E Diel, 1 Nëntor 2026

Sheshi, vazhdojnë punimet edhe në ditë feste

Bashkia: Punimet në sheshin "Skëndërbej" nuk do të ndalojnë për asnjë çast. Do plotësojmë angazhimet ndaj qytetarëve


TIRANË- Bashkia e kryeqytetit ka vazhduar punimet ditën e djeshme në sheshin "Skënderbej", edhe pas konfliktit të dy ditëve më parë me qeverinë. Kjo e fundit deklaroi pezullimin e punimeve dhe gjobitjen e bashkisë së Tiranës për faktin se nuk kishte leje mjedisore.


Dy nga ministrat e qeverisë nuk kursyen kritikat ndaj baskisë, duke nxjerrë argumentime të ndryshme që të justifikonin bllokimin e punimeve.
Por, dje janë parë sërish punëtorët e bashkisë dhe duke punuar në qendër të Tiranës, edhe pse ishte një ditë feste zyrtare.


Madje, burimet zyrtare të Bashkisë së Tiranës pohojnë se punimet nuk do të ndërpriten për asnjë moment. Këtë e vërteton vazhdimi i punimeve edhe gjatë ditës së djeshme ndonëse ishte festa e Pashkës.


"Do të plotësojmë angazhimin për t'u siguruar qytetarëve të gjitha shërbimet e duhura dhe prioritet mbetet rehabilitimi i sheshit "Skënderbej" dhe për ta realizuar këtë punimet nuk do të ndërpriten për asnjë çast", - bëjnë të ditur burime zyrtare të bashkisë së Tiranës.


Dy ditë më parë Ministria e Mjedisit jo vetëm vendosi pezullimin e punimeve, por dhe një gjobë prej dy milionë lekësh pasi sipas zyrtarëve të mjedisit, punimet po kryhen ndërsa ende nuk ka një leje mjedisore, por në fakt Bashkia e Tiranës ka vërtetuar me dokumentacione të rregullta të kundërtën, duke deklaruar se kanë lejen mjedisore. Kështu sheshi "Skënderbej" ka përplasur opozitën me qeverinë.


Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferri e ka cilësuar sheshin "Monument kulture". Në një konferencë shtypi, ai ka deklaruar se rikonstruksioni është në kundërshtim me ligjin. Nga ana tjetër, duke ironizuar me ministrin se nuk di ku ka varrin Ismail Qemali, deputeti i PS-së, Ditmir Bushati akuzoi qeverinë se po kërkon të marrë peng edhe projektin transformues të Tiranës.


Çështja e sheshit "Skënderbej" rrezikon të kthehet në një tjetër luftë mes qeverisë dhe bashkisë së Tiranës, të drejtuar nga kreu i opozitës, Edi Rama. Për koincidencë, qeveria i nis të gjitha konfliktet me bashkinë e Tiranës vetëm pak kohë para nisjes së fushatës për zgjedhjet lokale.


Tre vjet më parë qeveria mori vendimin arbitrar për të prishur mbikalimin e ndërtuar nga Bashkia e Tiranës në kryqëzimin e "Zogut të Zi", Miliona dollarë të taksapaguesve kryeqytetas u dogjën dhe në fund të procesit gjykata i dha të drejtë bashkisë por deri më sot nuk është bërë asnjë dëmshpërblim.


Qeveria vazhdoi projektin e saj për "Zogun e Zi", i cili u mbyll pak ditë para zgjedhjeve të shkurtit 2007 edhe pse nuk kishte përfunduar ende. Shembulli më i mirë i punës së papërfunduar ishte shatërvani në mes të sheshit, i cili u vu në punë vetëm nëpërmjet një pompe uji dhe u mbyll menjëherë një ditë pas zgjedhjeve.


Berisha takon financuesit e sheshit "Skënderbej"


Në kulmin e konfliktit për sheshin "Skënderbej", kryeministri Berisha ka udhëtuar deri në Kuvajt për t'u takuar me financuesin e projektit. Në njoftimin zyrtar të Këshillit të Ministrave thuhet se kryeministri Berisha u takua me Drejtorin e Përgjithshëm të Fondit Kuvajtian për Zhvillimin Ekonomik Arab, zotin Abdulahab Al-Bader.


Duke shfrytëzuar rastin, kryeministri Berisha falënderoi dhe shprehu mirënjohjen për ndihmesën dhe mbështetjen e madhe financiare që Fondi Kuvajtian ka dhënë gjatë këtyre viteve për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, nëpërmjet implementimit të një sërë projekteve të rëndësishme ekonomike, si në rrjetin e ujësjellësve, në sistemin e vaditjes, në infrastrukturë, në ndërtim dhe në projekte të tjera.


Në lidhje me projektin e qendrës së Tiranës Berisha u shpreh: Ky projekt është një projekt i madh dhe i rëndësishëm si për Tiranën, zemrën e Shqipërisë, ashtu edhe për mbarë kombin".


Nga ana e tij, Drejtori i përgjigjëm i Fondit Kuvajtian për Zhvillimin Ekonomik, zoti Abdulahab Al-Bader, vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria, vçanërisht në vitet e fundit. Në këtë kontekst, zoti Abdulahab Al-Bader tha se së shpejti do të vizitonte Shqipërinë për të parë më nga afër këtë progres.


******************

Topalli për sheshin:
Nuk jam partizane e piramidave

Konflikti mes qeverisë dhe bashkisë së kryeqytetit për sheshin "Skënderbej" është komentuar në mënyrën e saj edhe nga kryeparlamentarja Jozefina Topalli.


Teksa po vizitonte katedralen katolike me rastin e festës së Pashkës, Topalli tha: "Unë besoj realisht shumë dhe e dua fort ambientin. Unë, nuk kam qenë kurrë ndonjëherë partizane e piramidave".


Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›