E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rënia e Murit dhe ndjesitë në Kosovën e pavarur

Shpesh thuhet se s’ka asgjë më fantastike se sa realiteti. Nëse nisemi prej këtij konstatimi të Dostojevskit, edhe ky i yni që e jetojmë për çdo ditë është bajagi fantastik.
Qe pse!
Dje ishte e hënë. Pak me vonesë, por të hënën m’u kujtua se çfarë kisha bërë të premten që shkoi. M’u rrokullis nëpër mendje edhe njëherë i gjithë itinerari i ngjarjeve të mia të asaj dite. Kam pasur takim në një ambasadë të një vendi të Bashkimit Europian për të aplikuar për vizë Schengen. Paraditja ishte vrapim pas kompletimit të një krah dokumentesh për të qenë i gatshëm në përballimin e secilës kërkesë që kemi përpara nesh kur aplikojmë për vizë hyrëse në vendet e BE’së. Me gjithë përkujdesjen time të disa ditëve më parë, më është dashur sërish të kthehem në kërkim të dokumenteve plotësuese. Mikut tim me të cilin aplikonim së bashku, për mungesë dokumentesh iu desh ta shtyjë takimin për të hënën. Çikat e sjellshme në sportel vetëm respektonin procedurat, nën turrfullitjen tonë të mbështjellë me mirësjellje të shtirur, helbete sa për të mos i nxjerrë nga takti i tyre rutinor.
Kështu ishte deri në mesditë, kur telefoni im nisi të vibronte për të më përkujtuar se tash duhej të nisesha për tjetërkund.
Pyetja që vinte matanë dëgjueses ishte e familjarëve që më pyesnin nëse “isha gati”. Në orën 13 me ta duhej të ishim diku tjetër. Për këtë orë ishte caktuar ceremonia e varrimit për kushërinjtë që ishin mbytur në lumin Tisa. Varroseshin vetëm burrë e grua. Trupat e tre fëmijëve të tyre kanë mbetur ende diku nëpër ujërat e lumit që i ndante nga tokat matanë, ku besonin së do ta gjenin lumturinë. Një familje ishte mbytur për një vizë! I lodhur nga procedurat burokratike nëpër të cilat duhet të filtrohemi derisa marrim një vizë, kisha arritur në kohë në varrezat e Obiliqit për t’i përcjellë kushërinjtë fatkeq që varroseshin vetëm se s’kishin pasur një copë vizë.
Pas kërkesës për vizë, varrimit të atyre që s’kishin vizë, orarit të mbasditës në punë, në mbrëmje ishim të ftuar në ndejën e organizuar në kafiterinë Strip Depot, me sebep ndërrimin e enterierit. Një ambient urban, që nuk dallon nga ato që mund të gjesh nëpër qendrat e mëdha urbane të kontinentit. Edhe mysafirët ishin pjesë e atij enterieri. Shumica të rinj. Hamendësoj të jenë mesatarisht në të 20’at. Shumica kurrë pa iu shkelur këmba jashtë Kosovës. Ose, më së largu deri në Shkup, Ulqin e Durrës. Të gjithë, së bashku me atë enterier, janë të vendosur në eksterierin e zymtë të një kryeqyteti të vendit që është më i izoluar edhe se vet ferri mbi tokë, Afganistani i sotëm.
Dje është festuar shumë në Berlin. Janë bërë 20 vjet që kur ata hoqën Murin që ndante atë qytet. Gjithë dita ishte me festime, fjalime, analiza, e kujtime të atyre që kishin përjetuar këtë moment historik. Në të gjitha mediat e botës.
Derisa Gjermania celebron rënien e murit, ueb faqja e BBC-së ka ftuar lexuesit që t’i ndajnë kujtimet e tyre mbi atë ditë historike. Edhe unë desha t’i ndaj me këdo që ka kohë e nerva të lexojë për ato që përjetova ditën e premte. Ndodhia ime është shumë më e freskët, por mund të jetë pjesë e secilit prej nesh që jetojmë në geton kosovare. Muri i Berlinit për 28 vjet me radhë kishte ndarë miqtë, familjet dhe një komb. Gjermanët kishin pasur shumë vuajtje ato vite. Për ta, tashti krejt është histori e një revolucioni që ndodhi dy dekada më parë, që pasoi me vdekjen e Perandorisë Sovjetike. Gati sa jetëgjatësia e Murit të Berlinit, po aq kohë ne jemi duke jetuar brenda një muri tjetër. Ne nuk kemi nevojë që të kthehemi në histori aq të largëta izolimi. Ato i kemi të përditshme, si kjo e së premtes. Si ajo e viktimave të Tisës. Si ajo e mijëra të rinjve që ëndrrat u vërtiten rreth një vize Schengen. Të gjithë jemi të barabartë dhe pak berlinezë. Veçse të izoluar. Të rinjtë tanë që nuk ishin lindur kur ishte rrëzuar Muri i Berlinit, muret rreth e rrotull nesh i kalojnë si klandestinë. Natyra për ta nuk është pengesë, qoftë edhe me çmimin e lëkurës së tyre, që jo rrallë u mbetet nëpër male, dete, e lumenj. Ata më me fat, që mund të futen në ndonjë grup ekskursioni apo ekipi sportiv, shpesh nuk shihen më në Kosovë. Të ngujuar brenda rrethojave të këtij muri pa tulla, historitë e një realiteti fantastik të secilit prej nesh nuk ndaluan për 20 vjet rresht. Edhe e premtja ime mund të jetë një prej tyre. Të izoluar siç jemi, ne vetëm mund t’iu urojmë gjithë gjermanëve - Urime 20 vjetët e Bashkimit dhe Lirisë suaj, edhe pse për ne mund të mos ketë kuptim.
Deri në ditën kur do të dalim përtej mureve si njerëz të një bote normale, s’mbetet tjetër për qytetarët e këtij vendi përpos të jenë notues të mirë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›