Dhimbjet e laburistëve
Përse zgjedhjet e përgjithshme të Britanisë së Madhe ishin një referendum në të kaluarën
Nga Mark Blyth&Jonathan Hopkin
Kryeministri britanik Gordon Brown do ta vonojë të pashmangshmen sa më gjatë. Parlamenti kërkon që qeveria të mbajë zgjedhjet e përgjithshme. Edhe pse Brown dhe Partia e tij Laburiste gëzon mjaft popullaritet, ai bëri thirrje për zgjedhjet e 6 majit, të cilat nuk do të jenë aspak të zakonshme. Nuk është vetëm një referendum për Brown, i cili u bë udhëheqës i partisë dhe kryeministër më 2007, pasi priti 10 vjet që Toni Bler të jepte dorëheqjen. Gjatë kësaj kohe ka edhe një referendum për 13 vitet në fuqi të laburistëve dhe mbi baza më të shëndosha, mbi parimet ekonomike. Pikërisht në këto momente, kujtojmë Karl Marksin që thoshte “gjithçka e ngurtë shkrin në ajër”. Britania ka përjetuar pak trazira pak kohë më parë. Zgjedhjet e vitit 2010 ka të ngjarë të jenë të vetmet, bashkë me pasojat lidhur me politikat e brendshme dhe të huaja. Më 1997 një uri e madhe publike për ndryshim pas pothuaj 20 vjetësh sundim të Partisë Konservatore i dha një lumë votash fitores së Dhomës së Përfaqësuesve në parlament. Laburistët në fillim përshtatën një shkallë konservatorizmi ekonomik, të cilën konservatorët e kishin hequr kur ishin vetë në pushtet. Kjo i dha mundësi për pavarësi operacionale Bankës së Anglisë, në fushatë u premtua të mos rriteshin taksat dhe u favorizua ekonomia fiskale me politika tradicionale. Ata u pajtuan me parimet ekonomike që qeveria konservatore me kryeministren Margaret Thatcher prezantoi më 1980, duke shmangur inflacionin. Ky drejtim politik u bë i mundur nga kushtet ekonomike nga fundi i viteve ’90. Bumi global i këtyre viteve dhe ngritja pasuese e çmimeve të pronave në Mbretërinë e Bashkuar (dhe kudo) përmirësoi standardet e jetesës për shumë votues. Laburistët ishin në gjendje të rrisnin shpenzimet publike për edukimin dhe kujdesin për shëndetin, rritjen e pagave për doktorët dhe administratorët e sektorëve publikë, gjithashtu u shtuan edhe shërbimet publike – gjithçka pa rritur taksat mbi qytetarët apo duke rritur deficitin publik. Gordon Brown i cili ishte kancelar i thesarit të shtetit, ia doli me sukses në pajtueshmërinë me vlerat tradicionale. Votuesit, që e lidhnin fatin e tyre me politikat ekonomike të laburistëve të rinj, e shpërblyen partinë duke miratuar mandatin për herë të dytë në kutitë e votimit. Nëse marrëzia e Blerit ishte se u afrua shumë me presidentin amerikan Bush, marrëzia e Brown ishte se nuk takoi kurrë ndonjë bankier. Por bumi maskoi dy probleme. I pari ishte ndarja e përgjegjësive dhe një rivalitet intensive – midis Brown dhe Blerit. Interesi i Blerit në ekonomi ishte krejt minimal. Brown menaxhoi ekonominë, ndërkohë që Bleri fitoi besim në suksesin e tij. Ndërkohë, Bleri u kënaq me aventurat në politikën e jashtme në Sierra Leone dhe në Kosovë, duke vendosur, kundër partisë dhe opinionit publik, që Amerika t’i kthehej pushtimit të Irakut. Që nga viti 2007 Bleri duhej të largohej dhe Brown e kapi momentin, pikërisht kur ekonomia globale u kthye kundër makinës së madhe angleze që ai e kishte ndihmuar të ndërtohej. Kjo na sjell një problem të dytë: gjithçka që dukej e fortë (që është mrekullia ekonomike angleze) u shkri në ajër. Nga fundi i kohës së Blerit, sektori financiar themeloi pothuaj 10% të GDP angleze (pothuaj dyfishin e një dekade më parë), rreth 40% të fitimeve të përbashkëta dhe ishte burimi i mbi 20% të taksave. Rritja ekonomike u përqendrua në sektorin financiar dhe pagat u futën në një ngecje ekonomike. Kur kriza globale ekonomike goditi gjatë vitit 2008, qeveria e Brown duhej të merrte përsipër mbi 25% të një GDP më të vogël për të shpëtuar bankat dhe kështu ndodhi me taksat që u ulën mjaftueshëm. Në këtë kohë, varfëria u rrit. Në vitin 2010 deficiti qeveritar u përball me të ashtuquajturën PIGS: Portugalia, Irlanda, Greqia dhe Spanja. Fakti që Brown nuk takoi kurrë ndonjë bankier, ishte e pafalshme. Kjo, sepse u bë e dukshme për votuesit që mrekullia e Rrugës së Tretë të Brown – taksat e ulëta me shpenzime të larta, inflacioni i ulët me punësim të lartë, ishte një mirazh dhe anglezët ishin lënë në një të ardhme me taksa të larta, shpenzime më të ulëta dhe papunësi më të lartë. Publiku u ndje i mashtruar në mënyrë krejt të kuptueshme. Teorikisht, Partia Konservatore e opozitës kishte nevojë të rrinte larg dhe të shihte laburistët e rinj të shpërbëheshin me qëllim që të dilte në shesh fitorja tjetër. Edhe në vitin 2005, u zgjodh një politikan i ri dhe i pëlqyeshëm, pikërisht David Kameron, si udhëheqës i Partisë Konservatore. Duke e pozicionuar veten nga konservatorizmi tradicional mbi çështjet lidhur me ambientin, krimin dhe diversitetin, Kameroni në mënyrë bindëse çliroi pakënaqësinë në popull. Nëse laburistët e rinj duhej të përgjigjeshin si për ushqimin dhe më pas edhe për shpërthimin ekonomik, konservatorët duhej të përgjigjeshin që bënë të mundur vendin e parë. Dikur një trashëgimi për të cilin duhej të ishin krenarë, Thatçerizmi, me të ardhurat dhe marketet e lira, tashmë shihej si rrënja e problemit. Papunësia dhe popullariteti i periudhës së Thatcherit, nuk kishte rrëshqitur nga kujtesa e anglezëve. Si historian, Toni Judt ka shkruar një artikull tek “The Independent”, virtyti i Kameronit është se ai e di mirë që shoqëria anglezë është copëtuar. E keqja e tij është se ai refuzon të pranojë se ishte pikërisht partia e tij që e copëtoi. Kur u shpallën zgjedhjet elektorale dhe filloi fushata, Kameroni e gjeti veten në mes të detit. Ai ofroi pak. Ndërkaq, kancelari George Osborne publikisht pohoi që asnjë sakrificë nuk do të ishte e madhe për të ekuilibruar buxhetin dhe për të ruajtur krenarinë – edhe nëse mund të realizohej në kurriz të taksapaguesve, të cilëve u ishte kërkuar të shpëtonin bankat. Performanca e Kameronit dukej se ishte e mjaftueshme dhe janë të shumtë ata që mendojnë se do të fitonte zgjedhjet. Por ndodhi e paimagjinueshmja – doli një kandidat i tretë. Nick Clegg, lideri i Demokratëve Liberalë, parti që për shkak të sistemit post elektoral, është gjithnjë “shoqërues i nuses dhe jo nusja vetë”, goditi me një performancë të mirë në debatet televizive të zhvilluara me këtë rast. Demokratët liberalë të parë jo si pasardhës të Theçerit, as si përkrahës të bankierëve, tashmë kërcënon si Laburistët, edhe Konservatorët. Triumfi i Clegg është i largët. Ka të ngjarë që asnjë parti nuk do të dalë nga zgjedhjet në mazhorancë të qartë. Ky do të jetë një ndryshim i madh prej qeverisjeve të forta me një parti të vetme dhe kryeministrat autoritarë që kanë dominuar më parë në politikën angleze. A duhej t’i shmangeshin këtij sistemi? Mbase jo – elektorati duket se është gati të braktisë sistemin e vjetër. Liberaldemokratët duket se përfituan shumë nga momenti i turbullirave. Me një ekuilibër të ri elektoral, Mbretëria e Bashkuar mund të bëhej ashtu si fqinjët europianë, me përfaqësim përpjesëtimore, qeverisje me koalicion dhe me një sistem të decentralizuar politik. Për këto arsye, zgjedhjet e 6 majit nuk konsiderohen si një çështje e zakonshme. Janë më shumë se një trajtë e re e politikë së brendshme të Anglisë; politika e jashtme ka të ngjarë që të ndryshojë. 3 janë çështjet e axhendës qeveritare: mbrojtja me forcë dhe statusi i pushtetit, “marrëdhëniet e veçanta” të Britanisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe marrëdhëniet me Bashkimin Europian. Britania nuk ishte më një fuqi botërore e besueshme që nga kriza e Kanalit të Suezit më 1956. Me një ekonomi të dobët për të ardhmen e parashikueshme, megjithatë, realiteti i ri fiskal mund të pakësojë ambicie të tilla, pa i vënë rëndësi triumfatorit të zgjedhjeve. FMN e ka vlerësuar faktin që duhet ta çojë nivelin e borxhit të Mbretërisë së Bashkuar me rreth 60% të GDP, ndërkohë që Anglia ka nevojë të shkurtojë barasvlefshmërinë e 12% të GDP nga buxheti këto 10 vjet. E ardhmja e marrëdhënieve të Britanisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është gjithashtu e paqartë. Bleri i përdori këto marrëdhënie si racionale për t’u bashkuar me luftën në Irak. Bleri ishte i paaftë të ndikonte në politikën amerikane dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund ta zhvillonin luftën në Irak në të njëjtën rrugë pa asnjë ushtar anglez prezent në front. Analisti i njohur Walter Kendall Myers është shprehur: “Që në fillim kjo marrëdhënie ka qenë e njëanshme. Nuk ka qenë kurrë një raport i veçantë, ose të paktën jo ajo që dukej”. është e ndershme të thuash se publiku anglez tashmë e ka vërejtur këtë. Politikanët e të gjitha partive, si rrjedhim, duhet ta luajnë këtë kartë ndryshe në të ardhmen. Më në fund, të gjitha partitë konkurruese janë listuar në drejtime të ndryshme për të ardhmen e marrëdhënieve Britani – Bashkim Europian. Në të kaluarën, laburistët e rinj të Brown, lanë pas dore superioritetin e shitblerjes së lirë dhe financave të bazuara te kapitalizmi në krahasim me ekonominë kontinentale europiane. Demokratët Liberalë të Clegg janë botërisht pro Europës, por me Bashkimin Europian dhe euros në krizë, ata kanë zgjedhur të minimizojnë pozitën e tyre në fushatën elektorale. Për konservatorët, çështja e Europës është problemi që ata nuk mund t’i japin fund, gjithsesi. Kameroni nuk ka bërë asnjë përpjekje për ta zhvendosur partinë e tij përtej Euroskepticizmit Theçerian dhe një pjesë e madhe e partisë së tij mbetet thellësisht armik me Bashkimin Europian. Një qeveri konservatore ka të ngjarë të përcaktojë një kthim te marrëdhëniet e tensionuara Mbretëri e Bashkuar-Bashkim Europian që në vitet 1990. “Izolim i shkëlqyer” ishte parimi drejtues i politikës së jashtme të Britanisë në shekullin e 19. Liderët anglezë minimizuan ngatërresat e huaja dhe maksimizuan lirinë për të vepruar në mënyrë të pavarur. Në shekullin 21, Britania mund të ketë “më pak izolim” dhe më pak liri për të vepruar sesa më parë. I kapitur në tërheqje e sipër, i paaftë të mbrohet dhe pa vullnet për të angazhuar të tjerët, Britania mund t’i kthehet trashëgimisë shpirtërore, institucionale, ekonomike, të huaj dhe të brendshme. Zgjedhjet nuk janë më pak se një referendum mbi liderët dhe politikat. Rezultati i këtij referendumi do të bëhet kornizë e së ardhmes së Mbretërisë së Bashkuar. Përktheu: Rudina Dahri
...