Braktisen të moshuarit, s'ka vend në azile

Në Komisionin e Shëndetësisë u bë e ditur se braktisja e të moshuarve dhe fëmijëve po dyfishohet vitet e fundit
Numri i të moshuarve, të cilët kërkojnë mbështetje nga shteti është në rritje dhe kapacitetet rezidenciale për trajtimin e tyre janë të limituara. Kjo u bë e ditur dje në Komisionin Parlamentar të Çështjeve Sociale dhe të Shëndetësisë nga ministri i Punës, Spiro Ksera, i cili theksoi se po përballen me një fenomen të pakrahasueshëm me vite më parë. Por nga ana tjetër edhe numri i fëmijëve të braktisur nga prindërit po rritet në mënyrë të ndjeshme.
Ndërkohë, specialistët shpjeguan edhe arsyet e këtij fenomeni, i cili po vjen gjithnjë në rritje. "Shoqëria jonë po përballet me një fenomen të ri, atë të braktisjes, që është rreth 50 për qind më e lartë", ka deklaruar specialistja e ministrisë së Punës, Denada Sefer.
Braktisja
"Aktualisht ka një rritje të kërkesave në krahasim me vitin 2005, rreth 50% dhe kjo situatë po bëhet gjithnjë prezent, ndërsa kapacitetet e shtëpive të të moshuarve janë plot". Kështu u shpreh se për këtë kategori njerëzish po shtohet numri i shtëpive ditore për të moshuar.
Sipas të dhënëve të Shërbimit Social Shtetëror, ka të paktën 10 kërkesa në muaj për tu strehuar në shtëpitë e të moshuarve. Hartat e shpërndarjes së rrjetit të institucioneve të përkujdesit shoqëror që ofrojnë shërbime për moshën e tretë janë: 6 institucione publike të përkujdesit shoqëror që ofrojnë shërbime rezidenciale për 275 të moshuar në Tiranë, Gjirokastër, Shkodër, Kavajë, Poliçan, Fier dhe 2 institucione të përkujdesit social që ofrojnë shërbime ditore për 90 të moshuar.
Shkaqet
Braktisja e të moshuarve është një fenomen që vjen gjithnjë në rritje dhe specialistët rendisin disa shkaqe që po stimulon këtë fenomen. Emigracioni është një ndër shkaqet kryesore që po detyron të moshuarit të zënë dyert e azileve.
Sipas specialistëve, në shumë raste, të rinjtë po braktisin jo vetëm vendin e tyre, por edhe prindërit. Ndërkohë, jetesa pa prindërit edhe kur këta të fundit kanë nevojë për ndihmën e fëmijëve të tyre, sipas specialistëve, po kthehet në një fenomen që po gjen terren gjithnjë e më shumë. "Nëse vite më parë ka pasur familje kur fëmijët jetonin me prindërit edhe pasi ata krijonin familjen e tyre, ky zakon po vjen gjithnjë në zhdukje, duke ndjekur modelet perëndimore", - pohojnë specialistët.
Ruka: Skema e NE-së, jo funksionale
Ndërsa Et'hem Ruka dje në komisionin e Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë ka vlerësuar se skema e ndihmës ekonomike (NE-ja) e hartuar nga qeveria nuk po rezulton funksionale. "Skema nuk është shumë funksionale përderisa ka shqetësim publik", është shprehur ai.
Deputetët e opozitës kanë kërkuar sqarime mbi çështjen e trajtimit të fëmijëve jetimë deri në moshën 16-vjçare. Ministri i Punës tha se nuk ka institute për rehabilitimin e personave me aftësi të kufizuara dhe kërkohet të punohet më tej për përmirësimin e legjislacionit.
Ministri i Shëndetësisë, Vasili, pohon se buxheti u lëvrua me vonesë dhe procedurat e tenderëve zgjatën 4 javë. Duhet të rritet niveli i kontributeve dhe buxheti
Vasili: Ja arsyet e mangësive të barnave në spitale
Mangësitë me barna dhe materiale mjekësore në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza", por edhe në spitale të tjera, muajt e fundit kanë ardhur për shkak të vonesës së lëvrimit të buxhetit, vonesë kjo që ishte jo vetëm në shëndetësi, por edhe në ministritë e tjera.
Kështu u shpreh për gazetën, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, i cili shpjegoi se mangësitë në spital lidhen me disa arsye. "Duhet të dini se buxheti u lëvrua në fund të marsit dhe kjo vonesë nuk ishte vetëm për shëndetësinë.
Është punuar që procedurat e tenderëve të përfundojnë sa më shpejt dhe janë mbyllur me shpejt se herë të tjera brenda 4 javëve. Nëse do të mbylleshin më shpejt do të kishte shkelje të ligjit, ndaj po u them se janë realizuar në kohë rekord", - thekson ministri Vasili, duke shtuar se me mbylljen e këtyre procedurave situate do të përmirësohet.
Ndërkohë, ai shpjegon se në spitalet jo gjithmonë do të plotësohen 100% kërkesat me furnizime, pasi buxheti i shëndetësisë është shumë i vogël për të plotësuar çdo mangësi të mundshme në spital. "Duhet të dini se buxheti i shëndetësisë së vendit tonë është shumë herë më i vogël se i një qyteti në Itali si Bolonja.
Gjithashtu, edhe kontributet shëndetësore janë shumë herë më pak se vendet e tjera me vetëm 3.4 për qind të pagës, ndërkohë që vendet e tjera, madje edhe fqinji ynë, si Maqedonia, e kanë shumë herë më të lartë këtë kontribut. Ju mendoni se në këto kushte mund të kemi çdo gjë në spitale.
Kjo është e pamundur", theksoi ministri Vasili, duke shtuar se kanë bërë të pamundurën që këtë vit të sigurohen sidomos citostatikët dhe pasi buxheti për këto medikamente ka qenë 60 % më shumë se vitet e tjera.