E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbardhet VKM-ja e krizës, qeveria me tre skenarë buxheti

Financat Po zbatohet i treti, me 27 miliardë lekë shpenzime më pak

Aktualisht ekonomia shqiptare përmes qeverisë po ecën mbi bazën e tre buxheteve dhe jo më një, siç ndodh zakonisht. Të programuara me skenarë të ndarë sipas parashikimeve, varianti më i mirë do të zgjidhet “duke parë e duke bërë”. Deri tani, ministri i Financave ka preferuar të operojë me variantin e tretë të buxhetit, që parashikon ulje shpenzimesh me 27 miliardë lekë, por nuk përjashtohet mundësia të zgjedhë një tjetër variant, 35 miliardë lekë, apo 45 miliardë, mjafton të respektojë VKM-në, nr. 4, datë 7 janar 2010.

Sipas vendimit të qeverisë, aktualisht po operohet me tre skenarë buxheti, të cilat parashikojnë ulje drastike të të ardhurave dhe shpenzimeve, me qëllim ruajtjen e stabilitetit ekonomik, reduktimin e borxhit etj. Duke i qëndruar skenarit të tretë, që ministri e ka pranuar publikisht në konferencë shtypi, parashikohen ulje të ardhurash totale me rreth 30 miliardë lekë, ku vetëm nga të ardhurat tatimore humbasim 26 miliardë lekë. Nëse i mbetemi këtij varianti, për bashkitë dhe komunat do të ketë më pak fonde, nga sa u miratuan në fillim, pra rreth 7 miliardë lekë. Pas çështjes së taksave, pritet të ketë një tjetër debat mes qeverisë dhe pushtetit lokal, për shkak të shkurtimeve të buxhetit, i cili prek më së shumti grantet.

Ajo që bie në sy është fakti se pavarësisht uljes së shpenzimeve, borxhi do të vijojë të jetë i lartë, madje duke u rritur, me të paktën 4 miliardë lekë në 2010-n. Kjo tregon se buxheti 2010 nuk qëndron mbi teza realiste, pasi rishikimi nuk përputhej me të ardhurat dhe shpenzimet. Qeveria thotë se po i shkurtojmë shpenzimet për të zbutur borxhin, por faktet tregojnë të kundërtën.

Tjetër debat që pritet të zhvillohet është nëse qeveria duhet ta dërgojë rishikimin e buxhetit për miratim në Kuvend. Kanë kaluar më shumë se një muaj nga miratimi në qeveri dhe asnjë shenjë në Kuvend, ndërsa rishikimi ka nisur zbatimin. Ekspertë të Financave nuk e shikojnë si problem madhor çështjen e miratimit nga Kuvendi. Sipas tyre, për aq kohë sa nuk ka kaluar ende pjesa e parë e vitit, Ministria e Financave ka ende kohë të rishikojë politika, ndërkohë shikon ecurinë e 6-mujorit të parë, e më pas merr një vendim.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›