Devolli: Korça prish tersin e transfertave
Gjirokastriti i Partizanit mendon se skuadra është gati për pjesën e dytë dhe kërkon tripikëshin ndaj Skënderbeut
Problemi më i madh i Partizanit, në pjesën e parë të sezonit, ka qenë rendimenti i ulët në ndeshjet jashtë kryeqytetit. Duke parë këtë fakt, mesfushori gjirokastrit i të kuqve, Bledar Devolli, është i mendimit se skuadra në takimin me Skënderbeun duhet të fitojë. Tripikëshi kërkohet për disa arsye nga ana e "demave të kuq", së pari kërkohet prishja e "tersit" në transferta, së dyti vetëm fitorja e mban Partizanin në rrugën për titull, si dhe një fillim i mbarë i pjesës së dytë e mobilizon grupin për ndeshjet e radhës. Mesfushori i të kuqve, Bledar Devolli, u premton lexuesve të gazetës "Sporti shqiptar" se Partizani është gati për pjesën e dytë të sezonit dhe shpresohet se në fund të kampionatit, skuadra do t'i realizojë objektivat. "Gjatë kësaj minifaze përgatitore, skuadra ka kryer një punë të mirë dhe shpresoj se Partizani ëshë gati për rifillimin e kampionatit. Gjithsesi nuk jemi plotësisht të plotë, pasi në skuadër kemi edhe të dëmtuar, si kapitenin Beqiri, por besoj se grupi ka forcën e duhur për të përballuar ndeshjet në vijim. Përgatijet e kësaj periudhe dimërore e kanë gjetur skuadrën të ndarë në dy pjesë, pasi gjashtë futbollistë ishin në "zborin" dhjetëditor të kombëtares. E mira do të ishte sikur përgatitjet të kryeheshin me kontigjent të plotë, megjithatë, si ne, por edhe gjashtë kuqezinjtë jemi përgatitur në shkallën e duhur dhe këtë gjë po tregojnë stërvitjet e këtyre ditëve. Kundërshtari i radhës për ne është Skëndërbeu dhe në këtë përballje Partizani do të kërkojë vetëm fitoren. Shpresoj ta nisim mbarë vitin 2008. Jo vetëm në Korçë, por në çdo ndeshje, Partizani duhet të marrë maksimumin dhe përgatitjet tona në funksion të këtij qëllimi po kryhen.Momentalisht ekipi gëzon një formë të mirë, por na del për detyrë që të çlirohemi në takimet jashtë kryeqytetit. Prandaj, fitorja ndaj Skënderbeut kërkohet për shumë arsye, pasi përveç nisjes me këmbën e duhur të pjesës së dytë, më shumë kërkohet thyrja e tabusë së transfertave. Nëse marrim maksimumin në Korçë, në takimet e radhës do ta kemi më të lehtë, pasi do të jemi më të karikuar për të arritur sukseset," u shpreh mesfushori i Partizanit, Bledar Devolli. Nuk është hera e parë që në deklarimet e tij gjirokastriti i mëshon idesë së fitoreve në transfertë, pasi nuk mund të dilet kampion, nëse nuk arrin të marrësh maksimumin në fushat jashtë Tiranës.