Dhimitër Anagnosti vjen me dy botime të reja
“Përrallë nga e kaluara” (skenar) dhe “Nata e trokitjeve në xham” (dramë) janë dy botimet e reja që i vijnë lexuesit nga regjisori Dhimitër Anagnosti. Janë dy libra që lidhen me karrierën e tij të gjatë dhe të suksesshme të kinematografisë. “Përrallë nga e kaluara” dhe “Gjoleka, djali i Abazit”, skenarë të shkruar nga vetë ai, botohen në një libër, ilustruar edhe me skemat e regjisorit, bërë gjatë kohës kur kryheshin xhirimet e filmave në fjalë. Dy skenarët janë shkruar dhe realizuar si filma në dy kohë kryekëput të ndryshme. Suksesi i secilit prej këtyre filmave, i pari i ndjekur mjaft edhe në ditët e sotme, qëndron në një pjesë të mirë edhe te skenari. Libri i dytë “Nata e trokitjeve në xhama”, dramë e shkruar dhe e vënë në skenë në vitin 2000 nga trupa e Teatrit Kombëtar botohet për herë të parë. Këto dy vepra, të cilat i takojnë krijimtarisë letrare të regjisorit, vijnë si një dëshmi e shkruar e punës së tij.
#