E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

“Detyrim paraqitjeje” për Berishën, Gjykata e Posaçme e Apelit zbardh vendimin

TIRANË, 16 janar /ATSH/ Gjykata e Posaçme e Apelit ka arsyetuar vendimin që la me masën e sigurisë detyrim paraqitje kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Gjykata thotë se janë marrë parasysh disa arsye që arritën në përfundimin se masa e sigurisë “arrest në shtëpi” nuk ishte më e nevojshme.

Një ndër arsyet siç bën të ditur Gjykata e Posaçme e Apelit është edhe fakti se vendi ndodhet para fushatës zgjedhore dhe se Berisha është kryetar i partisë opozitare më të madhe në vend.

“Lidhur me zëvendësimin e masës së sigurimit personal nga ajo e “Arrest në shtëpi” në “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, duke marrë parasysh: faktin se kërkuesi kishte një vit me masën e sigurimit “Arrest në shtëpi”; faktin se moszbatimi i detyrimeve që lidheshin me masës e sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” bazoheshin mbi një alibi për antikushtetuetshmërinë e kësaj mase, të rrezuar tashmë nga Gjykata Kushtetuese; moshën dhe rrethana e tjera që kanë qenë në konsideratë të gjyqtarit të hetimeve paraprake, por të vlerësuara tashmë në raport me këto rrethana të tjera; si dhe duke mbajtur në konsideratë faktin që jemi në periudhën para fushatës zgjedhore dhe kërkuesi është konsideruar edhe nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese si lideri i opozitës, ose kryetar i partisë kryesore opozitare, u arrit në përfundimin që masa e sigurimit “Arrest në shtëpi” nuk ishte më e nevojshme”, sqaron gjykata.

Gjyqtari, Engert Pëllumbi, i cili dha vendimin, ka arsyetuar ndër të tjera se me anë të arrestit të shtëpisë, Berisha ka shlyer në një farë mënyre pasojën e dhënë për shkak të moszbatimit të masës së mëparshme, që ishte detyrim paraqitjeje.

“Me anë të kësaj mase (“Arrest në shtëpi”) kërkuesi e ka shlyer në një farë mënyre pasojën e dhënë nga dispozitat ligjore për moszbatimin e masës së mëparshme të sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, dhe për rrjedhojë kjo masë sigurimi duhej zëvendësuar, duke i’u dhënë edhe një herë mundësia kërkuesit që të respektojë detyrimet qe lidhet me masën e re të sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore””, njofton gjykata e Posaçme e Apelit.

Më tej, Apeli i GJKKO sqaron se në rast se kërkuesi nuk do të zbatojë detyrimet që lidhen me masën e sigurimit “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, atëherë organi i akuzës do të ketë të drejtën të kërkojë serish zëvendësimin e kësaj mase sigurimi, me një masë sigurimi më të rëndë”. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›