INSTAT: Inflacioni në korrik është ulur me 0.3 për qind
Shqiptarët kanë paguar më pak në muajin korrik për të blerë mallrat e konsumit të përditshëm. Konfirmimi është bërë nga Instituti i Statistikave, sipas të cilit, çmimet janë ulur me 0,3 për qind kundrejt muajit qershor. Dalja në treg e prodhimeve bujqësore vendase ka qenë faktori kryesor që ka ndikuar në uljen e çmimeve. Produkte të tilla si perime dhe fruta kanë njohur rënien më të ndjeshme, përkatësisht me 10,2 dhe 6,5 për qind. Sipas INSTAT-it, ky trend pritet të vazhdojë edhe në muajt gusht dhe shtator. Por korriku do të mbahet mend te konsumatorët për çmimet më të larta të arritura ndonjëherë të naftës dhe benzinës. Kështu, një litër naftë “D1” arriti deri në 172 lekë, ndërsa benzina deri në 165 lekë. Ky ka qenë faktori kryesor që ka ndikuar në rritjen e çmimeve të transportit urban dhe interurban. Për herë të parë gjatë 7 muajve të këtij viti inflacioni ka arritur në vlerën më të ulët 3,7 për qind. Banka e Shqipërisë ka përcaktuar një normë vjetore të inflacionit deri në 4 për qind. Por rritja e çmimit të karburanteve ndikoi në rritjen e indeksit të çmimeve gjatë muajit korrik. Në këtë muaj, indeksi i nëngrupit "Transport", shënoi një rritje prej 1.8 për qind, me një ndikim prej 0.1 për qind në totalin e ndryshimit mujor. Gjatë muajit korrik çmimi i naftës shënoi një rritje prej 2.3 për qind, ndërsa çmimi i benzinës një rritje prej 1.6 për qind. Si pasojë e kësaj rritjeje, çmimet e transportit urban gjatë korrikut u rritën me 8 për qind, ndërsa çmimet e transportit interurban me 0.6 për qind.
OSSH: Në disa lagje të Tiranës, kufizime të energjisë prej remonteve
Disa lagje të Tiranës patën dje, por do të kenë edhe sot ndërprerje të energjisë për shkak të punimeve që po bën KESH-i në disa nënstacione. Operatori i Sistemit të Shpërndarjes njofton për kufizime të energjisë nga mëngjesi deri në orën 17:00 të ditës edhe për sot. Ndërprerje do të ketë në zonat e Shkozës, rruga "Ali Demi", Bërryli, Rruga Bardhyl, Rruga e Elbasanit, Qyteti Studenti, Ministria e Shëndetësisë si dhe Farka. OSSH-ja ka ndërprerë linjën 110 kV, Tiranë-ish-Uzina e Traktorit për shkak të punimeve që po bën KESH-i. Me kërkesë të KESH-it, OSSH-ja ka ndërprerë dje linjën 110 kV Tiranë-ish-Uzina e Traktorit për shkak të punimeve që po bën KESH-i. Burime të OSSH-së bënë të ditur se për këtë arsye, nga mëngjesi deri në orën 17:00 do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike në zonat e Shkozës, rruga "Ali Demi", Bërryli, Rruga Bardhyl, Rruga e Elbasanit, Qyteti Studenti, Ministria e Shëndetësisë si dhe Farka.
9 Gusht 2008