Detajet për rrugën ekumenike që u mundëson anglikanëve bashkimin e plotë me Kishën katolike
“Dokumenti hap një rrugë të re për nxitjen e bashkimit të të krishterëve, duke njohur, njëkohësisht, ndryshimet e ligjshme në mënyrën e shprehjes së fesë sonë të përbashkët”: Ky është, thënë me dy fjalë, kuptimi i Kushtetutës Apostolike “Anglicanorum Coetibus”. Kushtetuta, që u botua këto ditë dhe është nënshkruar nga Papa më 4 nëntor, në festën përkujtimore të Shën Karl Borromeut, thuhet në një raportim të Radio Vatikanit për ngjarjen. Dokumenti u përgjigjet kërkesave të shumta të anglikanëve, nga të katër anët e botës, për t’u bashkuar plotësisht me Kishën katolike. Dokumenti ka 31 nene e shoqërohet nga një sërë normash plotësuese, hartuar nga Kongregata për Doktrinën e Fesë.
Mbi domethënien e Kushtetutës Apostolike “Anglicanorum Coetibus”, Atë Xhanfranko Girlandën, jezuit, rektor i Universitetit Papnor Gregorian e këshilltar i Kongregatës për Doktrinën e Fesë, thotë: “Domethënia kryesore është gatishmëria e Atit të Shenjtë, i cili i përgjigjet një kërkese, bërë disa herë nga grupe anglikanësh, që dëshirojnë të bashkohen plotësisht me Kishën katolike. E do të thosha se ka rëndësi të sqarohet se kërkesa erdhi nga ana e tyre. Prej këndej, Papa parapërgatiti një mjet juridik për t’i pranuar, si Dioqeza Personale, në mënyrë që të ruajnë traditën e tyre shpirtërore, liturgjike e baritore, por duke bërë pjesë në Kishën katolike, domethënë, jo duke formuar një ‘kishëz’, brenda Kishës katolike. U zgjodh rruga e Dioqezave Personale sepse është një rrugë elastike. Nuk është krejtësisht e re, nga që kemi prej kohe Ipeshkvitë ushtarake, me të cilat përkojnë e ndryshojnë njëkohësisht, sepse Dioqezat Personale nuk bashkëpunojnë me ipeshkvijtë e tjerë vendas por, si laikët, ashtu edhe institutet rregulltare e klerikët, formojnë popullin e Zotit të një qarku kishtar. Ky qark përkon me një Kishë të veçantë, por nën juridiksionin personal të ipeshkvit, që e drejton Dioqezën në emër të Papës, jo në emër të vet. Gjithsesi nuk kemi të bëjmë me një rit të ri, por më mirë mund të themi se ka njëfarë përkimi me ritin ambrozian, që është brenda Kishës latine. Kurse përsa i përket rregullit të çelibatit, nuk është i ri fakti se meshtarët e martuar anglikanë dëshirojnë të shugurohen në Kishën katolike në radhët e meshtarisë, duke vijuar të jenë të martuar. Një dispozitë e tillë ekziston që në kohën e Gjon Palit II, por si përjashtim, ndërsa rregulli i përgjithshëm mbetet gjithnjë çelibati kishtar.
Marrë nga Radio Vatikani