Kukësi, më shumë frikë nga aleancat se nga kundërshtari
Pas humbjes së Luftëtarit në Burrel, në Kukës po flitet gjithmonë e më tepër për një ekip kampion
Drejtuesit e Kukësit, por edhe futbollistët e tij, më shumë po u kushtojnë vëmendje aleancave të rivalëve se ndeshjes me kundërshtarët në fushë. Madje, ata po tregohen të kujdesshëm edhe në deklaratat e tyre, ku slogani tashmë është i pandryshueshëm: Respektojmë kundërshtarin dhe lojën e tij.
Të njëjtën gjë pohojnë drejtuesit kuksianë edhe për ndeshjen me Mamurrasin, që do të zhvillohet sot në fushën e tij. Ndoshta në këtë fazë të kampionatit vëmendja përqendrohet më shumë tek aleancat që mund të thuren. Kjo u pa edhe në takimin me Elbasanin, ku trajneri File nxori nga fusha lojtarin më të mirë, Tafanin, i cili shënoi edhe golin e barazimit.
Megjithatë, pavarësisht deklarimeve për respekt ndaj kundërshtarit, Kukësi nuk pranon asnjë rezultat tjetër me Mamurrasin, përveç fitores, pasi një pikë nuk do ti vlente aspak. Në këtë ndeshje do të mungojë mesfushori Jevdeviç, për shkak dëmtimi, por kuksianët janë të bindur në fitoren e radhës, ashtu siç janë të bindur se nuk do të humbasin pikë të paktën deri në tri ndeshjet e fundit, që do të jenë finale të vërteta për ta.
Berberi Kukësi ka avantazhin që deri në ndeshjen me Besëlidhjen dhe më pas me Luftëtarin dhe Lushnjën, mund të shkojë pa humbur asnjë pikë,- shprehet trajneri Shahin Berberi. Kjo na mban lart moralisht. Kuksianët do të luajnë në Mamurras, por do të jenë me kufje në vesh për të mësuar çfarë bëhet në Gjirokastër, ku Luftëtari pret Besën.
Drejtuesit e ekipit kuksian janë të mendimit se kalendari i favorizon. Madje, pas humbje së Luftëtarit në Burrel po diskutohet për një Kukës kampion të kategorisë së parë. Para se të ndeshet me Besëlidhjen në Lezhë, me Luftëtarin në Kukës dhe me Lushjën në Roza Haxhiu, Kukësi do të luajë në transfertë me Mamurrasin, dhe më pas me Himarën, ndërkohë që do të presë Skraparin dhe Vlorën. Pra, të gjitha këto ndeshje kuksianët i llogarisin të fituara, por edhe shpresojnë te përplasjet dhe hapat falsë të rivalëve.
