E Diel, 1 Nëntor 2026

Prifti: Opozita mocion mosbesimi ndaj qeverisë para “Presidentit”

“S’jam befasuar e dija që do ndodhte ky takim. Një ditë më mbrapa mora vesh çfarë është diskutuar në takimin e tyre. Do ta quaja një takim normal, çdo gjë ndodh, vijnë kohërat kur edhe armiqtë më të mëdhenj ulen bashkë për të parë drejt së ardhmes. Nga ky takim Meta ka fituar më shumë, Rama humb besueshmëri në elektorat, humb kauzën e 21 janarit, që e bëri si revoltë ndaj korrupsionit të qeverisë”, tha ai.

Sipas Priftit, Rama ka shkuar në takim me Metën me qëllim që PS të marrë pushtetin në vitin 2013’, ndërsa shtoi se edhe Meta ka si qëllim të marrë votat e majta duke dhënë sinjalin se po shkon majtas. “Rama në takim me Metën që të fillojë një lloj ndryshimi, që të kthejë opozitën në pushtet në vitin 2013. Ndërsa Meta është politikan me zgjuarsi të madhe, e ka kuptuar se ku qëndrojnë votat. Ai e di që në zgjedhjet e 2013’ nuk merr më vota të majta. Duke dhënë sinjale që po shkon majtas ai ruan votat e tij, po jep edhe sinjalin që do jetë prapë në pushtet”, shtoi Prifti për emisionin “5 pyetje nga Babaramo”.

Duke folur për këtë takim, Prifti shtoi se ai është bërë shkas për krisjen e koalicionit PD-LSI, ndërsa shtoi se mes Berishës e Metës nuk ka komunikim. “Meta në këtë rast ka treguar një lloj mungese respekti për partinë në qeveri. Ka një nervozizëm mes PD dhe LSI. Ka shqetësim të madh në të dy krahët për koalicionin PD-LSI, Berisha e Meta kanë pezulluar komunikimet, cojnë sekserë tek njëri-tjetri për mesazhe, ka krisje. Është serioze”, rrëfen Prifti.

Deputeti Prifti bëri publike për herë të parë faktin se pas procesit dhe dhënies së vendimit të video-përgjimit Meta-Prifti, nuk është takuar, por ka kontaktuar me Metën, duke shtuar se është në një fazë paqeje me të.

“Le të themi se dhe me Metën kam pasur komunikim, jo takim. Kemi vendosur që të shohim përpara, jo prapa. Është paqe dhe mbetet për tu parë. Unë flas me siguri që është paqe, por Iliri është shumë i vështirë për tu kuptuar dhe besuar sepse atij i ndodhin ndryshime të cuditshme në momentet të caktuar. Për atë s’jam i sigurt”, u shpreh Prifti.

Deputeti Prifti zbuloi për emisionin ‘5 pyetje nga Babaramo” një skenar të mundshëm që po organizohet dhe që pritet të kërkojë mocion mosbesimi për qeverinë Berisha. “Meta ka nuhatje politike, jo sa Berisha por në liderët e majtë them se është më i miri. Them se ka disa cilësi, por ka bërë gabime që e kanë njollosur, por nuk mund t’ia mohoj cilësitë. Ka matje politike dhe pragmatizëm politik se po vijnë zgjedhjet. Planet kanë filluar për mocion mosbesimi, para zgjedhjes së presidentit, por nuk e di që LSI do jetë pjesë. Ka filluar të bëhet lobing në parlament në mocion mosbesimi. Unë jam opozitar”,- deklaroi Prifti duke nënkuptuar se si i tillë do të votojë në një mocion te mundshëm kundër qeverisë.

Prifti komentoi edhe deklaratat e bëra nga lideri i PS-së Rama, i cili deklaroi se është tentuar të blihet vota e dy deputetëve të PS nga ana e PD për presidentin e ri të vendit. Ai deklaroi se nuk do të bëhet kurrë pjesë e këtyre skenarëve me shitjen e votave, pasi udhëhiqet nga parimi për të zgjedhur kandidatin konsensual, qoftë ai nga PS apo nga PD. Prifti tha se ai do të zgjedhë për president një njeri që e meriton. “Unë nuk e shes votën time për presidentin. Nëse arrihet në këtë nivel, ka ardhur fundi. Unë do votoj. Do dëshiroja president konsensual, zgjedhja e të cilit do t’i bënte nder këtij vendi. Këtë gjë të bëjmë patjetër. Kështu i heqim vetes njollën jo u shit jo nuk u shit vota. Pozicioni im varet nga kandidati. S’e kam problem të jem vota e 71 e PD nëse kandidati garanton pavarësinë e institucioneve. Nëse do të jetë e nevojshme s’kam komplekse, do votoj kandidatin më të mirë”, deklaroi deputeti Prifti. /Start/

                                                                                             2012-05-16 09:59
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›