Pritje e jashtëzakonshme e Vlorës për Kryeministrin e të gjithë shqiptarëve
Festimet për 100 vjetorin e Pavarësisë kanë kulmuar mbrëmë në Vlorë, me ardhjen e kryeministrin Sali Berisha, për të marrë pjesë në darkën zyrtare të shtruar nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Një karvan i gjatë makinash ka pritur kryeministrin në hyrje të qytetit ndërkohë që mijëra njerëz e kanë shoqëruar atë deri tek Sheshi i Flamurit
Berisha: “Nder përjetë Ismail Qemalit dhe firmëtarëve të aktit të pavarësisë së Shqipërisë etnike”
Kryeministri Sali Berisha mbërriti mbrëmë në Vlorë, për të festuar sot me qytetarët shpalljen një shekull më parë të Pavarësisë. Mes pritjes së jashtëzakonshme që i rezervuan qytetarët e shumtë ai e përjetoi me emocion të veçantë e të jashtëzakonshme pritjen që iu rezervua nga qytetarët, të cilët e shoqëruan në një pjesë të rrugës nga Levani deri në hyrje të qytetit. Pas pritjes madhështore Kryeministrit iu dorëzua dhurata e 100 vjetorit nga qytetarët e Vlorës, një pergamen ku Berisha shkroi urimin e 100 vjetorit të Pavarësisë.
Mes entuziazmit të qytetarëve, Kryeministri Berisha drejtoi një dedikim të veçantë: “Mirëmbrëma Vlora! Mirëmbrëma mbarë Shqipëria e shqiptarët kudo ku jeni! Përshëndetjet më vëllazërore nga Vlora e flamurit, Vlora e Ismail Qemal Vlorës, Vlora e pavarësisë. Mirënjohjen më të thellë për këtë pritje vëllazërore. Do të lexoj këtu, para jush, këto pak fjalë që shkrova në këtë pergamenë: ‘Vlorës, qytetarëve të saj, Ismail Qemal Vlorës e burrave të tjerë të kombit, që shpallën në këtë qytet të përjetshëm, në 28 nëntor të viti 1912, pavarësinë e Shqipërisë, pavarësinë e Shqipërisë etnike, Shqipërisë së të gjitha trojeve shqiptare nga Preveza në Preshevë, nga Shkupi në Podgoricë. Nder përjetë babait të pavarësisë së Shqipërisë Ismail Qemal Vlorës, burrave që firmosën aktin e pavarësisë, qytetarëve të Vlorës e të mbarë Shqipërisë! Gëzuar 100 vjetorin!’”.
Ky dedikim i Kryeministrit Berisha, i shkruar në pergamenë, do të vendoset e ruhet në Muzeun e Pavarësisë në Vlorë.
Në vijim, Kryeministri Berisha dhe zonja Liri Berisha, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, personalitete të larta të vendit, nga trevat shqiptare dhe të huaj ndoqën koncertin festiv në sheshin e Flamurit në Vlorë, për 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.
Më pas, Kryeministri Berisha mori pjesë në darkën e shtuar nga Kryetarja e Kuvendit, për të ftuarit.