Dështon edhe Venizelos
Përpjekjet për të ndërtuar një qeveri koalicioni të gjerë në Greqi, kanë dështuar. Reuters raporton se Venizelos do dorëzojë mandatin e marrë për krijimin e një qeverie. Radikalët e majtë nuk janë gati për të hyrë në një koalicion me konservatorët, socialistët dhe partinë e vogël të së majtës demokratike. Shefi i radikalëve të majtë, Aleksis Çipras, tha se socialistët dhe konservatorët duan të vijojnë me paketën e kursimeve, e cila është rrëzuar nga vetë populli.
Në këtë mënyrë shanset për krijimin e një qeverie koalicioni janë minimale.
Fjalën tani e ka presidenti Karolos Papulias. Sipas Kushtetutës ai duhet të organizojë bisedimet e fundit me krerët e të gjitha partive për të parë mundësinë e krijimit të një qeverie.
Në rast të kundërt, Greqia do të shkojë sërish në zgjedhje në qershor.