E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hanush, fantazi argjentinase për Dinamon!

Futbollisti Mauricio Hanush, kërkon titullin kampion në eksperiencën e tij të re me skuadrën blu
Ka zhvilluar ditën e djeshme stërvitjen e parë me skuadrën e Dinamos, duke u mbikqyrur nga shumë tifozë të pranishëm në kompleksin "Dinamo". Bëhet fjalë për futbollistin argjentinas Mauricio Favio Hanush, lindur në Ciudad Evita, provincë e vogël e Buenos Ariesit. Futbollisti në fjalë është 31-vjeçar dhe ka një "mal" me eksperiencë në shpatullat e tij, pasi siç është bërë e ditur, Hanush ka luajtur më parë tek skuadra e njohur europiane, Sportingu i Lisbonës. Argjentinasi peshon 75 kg dhe është i gjatë 1.75 cm. Roli i tij është fantazist dhe tashmë për skuadrën e Dinamos rikthehet "aroma argjentinase", pasi ka qenë pikërisht ish-tekniku i bluve, Pedro Paskuli, i cili ka rekomanduar futbollistin në fjalë që të veshë fanellën blu. Skuadra e fundit, në të cilën Hanush është aktivizuar, ka qenë Nueva Chicago, një skuadër e kategorisë së 2-të argjentinase, e cila renditet në vendin e 5-të dhe është një nga kandidatet kryesore për t'u ngjitur në superligën argjentinase. Gjatë një prononcimi për "Sportin shqiptar", futbollisti i sapoardhur në rradhët e bluve tregon emocionet dhe përshtypjet e para në Shqipëri. "Më pëlqen Shqipëria dhe në veçanti Tirana si qytet, tani që e kam parë nga afër. E njihja shumë pak shtetin tuaj, pasi isha njohur pak vetëm me anë të internetit, në kohën kur u futa në negociata për të ardhur në kampionatin tuaj. Kam disa eksperienca në shpatullat e mia dhe besoj se nuk do ta kem të vështirë të adoptohem në filozofinë e skuadrës së Dinamos. Ishte një bisedë me mikun tim Paskuli, i cili më rekomandoi skuadrën e Dinamos. Pasi pata 2 apo 3 telefonata nga drejtuesit blu, u binda që të udhëtoja drejt Tiranës, pasi oferta 3-mujore e ardhur në drejtimin tim ishte mjaft e mirë edhe në anën financiare. Pozicioni im në fushë është ai i fantazistit. Nuk mund të flas lidhur me talentin tim, pasi është trajneri, ai që do të më vlerësojë, por unë ju garantoj diçka: flas më mirë në fushën e blertë. Jam mësuar me aventura dhe jam gati për një të re këtu në kampionatin shqiptar. Njoh historin e skuadrës blu dhe e di që këtë sezon lufton për titullin kampion, prandaj dhe jam këtu për t'i dhënë një dorë në fitimin e tij. Jam profesionist dhe do të jap maksimumin tim. Nëse do të më jepet mundësia që të luaj, do ta shpërblej presidencën blu për besimin e treguar në drejtimin tim. Stërvitja e parë ishte mjaft e mirë dhe shokët e skuadrës ishin të ngrohtë me mua. Shpresoj që të vazhdojmë në hapa të suksesshëm në të ardhmen," - deklaron për gazetën, blerja më e fundit e Dinamos, Mauricio Favio Hanuch.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›