Vlorë, gjendet 14- vjeçari i zhdukur në Durrës
VLORË- Policia e Vlorës ka gjetur pasditen e djeshme adoleshentin që ishte zhdukur disa ditë më parë nga qyteti i Durrësit. Ka qenë një telefonatë e mbërritur në policinë e Vlorës, nga një qytetar, i cili ka dhënë i pari sinjalin për adoleshentin. Qytetari ka njoftuar blutë e Vlorës se ka parë djalin pranë tregut në qendër të qytetit, pranë postës qendrore. Menjëherë efektivat e policisë kanë dërguar punonjës pranë zonës së njoftuar se gjendej fëmija. Pasi kanë bërë verifikimet e duhura si dhe kanë identifikuar se bëhej fjalë pikërisht për 14-vjeçarin nga qyteti tjetër bregdetar, ata e kanë shoqëruar djalin drejt ambienteve të drejtorisë së policisë. Pasi kanë vlerësuar gjendjen e tij, ata kanë intervistuar fëmijën. Burime nga policia e Vlorës bëjnë me dije se i pyetur për largimin e tij, djali ka shpjeguar se ishte akuzuar për vjedhjen e një celulari, të cilën nuk e kishte bërë. Duke qenë nën një presion të tillë, djali ka treguar se ka lënë dhe një letër për prindërit ku u shpjegonte se ishte i padëshirueshëm për ta. Paralelisht me këto veprime, efektivët kanë njoftuar edhe familjarët e djalit, të cilët kanë mbërritur në qytetin e Vlorës për të marrë 14-vjeçarin.