Gedafi i premton Tadiçit: Nuk do ta njohim Kosovën
Libia nuk do ta njohë Kosovën. Presidenti libian, Muamar Gedafi , ia ka premtuar këtë homologut serb, Boris Tadiç, gjatë një takimi në Tripoli. Tadiç, i cili ndodhej për një vizitë në Libi, thotë se ka marrë premtimin e Gedafit se Libia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës. “Unë çmoj shumë faktin se Libia nuk e ka njohur dhe nuk do ta njohë Kosovën. çmoj gjithashtu faktin se Libia mori pjesë në procesin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në lidhje me këtë çështje. Tani po presim vendimin e GJND-së më pas do të konsultohemi se çfarë do të bëjmë në të ardhmen”, citohet Tadiç nga mediat e Beogradit. Ai ka shtuar se Serbia do të vazhdojë betejën për të ruajtur integritetin, duke pasur për qëllim rifillimin e negociatave sa i përket statusit të Kosovës dhe gjetjes së një zgjidhjeje nëpërmjet kompromisit. Tadiç tha se me Presidentin libian kanë biseduar për thellimin e bashkëpunimit, si dhe për borxhet e prapambetura që ish-Jugosllavia i ka Libisë, Tadiç tha se kjo çështje duhet të zgjidhet shpejt, në mënyrë që marrëdhëniet midis dy vendeve mund të vazhdojnë të përmirësohen.
#