E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria të reformojë mentalitetin për ruajtjen e vlerave

Trashëgimia kulturore

Që institucionet shqiptare janë shumë të papjekura për të bërë politika dhe për t’i menaxhuar ato kjo tashmë dihet jo vetëm nga të huajt, që e theksojnë vazhdimisht në raportet e analizat e tyre, por edhe nga vendasit, të cilët vuajnë pasojat e dhimbshme të këtyre politikave. Por po t’i shtosh kësaj papjekurie edhe faktin shkatërrues që kuadri politik i vendit ndryshon tmerrësisht shpesh dhe në mënyrë të paparashikuar, madje edhe brenda qeverive, atëherë e kupton se nga Europa nuk të ndajnë vetëm vizat, por një hendek i madh, ose më mirë një kanion, që të bën pesimist për çdolloj përparimi drejt saj. Pikërisht për këto dhe shumë arsye të tjera, megjithëse kam shpenzuar më se 30 vjet të jetës sime për ruajtjen dhe restaurimin e vlerave të trashëgimisë kulturore, kisha vendosur të mos merresha më në publik me diskutimet, tashmë pa bereqet, mbi ruajtjen e mbrojtjen e tyre, diskutime të cilat siç e ka provuar edhe vetë koha nuk janë tjetër veçse shashka tymuese që hidhen herë pas here ndërkohë që vlerat kulturore shkatërrohen në mënyrë sistematike.

Por, megjithëse me prof. Cekën njihem personalisht dhe kam një respekt e konsideratë të veçantë për personalitetin dhe veprën e tij, ndaj të njëjtin shqetësim më kolegun tim, Gj. Frashëri, se ‘nuk mund të rrihet indiferent’ para eksperimentit të radhës që po gatuhet në kurriz të vlerave të trashëgimisë kulturore, e që u shpalos në intervistën e tij në lidhje me reformën e re në fushën e Trashëgimisë Kulturore, botuar para disa ditësh në gazetën “Shqip”. Megjithëse ende nuk është shpërndarë ndonjë draft i kësaj reforme nga intervista merret vesh se thelbi i saj është largimi i IMK nga vartësia e MTKRS dhe lënia e tij i pavarur. Kjo lëvizje, ashtu si shumë të tjera para saj, ilustrohet me idenë se ky institut “do të fuqizohet” duke marrë nën vartësi përveç drejtorive rajonale të kulturës kombëtare në rrethe edhe Parqet Arkeologjikë, Muzetë Arkeologjikë, Agjencinë e Shërbimit Arkeologjik e të gjitha këto institucione do të dalin jashtë MTKRS e do të emërtohen “Instituti i Trashëgimisë Kulturore”. Ky do të jetë një institut “shërbimesh në fushën e trashëgimisë kulturore”, pasi “synimi i kësaj reforme është të ndajë qartë shërbimet në fushën e trashëgimisë kulturore nga veprimtaria shkencore”. Por për ta drejtuar “në krye do të jetë një akademik dhe në të gjitha shkallëzimet do të vijnë profesorë …Një fond i veçantë konkurrues ku bashkitë dhe komunat që kanë pasuri kulturore, në bashkëpunim me IMK (më vonë ITK) dhe DRKK-të në rrethe do të konkurrojnë për të marrë projektet për pasuritë që kanë në territorin e tyre …Sistemi do jetë i centralizuar për sa i përket drejtimit shkencor e profesional dhe i decentralizuar për sa i përket kujdesit dhe monumentit…”, sepse “I gjithë sistemi që kemi sot është një shpikje tipike shqiptare që nuk ekziston askund...”

Të them të drejtën më erdhi keq kur pashë se sa përciptas vazhdon ende sot e kësaj dite të vlerësohet puna e ruajtjes dhe restaurimit të vlerave të trashëgimisë kulturore dhe se me sa lehtësi shpërndahen përgjegjësi nga ku varet fati i vlerave të identitetit kulturor të kombit. Sot, kur ne pretendojmë për të hyrë në BE dhe kur i kemi kaq pranë vendet më të zhvilluara e më me traditë në fushën e ruajtjes dhe restaurimit të vlerave kulturore, përsëri ndodhemi shekuj larg për sa i përket konceptimit e vlerësimit të punës që nevojitet për ruajtjen e këtyre vlerave. Duhet të sqaroj lexuesit që në fillim se në shkrimin tim nuk do të provoj se jam kundër reformës, por mënyrës se si është keqkonceptuar kjo reformë.

është e plotësisht e vërtetë se gjatë dy dekadave të fundit IMK, nga një prej institucioneve më të fuqishme në Shqipëri për sa i përket studimit, ruajtjes, restaurimit dhe propagandimit të vlerave të Trashëgimisë Kulturore është katandisur në një institucion që kryen vetëm një shërbim: miratimin e projekteve të restaurimit. Të gjitha kompetencat i janë hequr duke filluar që nga drejtoritë rajonale që ka pasur nën vartësi e deri te menaxhimi i fondeve, i punimeve, i planifikimit të tyre madje edhe vetë IMK-në e kanë “internuar” në periferi të Tiranës, rrëzë malit të Dajtit, duke i hequr çdo lloj reputacioni e autoriteti qoftë edhe në pamjen formale të tij. Sot IMK nuk është në gjendje të ketë informacionin më elementar mbi gjendjen e monumenteve të kulturës në territorin e Republikës së Shqipërisë. Punonjësit e tij nuk arrijnë të kryejnë as kontrollet rutinë mbi punimet, që kurrsesi nuk mund të quhen “restauruese”, që kryejnë firmat e ndërtimit anembanë vendit, pasi nuk kanë dieta, shpesh u mungon profesionalizmi dhe për më tepër nuk kanë autoritet. Ndërsa drejtoritë rajonale, që nuk e dinë as vetë se përse janë, sa monumente kanë e cilat janë, kanë vetëm një detyrë, që sigurisht e kryejnë shumë mirë, “menaxhimin” e tenderëve që u planifikohen.

Të gjithë shqiptarët tashmë janë në dijeni se vlerat e trashëgimisë kombëtare shkatërrohen dita-ditës, humbasin, vidhen, digjen, e prishen, madje edhe me ekskavatorë në mes të ditës apo të natës e të gjitha këto nën hundën dhe para syve të autoriteteve përgjegjëse për ruajtjen e tyre. Ky fat po i ndjek të gjitha llojet e monumenteve të kulturës që nga ato arkeologjike e deri te banesat e ansamblet nëpër qytete. Qytetet që shkëlqenin dikur si Gjirokastra e Berati ka kohë që janë venitur e janë në prag të degradimit me gjithë përpjekjet e sforcuara që po bëhen për të mos lejuar zhdukjen e tyre, ndërsa Korça, Shkodra e Durrësi tashmë i kanë hyrë me vendosmëri rrugës së shpërfytyrimit. Në një nga analizat e UNESCO-s për gjendjen e trashëgimisë kulturore në Shqipëri përmendet një citat i nobelistit Amartya Sen që thotë se “Kultura është një mjet si për fillimin ashtu edhe për fundin e civilizimit”.

Përballë kësaj gjendjeje katastrofike të trashëgimisë kulturore, duket se qeveria po përpiqet të marrë disa masa, sepse duhet të plotësojë një prej kushteve kryesore për të hyrë në BE, atë të identitetit kulturor, një kusht ky që as i ka shkuar ndër mend deri më sot. Për të dalë nga kjo situatë degradimi të identitetit kulturor asaj i duhet të hartojë një reformë dhe për këtë ngarkon disa akademikë, të cilët hartojnë disa lëvizje, që i quajnë “reformë”, dhe që na japin të kuptojmë se ose nuk e njohin praktikën e restaurimit dhe për më tepër të menaxhimit të vlerave të trashëgimisë kulturore, ose duan të bëjnë një reformë sa ‘për të larë gojën’ ku rezultati do të jetë centralizimi i kontrollit të fondeve që do të vihen në dispozicion, por jo ruajtja dhe restaurimi i vlerave.

Me keqardhje konstatoj se kjo lëvizje, që unë nuk mund ta quaj reformë, përmban në thelb një nënvleftësim të hershëm të rolit që duhet të luajë IMK si një institucion i ruajtjes së vlerave të trashëgimisë kulturore, i cili i ka fillimet e veta te një megalomani provinciale, që dikur u pëshpëriste anëtarëve të Byrosë Politike se “IMK merret me llaç e tulla”, ndërsa sot e kategorizon si një institucion për të “kryer shërbime mirëmbajtjeje”. Sipas këtyre akademikëve, restaurimi nuk mund të quhet shkencë, IMK nuk mund të jetë institucion shkencor dhe për përzgjedhjen e përgatitjen e punonjësve të tij nuk mund të vendosen kriteret e punonjësve shkencorë, por ai do të drejtohet nga ‘profesorë’, që nuk e njohin fare punën restauruese. Në fakt, mendimi i përgjithshëm i restauruesve në Shqipëri është se ky nënvleftësim i punës restauruese ka qenë themeli i humbjes së qindra e mijëra vlerave të trashëgimisë kulturore anembanë vendit tonë gjatë këtyre dekadave të fundit.

Nënvleftësimi i punës restauruese e konservuese si punë joshkencore ka ekzistuar edhe në periudhën më të artë të IMK, kur ky institucion kryente një punë të vërtetë shkencore sa kjo pohohej edhe në rrafshin ndërkombëtar nga botimet shkencore më prestigjioze europiane, që e cilësonin IMK si një ndër institucionet më serioze dhe që kryen restaurimet më shkencore krahasuar me homologët e tij të Ballkanit. Prandaj në qoftë se duhet të fillojë një reformë ajo duhet të fillojë pikërisht me ndryshimin e këtij koncepti rrënjësor: puna konservuese dhe restauruese e vlerave të trashëgimisë kulturore duhet të konsiderohet një punë e mirëfilltë shkencore. Nëse duhet t’i ruajmë vlerat duhet që ato t’i ruajmë në mënyrë autentike, të pandryshuara, të pazëvendësuara e të patjetërsuara, ndryshe ato nuk do të quhen vlera, por kopje të vlerave, ndërsa vlerat zhduken. Por kjo nuk është aq e thjeshtë. Pikërisht për të ruajtur këto vlera është e nevojshme të ndërtohen programe, rikonceptime, riformulime dhe më pas reforma.

Në se duam të shkojmë drejt Europës dhe t’u afrohemi institucioneve të saj i gjithë konceptimi i ruajtjes dhe restaurimit të vlerave të trashëgimisë kulturore duhet reformuar. Mbi të gjitha, reforma duhet të fillojë nga vetë qeveria, e cila duhet të angazhohet seriozisht së pari ndaj marrëveshjeve ndërkombëtare për kulturën dhe trashëgiminë kulturore. Vetëm UNESCO ka zhvilluar një seri të gjerë me 37 instrumente normative ndërkombëtare, nga të cilat Qeveria Shqiptare ka ratifikuar ose pranuar deri më sot vetëm 17 prej tyre. Edhe sistemi komunist që i kishte ndaluar me ligj të gjitha marrëveshjet e konventat ndërkombëtare, të vetmen kartë ndërkombëtare që kishte nënshkruar ishte “Karta e Venecias” dhe e vetmja konventë ndërkombëtare e nënshkruar ishte “Konventa për Mbrojtjen e Pasurive Kulturore në rast të një Konflikti të Armatosur”.

Një reformë e dytë që qeveria duhet ta fillojë nga vetvetja është demonstrimi i një angazhimi serioz financiar për kulturën. Megjithëse thuhet me njëfarë krenarie se i janë akorduar 3 milionë dollarë MTKRS për trashëgiminë kulturore kjo ministri, pavarësisht edhe detyrimeve shumë të gjera që ka sipas statutit të saj, është portofoli ministror me më pak financime, që kapin vetëm 1% të GDP kombëtare, dhe kjo ka vite me radhë që është në këtë gjendje. Kështu nuk mund të ruhen vlerat kulturore.

Nga ana tjetër, angazhimi serioz financiar i qeverisë për kulturën, duke marrë parasysh gjendjen e vështirë financiare të Shqipërisë, duhet të shoqërohet me një përdorim krijues të partneriteteve publike-private dhe të mekanizmave financiarë inovatorë. Pra që këtu fillon e kristalizohet koncepti se ruajtja e vlerave të trashëgimisë kulturore nuk duhet centralizuar, por duhet decentralizuar. Me këtë nuk duhet të kuptohet pjesëmarrja e sa më shumë kompanive ndërtimi që të bëjnë restaurimet, siç ka ndodhur deri më sot, por krijimi i hapësirave legjislative e financiare për të angazhuar sa më shumë partnerë publikë për të ruajtur vlerat e trashëgimisë kulturore. Tashmë në Shqipëri nuk gjen asnjë partner publik (ose edhe nëse ka është tepër i papërfillshëm) që të angazhohet financiarisht në konservimin apo restaurimin e vlerave, ndërkohë që në vendet e BE ky sektor (sektori privat) zë nga 50% deri 80% të shpenzimeve që bëhen në ruajtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore. Dhe kur them angazhim në restaurimin e vlerave kam parasysh restaurime shkencore e jo punime butaforike nëpër kala, banesa apo site arkeologjike që kryhen për efekte përfitimi dhe që nuk kanë të bëjnë aspak me ruajtjen e mirëfilltë të vlerave.

Një fakt tjetër tepër të rëndësishëm që duhet të ketë parasysh reforma është se ruajtja e vlerave të trashëgimisë kulturore nuk mund të bëhet pa një rritje të kapaciteteve për të administruar, ruajtur dhe paraqitur trashëgiminë kulturore dhe industritë kulturore në një mënyrë efikase, transparente, të përgjegjshme dhe të barabartë. Dikur anembanë Shqipërisë IMK ka pasur një fuqi punëtore tepër të aftë dhe shumë profesionale në fushën e ruajtjes dhe restaurimit të vlerave të trashëgimisë kulturore. Sot është për të ardhur keq se kjo fuqi punëtore nuk ekziston më. Madje, duhet pranuar se sot ka një mungesë të theksuar profesionalizmi në fushën e konservimit e restaurimit të vlerave të trashëgimisë kulturore. Kjo lidhet me dy aspekte: së pari me reformimin e sistemit financiar brenda vetë punës restauruese, dhe së dyti: me një angazhim serioz të qeverisë për nxitjen e edukimit të specialistëve të kësaj fushe. Aktualisht, në vend nuk ka asnjë shkollë restaurimi, ndërsa nga qeveria nuk ka asnjë nxitje për të edukuar e arsimuar profesionistë të këtyre fushave jashtë vendit. Kohët e fundit është trumbetuar si një sukses i madh hapja e një kursi dyvjeçar pasuniversitar pranë IMK për konservim e restaurim, ku pjesën më të madhe e përbëjnë vetë nëpunësit e IMK, por se sa efekt do të ketë ai në drejtimin e restaurimit mbi baza shkencore në të ardhmen kjo është tepër e dyshimtë. Atëherë si mundet që kjo fushë sa delikate aq dhe e vështirë të arrijë të thithë teknologjitë e kohës dhe profesionalizmin më të lartë? Para disa kohësh qeveria shqiptare dha një fond tepër të rëndësishëm për rehabilitimin e qendrës historike të Gjirokastrës, me rastin e listimit të tij si një Qytet i Trashëgimisë Botërore, por megjithëse ishte fondi i saj ajo u detyrua t’ia lerë “në mirëbesim” UNESCO-s për menaxhim.

E njëjta gjë vlen edhe për nivelin e mjerueshëm të kapaciteteve menaxhuese jo vetëm në rrethe, por edhe në qendër për të administruar, ruajtur dhe prezantuar trashëgiminë kulturore. Praktikat e deritanishme dhe ato aktuale për menaxhimin e vlerave kulturore mbeten të vakëta dhe tregojnë pak shenja për progres. Një aspekt tjetër i rëndësishëm i reformimit të punës restauruese është hartimi i kritereve serioze për dhënien e licencave të restaurimit, të cilat deri më sot i janë nënshtruar një masivizimi të qëllimshëm piratesk, që ka rezultuar në shkatërrimin me vetëdije të vlerave kulturore. Politikbërësit duhet të kuptojnë se vlerat e një monumenti shkatërrohen njësoj jo vetëm duke mos e restauruar, por edhe duke e restauruar keq.

Së fundi, por jo për nga rëndësia, reforma duhet të synojë në rritjen e rolit të trashëgimisë kulturore në mundësitë sociale e ekonomike dhe në angazhimin e pjesëmarrjes së komunitetit në strategjitë rajonale dhe lokale të zhvillimit. Kultura dhe industritë kulturore konsiderohen sot në vendet e qytetëruara si drejtues të zhvillimit ekonomik e social dhe si mjete për zgjerimin e mundësive të njerëzve drejt zhvillimit. Të gjithë jemi në dijeni se shumë nga strategjitë e vendit për zhvillimet rajonale e lokale kërkojnë të kapitalizojnë industrinë e turizmit – duke krijuar mundësi për komunitetet për ta lidhur trashëgiminë kulturore me turizmin. Kjo nga njëra anë kërkon që reforma të synojë krijimin e një mjedisi të aftë për t’u siguruar njerëzve kontaktet e vazhdueshme me trashëgiminë kulturore, ku, përveç kësaj, ajo duhet t’u sigurojë atyre edhe pjesëmarrjen në vendimmarrjen për trashëgiminë kulturore në nivelet lokale, rajonale e kombëtare. Ndërsa nga ana tjetër, reforma duhet të marrë parasysh edhe rritjen e nivelit vlerësues dhe përgjegjshmërinë ligjore të autoriteteve lokale, të cilat luajnë edhe rolin themelor në ruajtjen dhe administrimin e vlerave të trashëgimisë kulturore.

Nëse duhet të kryhet një reformë në ruajtjen e vlerave kulturore, ajo nuk duhet të mbetet një prioritet me fjalë e sidomos kur pretendohet për të hyrë në BE. Të jesh anëtar i BE-së është diçka më e gjerë sesa thjesht të jesh dakord me rregullat dhe traktatet e saj. Anëtarët e BE demonstrojnë një angazhim ndaj një tërësie vlerash të përbashkëta, shumë prej të cilave pasqyrohen në përpjekjet e qeverive për demokraci, zhvillim, tregti, investime, dhe më e rëndësishmja - përpjekjet për kulturë. Shqipërisë, nëse do të vijë dita për të hyrë në BE, do t’i duhet të demonstrojë “atë ç’ka ajo sjell në tavolinë”, (me çfarë kontribuon konkretisht) për sa i përket identitetit dhe kontributit unik në Bashkimin Europian.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›