E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhe kampioni është...

Botërori afrikanojugor ul sot siparin me finalen e madhe. Pas një muaji të mbushur me emocione, Holanda dhe Spanja do të luajnë ndeshjen e fundit në gjigandin “Soccer City” të kryeqytetit Johanesburg. Nga specialistët është konsideruar triumfi i lojës së bukur ndaj asaj skematike, pasi si tulipanët ashtu edhe kampionët e Europës, kanë shfaqur futbollin më spektakolar.

Secila prej kombëtareve ka rastin e artë të shkruajë emrin në listën e artë të fituesve të mëparshëm: Uruguaj, Italia, Gjermania, Brazili, Anglia, Argjentina dhe Franca. Por fati e do që për njërën prej tyre ky të jetë një rast i humbur. Kjo është e dhjeta përballje mes këtyre ekipeve dhe gjithçka është në barazpeshë: katër herë kanë triumfuar portokallinjtë, po kaq spanjollët kurse një sfidë ka përfunduar në barazim.

Rrugëtimi i holandezëve, finalistë në ’74-ën dhe ’78-ën, në Afrikën e Jugut, nuk mund të kishte qenë më mbresëlënës: gjashtë fitore në po kaq ndeshje, me 12 gola të shënuar dhe pesë të pësuar. Kurse skuadra e Del Boskes ka shënuar pesë fitore radhazi pas humbjes të papritur në ndeshjen e parë përballë Zvicrës. “Tërbimi i kuq” është treguar më racional në sulm (shtatë gola të shënuar), por i pathyeshëm në mbrojtje (vetëm dy të pësuar).

Kjo finale është historike, pasi prej saj, për të parën herë në historinë e Kupës së Botës, do të dalë fitues një ekip europian në botërorin e zhvilluar jashtë kontinentit të vjetër. Sfida brenda sfidës do të jetë ajo mes Uezli Shnajderit dhe David Vilës. Të dy kanë shfaqur formë të jashtëzakonshme deri tani dhe kryesojnë listën e golashënuesve me pesë gola (së bashku me Mylerin e Gjermanisë dhe Forlanin e Uruguajit).

Holandë – Spanjë, formacionet e mundshme:

Holanda (4-2-3-1): Stekelenburg; Boulahrouz, Heitinga, Mathijsen, Van Bronckhorst; Van Bommel, De Jong; Robben, Sneijder, Kuyt; Van Persie). (Boschker, Vorm, Ooijer, Braafheid, Schaars, Afellay, Elia, Babel, Huntelaar). Trajner: Bert Van Marvijk

Spanja (4-3-2-1): Casillas; S. Ramos, Puyol, Piqué, Capdevila; Busquets, Xavi, Xabi Alonso; Pedro, Iniesta; Villa. (Reina, Valdes, Albiol, Fabregas, Mata, Arbeloa, Llorente, Javi Martinez, Silva, Navas).Trajner: Vincente Del Bosque

Gjyqtar: Hauard Ueb (Angli)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›