E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndikimi i Messit

Në mesin e kandidatëve të 100 personazheve më me ndikim në botë, sipas magazinës prestigjioze Time, gjendet emri i vetëm një futbollisti. Ai është ylli i Barcelonës, Lionel Messi. Argjentinasi veçohet për sukseset e tij personale dhe titujt e fituar me gjigantin katalan dhe gjendet në grupin e gjerë të kandidatëve, përfshirë Barack Obaman dhe Mark Zuckerbergun.

Së bashku me Barack Obaman, Lady Gagan dhe Mark Zuckerbergun është edhe Lionel Messin në mesin e kandidatëve për të hyrë në listën e 100 personazheve më me ndikim në botë.

Messi, aktualisht futbollisti më i mirë në botë, është ai për të cilin të gjithë kanë dëshirë të shohin një ndeshje futbolli sepse vetë ai është futbolli. Ylli argjentinas shënon vazhdimisht, kurse lë shembull të mirë për të përcjellë në fushë dhe jashtë saj.

Flasim për dikë që pavarësisht moshës 24 vjeç, ka fituar tre Topa të Artë me radhë dhe mbi një milion herë është krahasuar me bashkëkombësin e tij, legjendën e futbollit dhe njërin prej lojtarëve më të mirë në histori, Diego Maradona.

Me sukseset e tij personale dhe titujt e shumtë të fituar me Barcelonën, Messi renditet në një grup të gjerë të personazheve të njohura dhe me ndikim, përfshirë presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, këngëtaren Lady Gaga dhe themeluesin e rrjetit social, Mark Zuckerberg.

Ylli argjentinas është në mesin e kandidatëve për një vend në listën e 100 personazheve më me ndikim në botë për vitin 2012, që çdo vit publikohet nga magazina Time. Përzgjedhja përfundimtare do të publikohet më 17 prill, kurse Messi del të jetë i vetmi futbollist në mesin e kandidatëve.

Për më tepër, magazina e famshme ka shpjeguar përfshirjen e Messit në mesin e kandidatëve.

“Ishte e pamundur të mos konsiderohej një futbollist, i cili vazhdon të thyejë rekord pas rekordi, më i riu më 20 mars, kur shënoi het-trikun e tij të 18-të në karrierë, që e bëri golashënuesin më të mirë në histori të Barcelonës. Krejt kjo, rreth dy javë pasi u bë futbollisti i parë i cili shënoi pesë gola në një ndeshje të Ligës së Kampionëve”, shkroi Time me një porosi të qartë për legjendën braziliane Pele. “Kujdes, Pele! Messi mund të bëhet futbollisti më i mirë i të gjitha kohërave”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›