E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhe mijëra vjet së bashku në festën kuq e zi!

28-11-2012 / Nga Odise Plaku

Përgjatë këtyre ditëve urimet e shumta të njerëzve me të cilët takohesha, shkëmbehesha, përshëndetesha përcillnin të njëjtin mesazh dhe pse të formuluara në forma nga më të ndryshme “Gëzuar festën!”, “Ta gëzojmë pavarësinë”, “Dhe mijëra vjet në festë kuq e zi!”
Janë urime që burojnë nga shpirti i çdo njeri pavarësisht pozitës së tij shoqërore. Janë të ardhura sa nga miqtë e shokët që jetojnë në Tiranë, Durrës, Shkodër, Vlorë a Fier, por edhe nga miqtë e mi të Kosovës, Malit të Zi e pse jo deri nga Amerika e Kanadaja.
Çdo njeri prej nesh që në deje i rrjedh gjak shqiptari, vetvetiu si nga një shtysë e brendshme uron e përshëndet ngrohtësisht në këtë  100 vjetor të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Askush nuk mund ta ketë parashikuar me saktësi se çfarë përmasash do të merrte pikërisht kremtimi i ditës së njëzetë e tetë të nëntorit të këtij viti. Shqipëria mbush plot një shekull që nga dita kur me në krye plakun e mençur dhe patriotin e devotshëm Ismail Qemal Bej Vlorën, patriotët e zjarrtë të çështjes kombëtare, do të firmosnin njëherë e përgjithmonë pavarësinë e saj. E parashikuar si një festë zyrtare, në realitet përmasat e saj kaluan çdo parashikim.  Ajo u shndërruar një festë mbarëkombëtare në çdo skaj të rruzullit tokësor, përfshiu çdo grup moshë nga fëmija e deri tek plaku flokëbardhë. Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe, sepse një komb i tërë për vite e vite me radhë ka qenë i përkushtuar duke sakrifikuar çdo gjë të shenjtë të tij me qëllimin madhor që flamuri ynë kombëtar kuq e zi, me shqiponjën dykrenore të valëvitej i lirë dhe krenar në ajërin e pastër, në qiellin e kaltër të lirisë. Nëse hedhim sytë në historinë e gjatë mijëravjeçare të kombit tonë me krenari të ligjshme dhe plot mburrje themi se përveç lirisë dhe pavarësisë sonë, askujt nuk i kemi kërkuar asgjë dhe nuk i kemi cënuar kurrgjë. Ne historikisht jemi lindur, rritur, kemi gëzuar qar e qeshur vetëm në tokën tonë, në vatrën tonë. Historia nuk ka asnjë gërmë që mund të na ndëshkojë, përkundrazi ajo na ka ndëshkuar padrejtësisht duke na copëtuar, përgjakur , përflakur e djegur, por kurrë gjunjëzuar. Vuajtjet, hallet, tradhtitë dhe pabesitë e bëra mbi trupin tonë nuk e kanë gjunjëzuar shqiptarin dhe çështjen e shpitarizmës, përkundrazi na kanë bërë më të fortë, më luftarakë, sepse kemi luftuar dhe derdhur gjak veç për një të drejtë tonë, për të qenë të lirë dhe të pavarur.
Shqiptarët dhe sot në këtë 100 vjetor të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë treguan dhe dëshmuan se sa afër, pranë dhe bashkërisht janë me njeri –tjetrin. Ata dëshmuan se “Një komb, një qëndrim” nuk është më një fjalë e hedhur në ajër, një togfjalësh i shkruar në letër. Përkundrazi, ata dëshmojë sot se kuq e zi është në çdo trojë që lashtësia e ka quajtur me emrin e vendit të shqiponjave. E pra, në këto troje të shqiponjave më shumë se asnjëherë tjetër u festua dhe gëzua, u urua dhe u projektua akoma më e qartë e ardhmja e shqiptarëve:pranë njeri tjetrit, të bashkuar si një trup i vetëm. Sado ta mohojnë, të kundërshtojnë, të ngrenë rezoluta dhe peticione askush nuk mund ta ndajë dhe ta mohojë gjakun e përbashkët që rrjedh në dejet e shqiptarëve që në këtë 100 vjetor u bënë më të bukur në shpirtin e tyre. Por ky 100 vjetor është një mësim akoma më i madh për të gjitha ata që janë në krye dhe bëjnë politikën e madhe për ta dashur akoma më shumë çështjen kombëtare, për të qenë më të qartë dhe më të kthjellët në vendimmarrjen e tyre, për të punuar në çdo minutë dhe orë te jetës së tyre për këta njerëz që flamurin kuqi e zi e bënë dekorim më të bukur të jetës së tyre, të familjes së tyre. Fillim shekulli i ri padyshim që do të kërkojë më shumë përkushtim, sipërmarrje nga të gjithë për të çuar deri në fund amanetin e të parëve tanë, të patriotëve dhe burrave të shtetit me të cilët ky komb ende vazhdon të mburret dhe krenohet. Shqiptarët në këtë 100 vjetori treguan sesa shumë duan të jenë pranë njeri-tjetrit kudo që janë ata, ky fillim shekulli i ri ka projektuar një rrugë akoma më të gjerë dhe të bukur, atë të së ardhmes së një kombi të nderuar që aspiron kurdoherë përparim, zhvillim integrim për të mbajtur atë vend nderi që historia i ka shkruar me shkronja të arta. 

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›