Dhanë 200 pensione false, katër zyrtarë në pranga
TIRANË- “Dosja e Hapur” çon në qeli katër zyrtarë, u dhanë pensione false 200 personave. Antikrimi ekonomik-financiar pranë policisë së Tiranës ka organizuar ditën e djeshme një operacion i cili u finalizua me ndalimin e katër zyrtarëve pasi jepnin pensione false kundrejt një shume parash. Fatbardha Sela, 57-vjeçe, ish-Përgjegjëse e Zyrës së Sigurimeve Shoqërore në Tiranë, aktualisht me detyrë Specialiste pranë Institutit të Kujdesit Shëndetësore Tiranë, Flora Ceka, 41- vjeçe, ish-Inspektore e Verifikimit të Pensioneve në Institutin e Sigurimeve Shoqërore Tiranë, aktualisht me detyrë ekonomiste pranë një firme private, Zija Mema, 70-vjeç, ish- Inspektor pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Tiranë si dhe Agim Mema, 57-vjeç, ish-Kryetari i degës së Kuadrit në Minierën e Mushqetasë, aktualisht me detyrë punonjës i Albminieres pranë Ministrisë së Ekonomisë dhe funksionar pranë Sindikatës së Minatorëve janë katër të ndaluarit pasi akuzohet për veprat penale të “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorim detyre”, e “falsifikim dokumentesh në bashkëpunim më shumë se një herë”.
Hetimi
Pas sulmeve me pranga të disa ish-zyrtarëve pak muaj më parë të cilët pajisnin persona të ndryshëm me pensione false, policia e kryeqytetit ka vazhduar edhe më tej hetimet. Kështu prej disa ditësh antikrimi ekonomik-financiar ka zbuluar një tjetër mashtrim me skemën e pensioneve kësaj radhe të kryer nga të tjerë ish-zyrtarë. Informacionet e siguruara në rrugë operative detyruan policinë të hetojë katër personat e dyshuar me qëllim zbardhjen e formulimit të skemës së pensioneve false e realizuar prej tyre. Burime nga policia e Tiranës thanë se katër personat në bashkëpunim me njëri-tjetrin, të favorizuar nga detyra e tyre dyshohet se u lidhnin pension sikur ishin punësuar pranë Minierës së Mushqetës, kundrejt shumave të parave prej 150 000 lekë për çdo person.
Operacioni
Pas informacioneve për abuzimet që kanë kryer katër zyrtarët në kohë të ndryshme policia e Tiranës nisi hetimet ndërsa mëngjesin e djeshëm organizoi një operacion duke ndaluar ata. Burime nga policia thanë se Sela, Ceka, Mema, dhe 70-vjeçari Mema, dyshohet se në bashkëpunim me njëri- tjetrin kanë kryer veprime të kundërligjshme, pasi duke qenë në funksione shtetërore, kanë prodhuar skema të nxjerrjes në pension të parakohshëm të shtetasve të ndryshëm, me dokumente të falsifikuar. Të njëjtat burime shtuan se dyshohet të jenë rreth 200 persona të cilët janë pajisur me pensione false kundrejt një ryshfeti. “Vazhdon puna për thellimin e mëtejshëm të hetimeve apo identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet e përpiluara për arrestimin e personave do t’i kalojnë për kompetencë Njësisë së Përbashkët Hetimore Kundër Krimit Financiar dhe Korrupsionit në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë” thuhej në deklaratën për shtyp lëshuar ditën e djeshme nga policia e kryeqytetit.
Të ndaluarit
Fatbardha Sela, 57-vjeçe, lindur në Dibër dhe banuese në Tiranë, ish-Përgjegjëse e Zyrës së Sigurimeve Shoqërore në Tiranë, aktualisht me detyrë Specialiste pranë Institutit të Kujdesit Shëndetësore Tiranë.
Flora Ceka, 41-vjeçe, lindur e banuese në Tiranë, ish-Inspektore e Verifikimit të Pensioneve në Institutin e Sigurimeve Shoqërore Tiranë, aktualisht me detyrë ekonomiste pranë një firme private.
Zija Mema, 70-vjeç, lindur e banues në Sauk Tiranë, ish-Inspektor pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Tiranë.
Agim Mema, 57-vjeç, banues në Laprakë Tiranë, ish-Kryetari i degës së Kuadrit në Minierën e Mushqetase, aktualisht me detyrë punonjës i Albminieres pranë Ministrisë së Ekonomisë dhe funksionar pranë Sindikatës së Minatorëve.