Letra e Loshajt: Kam frikë të dëshmoj në Tiranë
TIRANË- Në kohën kur pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda në kryeqytet po zhvillohet procesi gjyqësor ndaj tre ish-drejtuesve të lartë të SHIK-ut për rrëmbimin e shoqëruar me torturë ndaj shtetasve Ziso Kristopuli, Remzi Hoxha dhe Avdyl Loshaj, ky i fundit ka dërguar një letër në prokurori, duke konfirmuar mos ardhjen e tij në cilësinë e dëshmitarit në gjykatë. Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare pranë Prokurorisë së Përgjithshme, të cilët shtuan se në letrën e adresuar në emër të prokurorit të çështjes Xhevat Hana, viktima e SHIK-ut Avdyl Loshaj, jep shpjegimet e mos pranimit të ftesës së prokurorisë për të ardhur e dëshmuar në Gjykatë në cilësinë e viktimës. “Z. Prokuror, unë Avdyl Loshaj që ndodhem me banim në Amsterdam të Holandës në lagjen.... dhe që në vitin 1995 kam qenë viktimë e SHIK-ut që ju po gjykoni në Tiranë, kam frikë të vij në Shqipëri për të rrëfyer para gjykatës vuajtjet e mia të atyre 20 ditëve në duart e SHIK-ut. Nuk ndihem i sigurt po të vij në Tiranë, pasi po ata që më rrëmbyen dhe më torturuan për 20 ditë në qelitë e SHIK-ut, janë sot në pushtet”,- thuhet ndër të tjera në letrën elektronike të ardhur në adresë të prokurorit Hana.
Sipas këtyre burimeve, Loshaj, i cili tashmë është i martuar dhe ka tre fëmijë, jeton në Holandë. Ai ka shprehur dëshirën për të dëshmuar dhe rrëfyer para gjykatës të gjitha vuajtjet dhe pasojat e rrëmbimit, por me një kusht që kjo dëshmi të bëhet jashtë territorit shqiptar. “Unë jam i gatshëm të dëshmoj para gjyqtarëve, kundër të gjithë atyre personave që më rrëmbyen dhe më rrahën për 20 ditë, por jo brenda territorit shqiptar pasi ndihem i kërcënuar. Jam i gatshëm për të treguar të gjitha që kërkoni, dhe ju ftoj juve prokuror, që bashkë me gjyqtarët dhe avokatët e atyre që më rrahën, të vini dhe të më pyesni këtu në Holandë brenda ambientit të Ambasadës shqiptare duke respektuar ligjet e vendit tuaj”,- thuhet në letrën e shkruar me shkrim dore, por që është skanuar dhe dërguar në mënyrë elektronike për të hedhur poshtë çdo dyshim të vërtetësisë së kësaj letre.
Gjithashtu, Loshaj në letrën e tij i kujton prokurorisë së Krimeve të Rënda se edhe në territorin e Kosovës nuk ndihet i sigurt për të ardhur dhe dëshmuar, duke përjashtuar këtu edhe territorin e Ambasadës shqiptare që ndodhet në Prishtinë. Ndërkohë, përveç ftesës për të shkuar në Holandë dhe marrë në pyetje, Loshaj është shprehur i gatshëm që të japë shpjegime me anë të video-konferencës. Ndërkaq, po këto burime nënvizuan se viktima Avdyl Loshaj është marrë në pyetje dy herë nga organi i akuzës dhe njëherë nga familjarët e Remzi Hoxhës në Kosovë dhe njëherë në Holandë. Mësohet se dëshmitë e kosovarit Avdyl Loshaj janë dhënë për Prokurorinë e Krimeve të Rënda në vitin 2003 dhe 2006. Sipas prokurorisë, këto dëshmi të Loshajt, janë pjesë të fashikullit për gjykim dhe do të administrohen si prova në proces nëse nuk pyetet vetë dëshmitari dhe viktima e dhunës. “Të gjitha procesverbalet e dëshmisë së shtetasit Avdyl Loshaj janë pjesë e dosjes hetimore dhe i janë dorëzuar gjykatës, por, trupi gjykues sipas procedurës ligjore, duhet të thërrasë si dëshmitar në gjyq viktimën Loshaj. Nëse ky dëshmitar nuk mund të paraqitet fizikisht në gjykatë, atëherë Gjykata e Krimeve të Rënda organizon trupin gjykues bashkë me prokurorin e çështjes dhe avokatëve mbrojtës që të shkojnë vetë në Holandë dhe ta marrin në pyetje, ose nëpërmjet letër-porosisë për pyetjen e tij me video-konferencë”,-thanë burimet pranë Prokurorisë së Përgjithshme.
RRËMBIMI
Rrëmbimi teksa ishte me të fejuarën, tentativa për vetëvrasje dhe dhuna e ushtruar në SHIK-n e Tiranës
Si u morr peng Avdyl Loshaj në vitin 1995
TIRANË- Ka qenë fundi i muajit shtator 1995, kur në një lokal pranë Qytetit Studenti në Tiranë, shtetasi Avdyl Loshaj po pinte kafe me të fejuarën e tij, ku është rrëmbyer me makinë nga tre persona të prezantuar si punonjës të SHIK-ut. Pas këtij rrëmbimi, sipas prokurorisë, Loshaj është dërguar në ambientet e drejtorisë së SHIK-ut në Tiranë, që ndodheshin në katin e tretë të ndërtesës së Drejtorisë së Policisë Qarkut Tiranë sot. Aty është mbajtur i izoluar për disa ditë, pa asnjë lloj akti ligjor. Rezulton e provuar, sipas prokurorisë, se gjatë këtyre ditëve, Loshaj është marrë në pyetje vazhdimisht, ku i janë kërkuar shpjegime, sqarime dhe deklarime lidhur me “aktivitetin e tij kriminal” në Shqipëri, të kryer në bashkëpunim me persona të tjerë, me të cilët ky njihej apo shoqërohej. Për ta detyruar që ai të deklaronte për sa më sipër, e kanë keqtrajtuar dhe torturuar në mënyrë të vazhdueshme, ku paraprakisht e kanë lidhur. Duke mos i duruar dhe përballuar keqtrajtimet dhe torturat fizike e psikike, shtetasi Avdyl Loshaj ka vendosur t’i japë fund jetës. Këtë veprim e ka kryer ditën, në prani të shumë personave, duke u hedhur nga dritarja e banjës së katit të tretë, në momentin që është dërguar aty për nevoja personale dhe ka rënë në oborrin e kësaj ndërtese, ngjarje kjo të cilën e kanë parë dhe deklaruar shumë persona. Është dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak, ku sipas deklarimeve të të dëmtuarit, i kanë vendosur këmbën e majtë në allçi, pasi e kishte të thyer në katër vende. Ndërkohë, gjatë marrjes në pyetje agjentët e SHIK-ut kanë “siguruar” me përdorim torture, deklarime nga i dëmtuari Avdyl Loshaj, se ai në bashkëpunim me shtetasit Ziso Kristopulli dhe Remzi Hoxha kishin kryer aktivitet të përbashkët armiqësor kundër Republikës së Shqipërisë, që ka bërë shkak që SHIK-u i asaj kohe të organizoi dhe realizoi rrëmbimin edhe të këtyre dy shtetasve.
Kristopuli pranoi gjithçka nga dhuna
TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda ka provuar se me datë 18 tetor 1995, është rrëmbyer shtetasi Ziso Kristopulli në Ksamil, nga personat që janë prezantuar si punonjës të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Pavarësisht kundërshtimit të Kristopulit, ai është marrë dhe është futur në makinë e brenda ditës është dërguar nga Ksamili në Tiranë dhe më pas në Vain të rrethit Lezhë, duke i vënë gjatë rrugës maskë në fytyrë për të mos parë se ku po e dërgonin. Rezulton e provuar se në bazën e mësipërme, shtetasin Kristopuli, e kanë lidhur me tel pas krevatit dhe e kanë torturuar në mënyrë çnjerëzore për disa ditë, duke e goditur me shkop druri tek shputat e këmbëve me qëllim që të pranonte me çdo kusht, se ishte vënë në shërbim të agjenturave të huaja dhe se në bashkëpunim me persona të tjerë (Avdyl Loshaj dhe Remzi Hoxhën) kishin sjellë nga jashtë armë të llojeve të ndryshme. Duke mos qenë në gjendje t’u rezistonte torturave të mëtejshme, fizike dhe psikike, dhe i frikësuar nga kanosjet serioze se nuk do të dilte i gjallë andej në rast se nuk do të shkruante, ka pranuar të shkruajë ato që i kërkoheshin dhe ashtu si i kërkoheshin, duke ngarkuar dhe fajësuar padrejtësisht veten e tij, si dhe personat e tjerë.
Rrëmbimi i Remzi Hoxhës nga makina e SHIK-ut
TIRANË- Personi i tretë i rrëmbyer nga SHIK-u në vitin 1995 dhe që ende nuk dihet fati i tij, ishte Remzi Hoxha. Ai kishte ardhur në Shqipëri në vitin 1994 duke hapur një aktivitet privat; një punishte për prodhime dyersh dhe dritaresh duralumini në të cilën ishin të punësuar 10 punëtorë dhe specialistë, firmë e miratuar me vendim gjykate dhe mbante emrin “Albatros”. Ai është rrëmbyer në qendrën e punës nga persona të armatosur në datën 21 tetor 1995, rreth orës 13.30 dhe pasi është lidhur me pranga dhe maskuar në fytyrë, është dërguar edhe ky në Vain të rrethit Lezhë. Për kryerjen e këtij rrëmbimi janë përdorur tre makina, të tipave të ndryshme, njëra prej të cilave kishte të vendosura targat “TR 2449 C”. Nga verifikimi i kryer nga Drejtoria e Policisë Rrugore Tiranë ka rezultuar se targa “TR2449 C”, ishte tërhequr nga Drejtoria e SHIK-ut, për nevoja operative në muajin mars 1995. Tek kjo e fundit, sipas dokumenteve të administruara në dosje janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale dokumente të cilat vërtetonin se targa “TR 2449 C” ishte tërhequr nga SHIK-u zyrtarisht dhe se i përkiste këtij shërbimi dhe konkretisht: Mandat Arkëtimi nr. 380, datë 20.03.95, me nr. serie 18886, me të cilin dokumentohej marrja e tre targave dhe pagimi nga DSHI Tiranë, i shumës 3930 lekë, midis të cilave edhe targa TR 2449 C. F.Vezaj
PROVA
Mungon urdhri i shkruar
Rrëmbimi i Remzi Hoxhës, Avdyl Loshajt dhe Ziso Kristopulit nuk është bërë me urdhër të shkruar dhe nuk ka asnjë gjurmë zyrtare të vendit se ku janë dërguar dhe se çfarë është bërë më tej me ta në arkivin e SHIK-ut, konfirmon prokuroria pas hetimeve disa vjeçare të kësaj dosje. Vetë ky fakt duhet të konsiderohet si një mungesë shumë e rëndë, sepse u jep mundësi atyre që kryen aktin e privimit të lirisë të fshehin pjesëmarrjen e tyre në krim, të ngatërrojnë gjurmët dhe t’i shmangen përgjegjësisë për sa i përket fatit të të rrëmbyerit Remzi Hoxha. Gjithashtu, agjentët e SHIK-ut kanë harruar të zhdukin mandat pagesat e shërbimeve që kanë kryer në momentet e rrëmbimit dhe më pas shoqërimit të Hoxhës, Loshajt dhe Krisopulit, duke u bërë një nga provat kryesore të akuzës këto dokument. REMZI HOXHA
Ai është rrëmbyer në qendrën e punës nga persona të armatosur në datën 21 tetor 1995, rreth orës 13.30 dhe pasi është lidhur me pranga dhe maskuar në fytyrë, është dërguar edhe ky në Vain të rrethit Lezhë. Për kryerjen e këtij rrëmbimi janë përdorur tre makina, të tipave të ndryshme, njëra prej të cilave kishte të vendosura targat TR 2449 C.
ZISO KRISTOPULLI
Rrëmbimi i tij është realizuar në qytetin e Ksamilit, ku personat që e kanë rrëmbyer i janë prezantuar si punonjës të Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe pavarësisht kundërshtimit të tij, është marrë dhe është futur në makinë e brenda ditës është dërguar në Vain të rrethit Lezhë, duke i vënë gjatë rrugës maskë në fytyrë për të mos parë se ku po e dërgonin.