Arratisja e Rexhepit, Spanja hap dosjen e grabitjes së bankave e makinave
Arratisja e tretë e 31-vjeçarit Dritan Rexhepi tërheq vëmendjen e mediave spanjolle, që e cilësojnë bandën e tij si tmerrin e bankave dhe dyqaneve të shtrenjta. Arratisja lë në pritje Shqipërinë, Italinë dhe Spanjën
Tre vende, tre burgje, tre arratisje. Dritan Rexhepi, 31- vjeçari shqiptar, ka mundur t’i shpëtojë për herë të tretë qelisë në qytetin belg Merkplas, pranë Antverpës.
Gazeta spanjolle “El Periodico” ka shkruar mbi aktivitetin e Rexhepit në Spanjë, Itali dhe Holandë, duke e cilësuar historinë e tij të larmishme në vjedhje dhe trafik droge mes këtyre tre vendeve. Sipas gazetës spanjolle, Rexhepi nuk u burgos asnjëherë për dënimin me pesë vite burg për vjedhjen e një banke në Spanjë. Ai u arrestua më 13 korrik në Barcelonë nga policia katalanase, që e konsideronte udhëheqës të një grupi të drogës në Llobregat Baix. Sipas gazetave spanjolle, Italia ishte një vend i padëshiruar për Rexhepin, kështu që ai vendosi të zhvendosë bazën e grupit të vet në Barcelonë. “Ai organizoi një grup të madh djemsh, ndërsa vjedhjet e bankave dhe të dyqaneve të shtrenjta u bënë “menuja” e tyre e preferuar. Zakonisht përdornin një matrapik special për të hapur në kohë rekord muret dhe tavanet e këtyre dyqaneve” - shkruan “El Periodico”. Goditja e tij e parë ishte në qytezën Castelldefels në Spanjë, ku hynë, natën finale të Ligës së Kampionëve, në një bankë, hapën një vrimë të madhe në një mur në anë dhe dolën prej andej me 60 mijë euro. Në javët në vazhdim grupi vazhdoi me 14 grabitje të tjera, duke grabitur makina luksoze, banka dhe institute të sigurimeve shoqërore. Gjithmonë goditjet i bënin gjatë natës dhe preferonin fundjavat për të përveshur mëngët. Sipas medias spanjolle, grupi i udhëhequr nga Rexhepi studionte në mënyrë të detajuar objektivat, kontrollin e hyrjeve dhe daljeve, duke bërë dhe vëzhgimin natën të zonave të përzgjedhura për të vjedhur. “Për të hapur murin, ata përdornin pajisjen e tyre speciale. Në disa raste ata vodhën disa argjendari dhe disa diamante me vlerë të konsiderueshme. Rexhepi u shpall në kërkim në Spanjë, më datën 13 korrik të këtij viti, kur shtatë shokë të tij, pjesëtarë në vjedhje, u arrestuan në Spanjë. Ai u arratis në Belgjikë. Muajt e fundit kishte ngritur shumë nivelin e tij të jetesës në Spanjë, binte në sy, përdorte automjete luksoze dhe gjithnjë preferonte të ishte në shoqërinë e femrave të bukura. Kur u arratis nga Spanja, në fillim të korrikut, policët e kufirit belg panë se në pasaportën e tij shënohej një tjetër emër. Por fotoja nuk mund t’i gënjente dhe bënë një verifikim më të detajuar. Konfirmuan që ishte Rexhepi dhe e prangosën. Të dielën ai ia mbathi së bashku me një shokun e vet, duke lënë në pritje jo pak, por tre shtete, Italinë, Shqipërinë dhe Spanjën”,-shkruan “El periodico”. Nga ana tjetër, policia spanjolle dhe ajo holandeze duket se kanë bashkëpunuar në kapjen e anëtarëve të bandës së Rexhepit, pasi disa anëtarë të saj dyshohen për transport të lëndëve narkotike, nga Holanda dhe Spanja drejt Italisë.
Rexhepi kapërceu murin e burgut belg
Dritan Rexhepi, një prej personave më të kërkuar në Shqipëri, u arratis një javë më parë nga burgu i Merksplas në Antverp të Belgjikës. Lajmi mbërriti në Tiranë përmes mediave belge, por edhe me një shkresë zyrtare në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, sipas së cilës informohen autoritetet shqiptare për arratisjen e 31-vjeçarit dhe nisjen e kërkimeve për të edhe në shtetin tonë. Dy herët e tjera, Dritan Rexhepi, i akuzuar për vrasjen e 2 policëve, u arratis nga qelitë e Durrësit dhe të Italisë. "Koha ka qenë shumë e shkurtër, pasi të 120 të burgosurit që ndodhen në këtë burg kanë qenë në ajrim. Rexhepi ka kërcyer murin, duke mos i lënë asnjë mundësi reagimi rojeve që ndodheshin në kullat e vrojtimit", - raportuan mediat belge.