Devijohet trafiku, Bashkia bllokon rrugën te Muzeu pa lajmëruar
Asnjë njoftim nuk është dhënë për bllokimin e rrugës përballë Muzeut Kombëtar. Në vazhdën e punimeve në sheshin Skënderbej Bashkia e Tiranës ka bllokuar një tjetër rrugë në kryeqytet, por nuk ka njoftuar qytetarët dhe drejtuesit e automjeteve. Mungesa e këtij informacioni ka përplasur të gjithë shoferët drejt qendrës, por pa e ditur që rruga ishte e bllokuar. Mesdita e djeshme ka qenë tejet e ngarkuar dhe plot me trafik, për shkak të devijimit të ri. Të vetmet që ndihmonin në orientim, ishin tabelat Ndalim kalimi dhe disa policë në rrugën pas Bankës së Shqipërisë, të cilët përpiqeshin të rregullonin lëvizjen. Aktualisht, devijimi i fluksit të trafikut nga ana e Bashkisë së Tiranës ka filluar të funksionojë në Rrugën e Durrësit, drejtimi perëndim-lindje në Unazën e Vogël të qytetit, kthim vetëm djathtas në rrugën Dëshmorët e 4 Shkurtit.