E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhanë lekë për marrjen e provimit, nën hetim 2 studentet e Infermierisë

KORÇË - Dhanë lekë për të marrë një provim në degën e Infermierisë, nën hetim dy studente të Universitetit "Fan Noli" të Korçës. Pas katër muaj hetimesh intensive, policia dhe Prokuroria e Korçës kanë mundur të zbardhin plotësisht ngjarjen e ndodhur më 5 qershor të këtij viti, kur disa studentë denoncuan për ryshfet pedagogen e Infermierisë, Elda Panariti (Nuni). Nga hetimet e kryera ka rezultuar se nuk ishte pedagogia që u kishte kërkuar lekë studentëve dhe se gjithçka ishte lojë e dy prej tyre. Bëhet fjalë për studenten 20-vjeçare E. Lici nga fshati Porçan i rrethit të Gramshit dhe K. Beqiri, 20 vjeç nga fshati Rrëmbec i Korçës. Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se dy studentet e vitit të parë kanë çuar në shtëpinë e pedagoges së tyre, Elda Panariti një zarf, brenda të cilit gjendeshin gjeneralitetet e tyre dhe një shumë prej 4 mijë lekësh. 

Qëllimi i tyre ishte marrja e provimit të histologjisë, lëndë e cila jepej nga Panariti, dhe studentet kishin vështirësi për marrjen e provimit për shkak të vështirësisë së lëndës. Dy studentet në fjalë akuzohen për "Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike". Ngjarja zë fill në muajin qershor të këtij viti, kur studentet e Universitetit "Fan Noli" në Korçë ishin në sezon provimesh. Sipas burimeve policore, më 5 qershor, një ditë para provimit, dy studentet e Fakultetit të Infermierisë, duke pretenduar se do të korruptonin pedagogen Elda Panariti kanë shkuar në banesën e saj. Pavarësisht se pedagogia nuk ka qënë në banesë, studentet ia kanë lënë zarfin me lekë nënës së saj të moshuar dhe janë larguar. Më pas studentët denoncuan 45- vjeçaren, ndaj policia dhe prokuroria nisën procedimin penal ndaj saj.
(e.m/GazetaShqiptare/BalkaWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›