Meta: Berisha, i hapur të takojë Ramën për dialog
ADI SHKEMBI
Zv.kryeministri, Ilir Meta, tha dje se Kryeministri Berisha është gati të takohet me kreun e PS-së, Edi Rama, për të negociuar daljen e vendit nga ngërçi politik. Në një prononcim për mediat ai theksoi se çdo takim është i dobishëm për të hequr çdo barrikadë mes dy kampeve politike. "Unë jam i bindur që Kryeministri Berisha është i hapur për t'u takuar me z. Rama, pasi jam i bindur që është vullneti i maxhorancës për të ecur drejt një zgjidhjeje demokratike, konstruktive dhe jo konfrontuese. Por natyrisht që vullneti duhet të ofrohet nga të gjithë dhe e theksoj se dialogu është i vetmi mjet që ndihmon përfundimin e kësaj greve, të kësaj sakrifice që po bëjnë kolegët deputetë dhe përkrahësit e tyre, i cili njëkohësisht çon përpara edhe pretendimet e tyre", u shpreh kreu i diplomacisë shqiptare. I pyetur nëse me thirrjet për dialog maxhoranca po përgatit një ofertë të re për opozitën, Meta tha se "kjo nuk është thjesht çështje oferte, është një apel, do të thosha, për të treguar të gjithë përgjegjësinë, sepse ato pamje atje nuk janë të mira për askënd. Por mbi të gjitha mendoj se ata kolegë që janë atje dhe përkrahësit e tyre, nuk kanë përse të sakrifikohen ose të vuajnë, kur jam i bindur se nuk është ezauruar aspak dialogu. Përkundrazi, jam i bindur se vetëm përmes dialogut dhe përmes hapësirave që ekzistojnë, kjo çështje mund të zgjidhet në mënyrë shumë civile, demokratike dhe evropiane". Në ditën e shtatë të grevës së PS-së, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim theksoi se ka ende shumë hapësira për dialog mes palëve dhe për të kryer transparencën e procesit zgjedhor të 28 qershorit sipas Kushtetutës. "Ekzistojnë të gjitha mundësitë e të gjitha hapësirat që përmes dialogut, dialogut dhe vetëm dialogut, të ecet me besim drejt daljes nga kjo situatë dhe njëkohësisht që të gjitha pretendimet e tyre lidhur me hetimin e çështjeve që kanë të bëjnë me zgjedhjet e 28 qershorit, të merren në konsideratë, natyrisht duke respektuar parimet e shtetit ligjor dhe të Kushtetutës së vendit", vijoi më tej ministri i Jashtëm. Në të njëjtën kohë ai vlerësoi se, edhe përfaqësuesit e Komunitetit Ndërkombëtar vazhdimisht kanë dhënë kontributin e tyre për zgjidhjen e situatës politike.