E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pavarësia e Kosovës dhe idetë e mëdha amerikane.

Dy vite më parë, në bashkëpunim dhe koordinim brilant me faktorët vendimmarrës dhe aleatët ndërkombëtarë, të prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kosova shpalli shtetin e pavarur, demokratik e sovran të saj, duke jetësuar, me këtë akt madhor, përpjekjet titanike dhe aspiratat shekullore të popullit të Kosovës, për liri, pavarësi,demokraci, prosperitet e dinjitet njerëzor.
Me një akt të tillë, vepër sublime e popullit të Kosovës dhe e klasës politike të saj, në rrafshin e brendshëm, iu dha fund, njëherë e përgjithmonë, situatës paradoksale të shumicës shqiptare të shtypur e të shfrytëzuar nga pakica serbe, duke e shndërruar mazhorancën shqiptare kosovare, maksimalisht, të ndërgjegjshme, për të respektuar, me përgjegjësi, të drejtat dhe liritë e pakicës serbe, nëpërmjet “ofertë”-s demokratike, të bashkëjetesës të barabartë, në shtetin, më të ri të kohës, shtetit të dytë, të shpallur në mileniumin e ri.

Në rrafshin e jashtëm, me shpalljen e pavarësisë së Kosovës iu dha fund vartësisë së saj nga Beogradi dhe iu hap asaj, mundësia për ta njohur atë, si subjekt ndërkombëtar i pavarur, nga 64 vende të botës, me tendencë për shtrirje të shpejtë të kësaj njohjeje dhe të përfshirjes së Kosovës në organizatat dhe institucionet ekonomike, financiare e politike rajonale, europiane dhe ndërkombëtare.

Në aspektin ndërkombëtar, “oferta” e marrëdhënieve me Serbinë, nga ana e Kosovës, tashmë, kualifikohet si marrëdhënie midis dy vendeve sovrane fqinje e të barabarta, në standardin e konceptit europian të këtyre marrëdhënieve, duke akcentuar dëshirën dhe duke shprehur vullnetin për normalizimin e tyre në një periudhë afatmesme, sigurisht, në bazë të zhvillimeve në terren dhe të qëndrimeve të të dy palëve.

Nga pikëpamja makrodiplomatike, pavarësia e Kosovës, ashtu si të gjitha proceset politike e diplomatike, që çuan te pavarësia e saj, përbën një “projekt” ndërkombëtar, në formën e një sinteze të ndërthurjes dhe ndërveprimit të faktorit të brendshëm kosovar me atë vendimmarrës, ndërkombëtar.

është më se e qartë, për këdo dhe kurdoherë, se në këtë “binom”, idetë e mëdha dhe idealet amerikane, roli i politikës dhe i diplomacisë së SHBA-së, ka qenë dhe vazhdon të jetë i një rëndësie të veçantë e vendimtare, si për pavarësinë e Kosovës, për stabilitetin afatgjatë, ashtu dhe për të ardhmen demokratike e euroatlantike të saj.

Historia e marrëdhënieve të shqiptarëve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës i ka rrënjët në një prej periudhave më të vështira dhe më të rëndësishme të historisë të popullit tonë.

Ishte, pikërisht, periudha e përflakjes së luftërave ballkanike dhe e Luftës së Parë Botërore, kur, për herë të parë, SHBA-të dalin nga izolacionizmi dhe morën pjesë, me trupa ushtarake, për t’i dhënë fund Luftës së Parë Botërore e për t’i hapur rrugë Rendit të ri Botëror.

Bazat e një rendi të tillë u hodhën në Konferencën e Versajës (1919-20 ), ku u shpalosën dy korente të politikës ndërkombëtare:
Willsionalizmi, që përmbante të drejtën e popujve për vetëvendosje, çështjet e çarmatimit, sigurinë kolektive dhe Lidhjen e Kombeve- si e para organizatë politike universal, për menaxhimin e punëve të botës, pas lufte.

Korrenti i dytë ishte ai i fuqive tradicionale imperiale europiane, të cilat vazhdonin të rivalizonin për interesat e tyre nacionaliste, egoiste dhe tregjet kolonialiste botërore.
Përveç revanshit rus, në ngritje, ambicieve të nacionalizmit francez, përpjekjeve të diplomacisë imperiale britanike, në skenën e Europës kishte dalë, fuqishëm, Gjermania unitariste, e bashkuar nga Bismarku, si dhe Italia e unifikuar.

Idetë gjeniale të Willsonit ndeshën në një mjedis konservator, nacionalist dhe imperial europian.
Mjerisht, nga ana tjetër, as Kongresi dhe as Senati i SHBA-së nuk arritën t’i kuptonin idetë largpamëse e demokratike të Presidentit të tyre, duke mos e ratifikuar Traktatin e Versajës.

Në këtë koniunkturë të komplikuar midis Fuqive të Mëdha të kohës, shqiptarët arritën të shpallin pavarësinë e shtetit të tyre, duke lënë jashtë gati gjysmën e popullsisë dhe territoreve autentike shqiptare.

Fatmirësisht, ishin idetë e Willsonit, ato, që e mbrojtën pjesën e shtetit të pavarur e të ri shqiptar, nga kërcënimi i revanshit të pandashëm militarist të monarkëve fqinjë, të cilët synonin ta katandisnin hartën e Shqipërisë, në formatin e Shën Stefanit- një “parcelë,” në qendër të Shqipërisë së sotme.
Pra, ishin idetë e Willsonit, ato që mbrojtën Shqipërinë “londineze”, pa mundur të arrinin të zgjidhnin, tërësisht, çështjen shqiptare, në Ballkan.

Vitet, që pasuan Versajën, u karakterizuan nga kriza politike, ndërmjet Fuqive të Mëdha nacionaliste ballkanike dhe kriza e thellë ekonomike e vitit 1929. Traktati i Versajës nuk funksionoi, në drejtim pozitiv, para krizave dhe parandalimit të Luftës së dytë Botërore.

Momenti i dytë, ku takohen idealet amerikane me çështjet shqiptare përkon me konceptin e rendit të ri, që Presidenti Rusvelt aspironte, pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, e cila për fat të keq la pas pasoja të tmerrshme dhe e ndau Europën me perden e hekurt të luftës së ftohtë.

Fuqizimi i BS, ndarja e Gjermanisë, krijimi i strukturave politike ekonomike dhe ushtarake, nën drejtimin e Kremlinit, realizuan strategjinë staliniste të forcimit të faktorit sllav, në hapësirat europiane e ato botërore.

Në Ballkan, një koniunkturë e tillë margjinalizoi hapësirat për zgjidhjen e çështjes shqiptare.
Gjatë luftës së ftohtë, të dy anët e shqiptarëve u përballen me sfida të mëdha.

Shteti shqiptar përjetoi kriza permanente në marrëdhëniet me Jugosllavinë, BS dhe me Kinën, duke kaluar gradualisht, në një vetizolim të plotë e të gjithanshëm.
Shqiptarët në ish-Jugosllavi u përballën me fragmentimin në tre shtete e, në mënyrë të veçantë, me dhunën, varfërinë e spastrimet etnike të Serbisë.

U deshën ndryshime të mëdha gjeopolitike si: shpërbërja e BS, rënia e Murit të Berlinit, triumfi i demokracive, në vendet e Europës Lindore, që faktori hegjemon ruso-serb të dobësohej gradualisht, duke u përballur me rritjen e rezistencës qytetare, politike dhe më pas, ushtarake të shqiptarëve në Kosovë dhe në vise të tjera shqiptare.
Për herë të tretë, SHBA-të riaktivizohen për zgjidhjen e krizës së Ballkanit.

Ishte kriza në Bosnjë-Hercegovinë, dështimi i OKB-së, mungesa e kapaciteteve menaxhuese të BE-së, që apeluan nevojën e angazhimit të SHBA –së dhe të aleancës atlantike, për të ndërhyrë në zgjidhjen e krizës ballkanike. Ndërhyrja amerikane në Dejton ishte fillimi i zgjidhjes së krizës në Ballkan, ndërsa angazhimi i SHBA-së dhe i NATO-s, në Kosovë, më 1999, i dha fund sistemit të Versajës, në këtë pjesë të Europës.

Moment i katërt lidhet me rolin e faktorit amerikan dhe mbështetjen direkte të tij për shtetformimin e ndërtimin e Kosovës së re, mbi bazën e ideve dhe të filozofisë së vlerave të demokracisë amerikane.

Nëpërmjet një koncepti largpamës e afatgjatë, lidershipi amerikan, ashtu si pavarësinë e Kosovës, projektoi dhe shtetformimin e ndërtimin e demokracisë reale në Kosovën e re.
Janë unikale dhe me vlera universale, veprimet dhe hapat e diplomacisë amerikane, që nga formulimi i tezës Kosova situatë “sui generis” te koncepti i “ bashkëjetesës multietnike”, që nga ai i “bashkësisë multietnike moderne”, e “modeli i bashkëjetesës së të ardhmes” deri te “shteti demokratik i Kosovës”

Në Kosovë u rimaterializuan idetë e Willsonit, morën jetë aspiratat e Rusveltit, u realizuan strategjitë e Cërçillit, dhanë frymëzimin e veprës së tyre monumentale europianistët e mëdhenj: Mone, Shuman, Brand, De Gol, Kolh, Regan, Bush, Klinton, Bush Junior, Obama dhe e gjithë aradha e politikanëve të mëdhenj, që përfunduan luftën e ftohtë dhe i hapën rrugë rendit të ri botëror aktual, në formim e sipër.

Mbi këto ide të mëdha, në idealet dhe vlerat e mëdha demokratike e njerëzore që “prodhojnë” ato, në diplomacinë efektive amerikane është projektuar, jetësuar dhe vazhdon të formësohet e të forcohet shteti i ri, i dalë nga akti i shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Në përvjetorin e dytë të shpalljes së pavarësisë, populli i Kosovës, klasa politike e saj shprehin mirënjohjen e thellë për popullin dhe lidershipin amerikan, duke premtuar se do të shumëfishojnë përpjekjet e tyre për ta bërë Kosovën shtet të begatë e demokratik, të të gjithë banorëve të saj.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›