Dhetë vjet burg në Shqipni
U kam dhânë këtyre shenimeve titullin: Dhetë vjet burg në Shqipni. Me thânë të drejtën, këta dhetë vjet qenë për mue nji shkollë e vërtetë. Qenë për mue nji ushtrim i rândë, sigurisht; por mendoj se përfitimet e rrjedhura, asnjë universitet, madje as kishtár, nuk kishte mujtë me m’i dhânë në nji mënyrë kaq bindse. Mësimet e dhânuna nga aj sistem, nuk ishin teorike ase të thjeshta në formula abstrakte, por si nji orientim qi informon në çdo nivel jetën e nji vendi e qi kushtëzon qenjen e çdo personi njerzuer, tue përkulë gjithçka e të gjith me nji logjikë të hekurt bindjeje. Vetëm se, për hir të Zotit, un dola me nji botëkuptim krejt të rí. Mbi të gjitha janë trí sende qi kam mësue në ket shkollë e po due me i rradhue thjeshtë këtu në mënyrë qi të sherbejnë si nji përfundim i kësaj përvoje sime.
1) Kam nxânë me e njoftë mâ mirë vetveten e me e vleftësue mâ drejt atê, pikësëpari nepërmjet ushtrimit të ndigjesës, pa e diskutue. Profesjoni im rregulltár qysh heret më ka pasë vû në ket rrugë, e arsyetimet qi i pranojshem lirisht, ishin padyshim të vlefshme. Por këtu, mbas çdo urdhri, ishte nji qi i zavendsonte të gjitha: shkopi! Sa herë mendimi më shkonte te perinde ac cadaver (bindu si nji kufomë), aq i keqkuptuem e i poshtnuem, por qi Shën Injaci e propozonte si nji mjet për ndigjesën e jezuitve të tij. Kështu kam mësue me e çmue ndigjesën.
Mandej të bâmit zakon të përvujtnis: dëshira me e pá vetveten të vleftsuem e nevoja me qenë i trajtuem me krejt nderimet, për këto âsht dashtë me u ballafaque me nji realitet krejt të ndryshëm. Un vazhdimisht kam ndie tue më bërtitë: “trathtár”, “gjakpirës”, “thes m...”, ndërsa më tërhiqshin rrëshânë ndër prânga nga nji anë e qytetit në tjetrën, me zhele të ndyta e i shtymë përpara me shqelma e nji “nah! Qên bir qênit!”. Të gjitha këto ishin njifarë mësimi drejt jetës, përpara të cilit studimet e mija, formimi im, pozita ime si prift, e ndërgjegja ime e pastër s’çojshin peshë. Fjalët e Shën Injacit n’Ushtrimet Shpirtnore të tijat drejtue atij qi kapërthehet në mendim të mkateve të veta, për mue merrshin nji vështrim të rí e konkret “me pá krejt korruptimin e shemtimin tim (..) me e shikue veten si nji plagë e ulçer”.
Përveç kësaj un nxûna me e stërvitë veten për çdo ditë në mungesë të gjithçkafes e në vorfní të plotë. Un kam qenë mësue me jetue në vorfní, mbasi familjes sime i duhesh të punonte rândë për të jetue. Mirpo tash experienca e ré e vorfnís qi fillova me përjetue, mund të thom jo me knaqsí, por me durim, donte me thânë me u ushqye vetëm me bukë e minestër, me flêjtë mbi dërrasa, me u veshë me zhele e i msymë prej insekteve, me punue për orë të stërgjatuna e munduese, në kushte shpeshherë shnjerzore. I ushtruem në ket shkollë, tashti më dukesh gjithçka e mirë, e mjaftueshme, e rehatshme.
N’at librin e çmueshëm me titull Të përgjamit Jezu Krishtit, shpirti qi do me iu drejtue seriozisht jetës së brêndshme e bashkimit me Perendin, porositet me “u bâ i verbët, i pagojë e shurdh” kundrejt gjith joshjeve të kësaj jete, sepse vetëm kështu mundet njeriu me iu afrue dashtunís së thellë me Zotin. Por çdo i burgosur ase i internuem e ka nxânë mirë, madje nganjiherë tue e pague shtrêjt, me zbatue pikëpërpikë ket këshíll në jetën e përditshme. Ky ishte nji kusht për t’iu shmângë vorbullit të ngatërresave e dyshimeve të përbindshme, nga të cilat me vështirsí mundte njeriu me dalë i padamtuem. Atê qi kam nxânë me bâ për të shpëtue prej të rrahunave, tash më duket e bâj mâ lehtë e në përkim me prirjen time dhe më duket mâ shpërblyese.
Nuk mundem me lânë pa përmendë edhe nji mundsí tjetër tepër të çmueshme qi ndër ata vjet m’u ofrue, due me thânë me i përkushtue, në nji mënyrë të privilegjueme, zêmrën time të meshtarit e pushtetin e sakramendeve besimit e nevojave të gjith atyne qi vuejshin me mue. Shpesh herë në mbrëmje, tue u kthye prej punës, të grumbulluem si tufa delesh gjithmonë u paraqitte ndonji qi kërkonte priftin për t’i hapë zêmrën, shfry dufin e pajtue me Zotin. Këtyne miqve të mij - si dhe mue - gjith ato mundime, ato poshtnime, ai orizont gjithmonë i mbyllun për shpresën, në të vërtetë, na e hapën rrugën kah Perëndija.
2) Thash “edhe mue”, sepse mësimi i dytë i marrun në ket shkollë përfshin pikërisht lehtsín e ndiemjes së pranís së Zotit në çdo çast e gati në mënyrë sprovuese. Ai grimcim i çdo vlefte, më bânte ta pasqyroj veten në dritën e vërtetë të qenjes sime. Ishte nji ndiesí aq e fortë sa më shtynte ta shifshem përvujtnisht në tê pranín e Zotit e t’i dorzoheshem atij me mend e me zêmër, e sidomos kur e ndiejshem se “trupi m’ishte mekë”. Nuk dij sa herë kam përsritë psalmin 90 e pjesë t’uratve tjera liturgjike qi ende mbajshem mênd. Dij vetem se ndjeti në Zotin e kuvendimi i ngushtë më Tê, m’ishte bâ i vetvetishëm, si t’ishem tue jetue në nji kuvend të mbyllun, kushtue krejtësisht të luturave. Nuk kishem libra, por pata mujtë me shpetue me shum vështirsí kunorën e rruzares. Kjo uratë qi thojshem çdo ditë, ishte bâ burim frymëzimi të mbrendshëm, tue më shty me zbulue orë e çast pasuní të reja shpirtnore. Besoj se vjetët e kaluese në jetën rregulltare rrallë më kanë sjellë aq ngushëllime e dritë sa ato qi Perendija më bâni me shijue nën ato rrethana e të vështira.
3) Përvoja ime e fundit qi ta njifshem mâ mirë njerzimin. Kam njoftë njerz n’uniformë ushtarake, qi fyejshin e torturojshin pa pushue, njerz si ata vetë; por kam njoftë edhe njerz n’uniformë ushtarake, të kuptueshëm e gati me shtrî dorën me të ndihmue. Kam njoftë njerz besnikë e të dêjë për nderim, por kur të shtruem torturave nuk kanë qindrue; të tjerë qi s’e vlejtshin asnji pare, por kur të vûmë në provë kanë dijtë me vdekë me guxim për besimin e tyne. Kam takue njerz qi me egoizëm hajshin mësheftas gjânat e mira qi kishin, e njerz qi ndajshin bukën e gojës me ata qi s’kishin kurgjâ. Njofta njerz të cilët, për me ia bâ qejfin atij qi komandonte, u bâjshin spiûj, ase asish qi për të dalë në lirí, u përulshin tue bâ shërbime poshtnuese... Dij... Dij... por as padis as gjykoj. Përvoja e gjatë më ka mësue sidomos, me kuptue, me pasë dhimbje e me falë, të gjitha n’emën të Jezu Krishtit.
At Giacomo Gardin, “10 vjet burg në Shqipëri”