E Diel, 1 Nëntor 2026

Destabilizimi i Maqedonisë, një prognozë në rend të ditës

26-12-2012 / Gazeta 55

Ajo që po ndodh në Maqedoni doemos është një atmosferë para zgjedhjeve lokale, por mbase edhe një tjetër se në vend do të mbahen edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare. Por megjithatë, analistët siç duket nuk mund të shkojnë deri në fund me prognozat e tyre, duke thënë se po hyjmë në një situatë kaotike, ku nuk mund t’i parashikojnë ndodhitë

Se Maqedonia po fundoset në një krizë politike, por edhe shoqërore, është më se e qartë edhe atë në një periudhë më të gjatë, ndërsa këtë që po e shohim për momentin, analistët vlerësojnë se është vetëm përshkallëzim i saj, që tregon se sa institucionet janë të dobëta, ndërsa kultura demokratike politike është inekzistente. Analistët dhe profesorët shprehen të sigurt se i gjithë zhvillimi, shkon në drejtim të zgjedhjeve lokale, e varësisht nga vullneti i kryeministrit - edhe drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Por si duket nuk mund të shkojnë deri në fund me prognoza, pasi vërejnë se do të hyjmë në një kohë kaotike, ku nuk mund të parashikojë se çka do të ndodh.
Beteja u bë fizike/Profesoresha Biljana Vankovska vlerëson se këtë që po e shohim tani në Maqedoni, është përshkallëzim i krizës politike dhe shoqërore që po zgjat tanimë një periudhë më të gjatë. “Se Maqedonia po fundoset në një krizë politike, por edhe shoqërore, është më se e qartë edhe atë në një periudhë më të gjatë. Këtë që po e shohim për momentin është vetëm përshkallëzim i saj, që tregon se sa institucionet janë të dobëta, ndërsa kultura demokratike politike është inekzistente. Pjesëmarrësit në arenën politike po sillen si armiq të përjetshëm dhe duke mos mundur përmes kanaleve institucionale t’i kanalizojnë konfliktet dhe të kërkojnë zgjidhje për ato, tani i mobilizojnë qytetarët”, thotë Vankovska. Ajo më tej shton se për fat të keq, tani beteja u bë fizike, fjalë për fjale, dhe e tillë që na paraqet si një shoqëri në gjendje parapolitike, posaçërisht para syve të opinionit ndërkombëtar. “Faji është edhe te kokëfortësia e pushtetit, por edhe te taktika e opozitës të përdor metodën ‘sa më keq, aq më mirë’ për ta ngritur rejtingun. Kam frikë se në betejën ku nuk numërohen fletëvotimet, por numri i demonstruesve dhe i të lënduarve, nuk ka fitues, ndërsa edhe ai që fiton momentalisht, e fut Maqedoninë si viktimë në ‘fitoren’ e vet politike të Pirros. Pushteti ishte i detyruar të veproj sipas procedurës ligjore, respektivisht në mungesë të atmosferës për punë në Parlament, ka dy opsione: të shkohet me buxhet të përkohshëm (deri në mars) apo të vet-shpërbëhet, e të shkohet në zgjedhje të reja. Ajo nuk deshi të organizonte ‘fronte’, ndërsa opozita mezi priti ta pushtojë ‘rrugën’, kur nuk mund të fitojë në zgjedhje”, thotë Vankovska.
Asgjë ashtu siç ishte/Por sipas Sasho Ordanovskit, asgjë s’do të jetë e njëjtë siç ka qenë. Kjo, vlerëson ai, nuk do të thotë se gjërat do të dalin jashtë kontrollit domosdo, megjithatë do të sjellë rregulla të reja të lojës dhe raporte të reja edhe ndaj pushtetit edhe opozitës. “Mendoj se do shkohet më shumë drejt formave të të vepruarit politik jashtë-institucional, që do të thotë se do të shohim cirqe nga më të ndryshmet nëpër rrugë”, vlerëson Ordanovski. Padëgjueshmëria qytetare, vlerëson Ordanovski, do të jetë vetëm një nga format më të buta të asaj se çfarë do të ndodh, sepse vëren se është më se qartë që pushteti s’ka gatishmëri të dialogojë me askënd që mendon ndryshe. “Është më se e qartë se para se gjithash, pushteti nuk është i gatshëm të dialogojë me askënd që mendon ndryshe nga ai. Kjo tani e kombinuar me problemet e mëdha financiare që do t’i ketë, por edhe i ka tanimë pushteti, do të çojë drejt radikalizimit të gjendjeve të përditshme”, vlerëson Ordanovski. Ai është i mendimit se një situatë e tillë gjithsesi se çon drejt një periudhe parazgjedhore, por shton se a mund të ndodhin edhe zgjedhjet parlamentare, me çka Gruevskit i përshtaten më shumë. “Unë mendoj se ai tani do të kërkoj edhe zgjedhje parlamentare, sepse do t’i përshtatet ta shfrytëzojë edhe më tej, të paktën sipas vlerësimeve të tij, rejtingun më të lartë në krahasim me opozitën”, thotë Ordanovski. Megjithatë, ai shton se do të hyjmë në një situatë kaotike, ku nuk mund të parashikojë se çka do të ndodh.
Interesa të ngushta partiake/Profesori Zemri Elezi thotë ndërkaq se situata politike që shihet tanimë në terren, në jetën politike - ndodhitë në Parlament, situata rreth konfliktit brenda koalicionit partiak qeveritar rreth Ligjit të të ashtuquajtur të ”branitellave” dhe më e reja - çështja e Buxhetit të Maqedonisë, jep një indikacion në opinion se mund të vije deri te një radikalizëm, krizë apo padëgjueshmëri qytetare. “Të gjitha këto që po ndodhin në jetën parlamentare të Maqedonisë dhe sidomos, kryesisht mes opozitës dhe opozitës maqedonase, të cilës i bashkëngjitet edhe opozita shqiptare, i ngjajnë interesave të ngushta të partive politike, qoftë të VMRO-së, apo të LSDM-së. Më së shumti e kanë për përfitimin e pikëve politike dhe jo për të reflektuar diçka në masë. Dhe unë mendoj se nuk do të vijë deri te ndonjë radikalizëm, i cili do të sjell çrregullime të hatashme. Plotësit pajtohem me atë që kjo gjendje më së shumti i ngjan një atmosfere paraelektorale. I ngjan atmosferës së vitit 2013, që përgatiten për zgjedhjet lokale dhe ndoshta mund të vije edhe deri te zgjedhje të parakohshme, apo të jashtëzakonshme parlamentare”, thotë profesori Elezi. Profesori më tej sqaron se megjithatë, faktori ndërkombëtar nuk do të lejojë që situata në Maqedoni të dal jashtë kontrollit dhe të ndodhin çrregullime të cilat do ta kishin rrezikuar sistemin politik dhe bashkëjetesës në vend. “Partitë politike veprojnë në drejtim që kush më tepër të tërheq vëmendjen e opinionit që të fitojë pikë politike. Mirëpo këtu ka një element tjetër që është shumë i rëndësishëm për arsye se Maqedonia është nën një protektorat të fuqishëm ndërkombëtar dhe faktori ndërkombëtar nuk e lejon të dalë jashtë kornizave që të vije deri te një çrregullim që mund të rrezikojë interesin e shtetit dhe sistemit politik, sikurse edhe të bashkëjetesës dhe bashkëqeverisjes shqiptaro-maqedonase në Maqedoni”, thotë profesori Zemri Elezi.
Marrë nga e përditshmja e Shkupit “Koha”

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›