E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dështon për herë të dytë komisioni i reformës zgjedhore

Kështu, dështoi arritja e një konsensusi midis mazhorancës dhe opozitës në mbledhjen e mbrëmshme të Komisionit të posaçëm të Reformës Zgjedhore për të përmbyllur ndryshimet e kërkuara. Pika e vështirë ishte ajo që ka të bëjë me riformatimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Tashmë, në seancën e nesërme parlamentare, Kuvendi i Shqipërisë pritet t’i japë edhe disa ditë kohë këtij komisioni, ndërsa komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle, kërkoi që reformat të mbyllen brenda datë 24 maj, kohë kur nis edhe procedura për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

"Nuk është vetëm numërimi elektronik, sot u diskutua numërimi elektronik, identifikimi elektronik. Duhet të them që për numërimin elektronik nuk ka një opinion me shkrim nga ODIHR-i. Për identifikimin ne kishim reflektuar disa nga vërejtjet, në atë opinion nuk kemi rënë dakord për administratën zgjedhore dhe formulën e KQZ-së, që është një rekomandim kyç për reformën zgjedhore. Nuk kemi gjetur edhe konsensus lidhur me disa nene të caktuara në procesin ankimor. Këto janë kapituj shumë të rëndësishëm, pasi kanë qenë edhe palca e reformës zgjedhore. Divergjencat janë të karakterit politik. Shpresojmë të gjejmë zgjidhje deri në 24 maj”, tha socialisti Damian Gjiknuri, bashkëkryetar i komisionit.

Eksperti demokrat, Oerd Bylykbashi deklaroi se shumica e rekomandimeve të ODIHR janë reflektuar, por shtoi se duhet konsensus i mirëfilltë, “ne do eksplorojmë filtrat parlamentarë". “Palët ndahen nëse duhet të zbatohen pikë për pikë këto rekomandime të ODIHR apo nëse duhet një zbatim i pjesshëm. Propozimet tona i reflektojnë në çdo detaj këto rekomandime. Gjithashtu nuk arritëm të gjejmë një marrëveshje në lidhje me cështjet e tjera, me administratën dhe ankimimin, por mbeten hapësira që nëpërmjet filtrave parlamentarë ne të vazhdojmë të gjejmë konsensusin më tej për të implementuar konsensusin politik pastaj në draftet teknike për miratimin e tyre", theksoi ai. /Start/

                                                                                             2012-05-16 08:30
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›