E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Detyrim paraqitje”, Berisha në SPAK: Kjo zyrë shteti është seksion i kartelit më të rrezikshëm në Europë

Kryedemokrati Sali Berisha ka përmbushur këtë të hënë (2 qershor) masën “detyrim paraqitje” në SPAK. Në një deklaratë për mediet, Berisha ka hedhur akuza kundrejt kreut të SPAK, Altin Dumani dhe prokurorëve, duke theksuar se Prokuroria e Posaçme nga një institucion drejtësie është shndërruar në seksion të kartelit më të rrezikshëm në Europë.

“Kjo për arsye të forta ligjore sepse ky bashkëpunëtor i kartelit më të rrezikshëm, më të fuqishëm të Europës, mbajti në zyrën e tij 22 ditë vendimin e gjykatës për arrestin e Xhevdet Troplinit, Elvis Doçit apo Pojës, sepse Poja quhet në fakt ky kartel droge.

Dhe jo vetëm e mbajti 22 ditë, por e çoi për ekzekutim pasi Xhevdeti dhe Elvisi kishin mbërritur në destinacionet që kishin zgjedhur dhe të lirë sot, duke kontrolluar nga vendndodhjet e tyre përsëri në çdo metër katror portin e Durrësit dhe trafikun e kokainës”, deklaroi Berisha.

Ky i fundit nuk ka kursyer akuzat edhe ndaj gjyqtares së hetimit paraprak të dosjes “Partizani”, Irena Gjokës, duke pretenduar se kjo e fundit ka nënshkruar një kontratë të falsifikuar më 13 shkurt të 1996,me qëllim justifikimin e parave të krimit.

Ajo çka për Berishën rëndon situatën, është fakti që kontrata është pranuar si dokument zyrtar.

“Pra, Irena me 5 mbiemra, shikoni se çfarë mostrash njerëzore janë këta, paraqet një kontratë të firmosur në vitin 1996 dhe të lidhur sipas një Kodi Civil të miratuar në vitin 2015. Po a ka gjë më të turpshme se kjo?  Kontrata është pa noter.

Por kjo kontratë false është pranuar nga vetorët e Edi Ramës si dokument i vërtetë.

Dhe prisni, ka akoma më shumë. Megjithëse ata u janë drejtuar tatimeve të Fierit, a ekzistojnë dokumente për këtë shumë prej 60 milionë lekësh para të pista të Irenës me 5 mbiemra, para krimi, që mashtron, tatimet i thonë se nuk ka gjurmë, as nam as nishan të këtyre parave”, tha Berisha.

Kryedemokrati akuzohet për korrupsion në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit sportiv Partizani.

Ditën e sotme, do të hidhet shorti  për përzgjedhjen e trupës gjykuese që do të shqyrtojë dosjes “Partizani”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›