Shqipëria: Një lëvizje gej që nuk e keni imagjinuar kurrë
Kështu titullohet një shkrim i publikuar në blogun e njohur Huffington Post nga Mindy Michels, një antropologe që është marrë me të drejtat e njeriut në Shqipëri.
Shqipëria. Nuk është një vend që të bie ndërmend kur mendon për vatrat e aktivizmit homoseksual. Por në fakt, ky vend i vogël, ish- komunist, po shpërthen nga avokatia dhe debati publik në lidhje me çështjet e homoseksualëve, shkruan ajo.
Ajo shkruan se javën tjetër do mbahet e para ekspozitë fotosh nga jeta e personave të komunitetit LGBT, gej, lezbike, biseksualë dhe transgjinorë. Diplomatë të huaj do janë të pranishëm, ndërkohë që edhe media do mbulojë aktivitetin e rrallë. Një aktivitet i një profili të lartë është i pazakontë në këtë vend të vogël ballkanik, shkruan autorja.
Ajo përmend se historia nisi kur tre vjet më parë, kryeministri Sali Berisha, në mënyrë krejt të papritur deklaroi se mbështet martesat mes të njëjtit seks. Autorja thotë se në fakt bëhet fjalë për një ligj kundër diskriminimit, edhe pse u fol për një ligj të martesave gej. Ajo shton se edhe sot e kësaj dite gabimisht thuhet se Shqipëria është i vetmi vend mysliman që lejon martesat e të njëjtit seks.
Tre vjet më pas të drejtat e homoseksualëve ridolën në vëmendjen e mediave, shkruan autorja, pasi u fol për një paradë të mundshme gej. Një zyrtar i qeverisë tha se do i rrahë homoseksualët me shkop gome dhe kjo shkaktoi reagimin e ndërkombëtarëve, kryeministrit, Avokatit të Popullit, etj.
Sërish, çështjet e homoseksualëve ishin në faqen e parë të çdo gazete kombëtare, shkruan ajo.
Sipas autores, shoqëria shqiptare nuk ka ndryshuar shumë këto tre vite, por ai që ka ndryshuar është komuniteti LGBT, që tani nuk ka frikë të flasë hapur dhe është shumë më i organizuar. Fuqia e këtij komuniteti është reale, e mbyll shkrimin Michels.