E Shtunë, 31 Tetor 2026

Devolli: Me Besën luajmë gjithë sezonin

Nga SOKRAT PAPADHOPULLI

Flasin timonierët e Luftëtarit për duelin epik me kavajasit, ku do të kërkojnë vetëm fitoren për të mbajtur kreun

Në stadiumin Gjirokastra luhet sot kryendeshja e kësaj jave. Përplasen dy nga ekipet me mjaft tradita në futbollin tonë, Luftëtari dhe Besa, që aktualisht renditen në vend të parë dhe të tretë, pra pretendentë kryesorë për në superligë. Ata ndodhen përkatësisht në kuotën e 53 dhe 48 pikëve, ku midis kanë forcën e re, Kukësin,  me 50 pikë dhe aq të uritur për sukses sa edhe vetë ata.

Luftëtari dhe Besa kanë futbollistë me kualitet dhe njohës të njëri-tjetrit, siç është fjala vjen golashënuesi më i mirë i gjirokastritëve, Arlind Nora, i cili sezonin e kaluar luante me fanellën e Besës. Praktikisht, çdo gjë arrihet me luftë sportive në fushën e blertë, veçanërisht në rast se gjykimi është i paanshëm. Luftëtari ka ndihmën e mureve të shtëpisë, por edhe kjo, nëse nuk shoqërohet me grintë dhe agresivitet sportiv në të gjithë sektorët e fushës, nuk jep efekt.

Devolli Kapiteni  i Luftëtarit, Bledar Devolli, thekson se në ndeshjen e sotme luhet fati i gjithë sezonit: Në Burrel të paktën prodhuam  lojë futbolli dhe krijuam raste, por nuk patëm fat, ashtu si dhe në Lushnjë. Shpresoj që kjo gjë nuk do të vazhdojë të ndodhë. Them se nuk është diçka alaramnte, sepse, sipas meje, në Burrel edhe mund të fitonim.

Ndeshja e nesërme (e sotme) me Besën është e barabartë me një sezon për ekipin tonë. Duhet të fitojmë 3 pikët në radhë të parë, por edhe të luajmë me nivel. Kam besim te grupi që do luajë dhe u bëj thirrje tifozëve gjirokastritë që të vijnë sa më shumë. Do ti kërkoja kryebashkiakut Flamur Bime të urdhërojë hapjen e portave të stadiumit, që tifozët të hyjnë këtë radhë pa biletë.

Është ndeshja më e rëndësishme për Luftëtarin, që ka bërë punë intensive që në fillim të sezonit dhe kjo nuk duhet të shkojë dëm. Në këtë ndeshje nuk ka rëndësi kush luan, por ka rëndësi që ata që do të jenë në fushë të jenë të mobilizuar maksimalisht për të siguruar 3-pikëshin.

Novi Neritan Novi, ndihmëstrajneri i Luftëtarit, i cili ka veshur edhe fanellën e Besës, tha: Besa të vijë në Gjirokastër, ku do ta mirëpresin për të luajtur futboll dhe jo për të blerë lojtarë nga tanët.

Dede Kurse trajneri Nevil Dede tha një fjali të vetme për ndeshjen e sotme: Në lojë do të fusim 11 punëtorë fushe dhe do ta mposhtim  Besën.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›