larguar dhe futur në qeveri.
23 Korrik 2008