E Shtunë, 31 Tetor 2026

Devoll, gjetja e vajzës së mbytur, kërkimet rifillojnë sot

Ngjarja e rëndë ku mungesa e një ure shënoi të dielën dy viktima , ka sjellë reagimin e ashpër të banorëve të zonës. Policia thotë se kërkimet për të zhdukurën në ujërat e Devollit do rinisin në orën 08:00 

ELBASAN - Me gjithë kërkimet gjatë gjithë ditës së djeshme të polumbarëve dhe forcave të shumta policore, nuk është arritur të gjendet trupi i pajetë i 8-vjeçares Rexhina Çapja, e cila u mbyt bashkë me të ëmën mëngjesin e ditës së diel, në lumin e Devollit. "Kërkimet nisën në orën 08:00 të ditës së hënë dhe u ndërprenë në orën 22:00 të kësaj dite. Përveç banorëve të shumtë të zonës, në kërkimet e djeshme morën pjesë grupi i polumbarëve të ardhur nga Tirana, i përbërë nga 6 persona si dhe 20 efektiva të policisë. Kërkimet u shtrinë rreth 12 kilometra përgjatë rrjedhjes së Devollit, por rezultuan pa sukses", - shtojnë drejtues të policisë lokale. Ndërkohë, ngjarja e rëndë ku mungesa e një ure shënoi të dielën dhe dy viktima të tjera, ka sjellë reagimin e ashpër të banorëve të zonës. Ata kanë shprehur indinjatën e tyre për indiferencën e treguar ndër vite nga shteti dhe qeveritë lidhur me kërkesën e tyre të vazhdueshme për ndërtimin e një ure mbi lumin Devoll, pikërisht në vendin ku ndodhi tragjedia. "Kjo tragjedi nuk është e para, por heshtja e shtetit për të ndërtuar urën, na thotë se nuk do të jetë e fundit. Vetëm këto 2-3 vjet janë mbytur 6 vetë e janë gjymtuar disa të tjerë. Na kanë premtuar për këtë urë vazhdimisht, por asgjë nuk po bëjnë", - pohon B.Ramaj, nga fshati Gjuralë. Në orën 08:00 të ditës së diel, 45-vjeçarja Selvije Çapaj, së bashku me djalin 6-vjeçar dhe vajzën 8 vjeçe, përfunduan në lum teksa po tentonin kalimin në anën tjetër. Drejtues të policisë thonë se kërkimet për të zhdukurën në ujërat e Devollit do rinisin në orën 08:00 të ditës së martë.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›