Dhjamë nga pleshti?
Me sa duket Sali Berisha nuk i ka bërë kot ato premtimet gjatë fushatës elektorale që sapo kaluam. Do tua ngec halat një e nga një në grykë u betua përpara elektoratit të tij.
Shumë i egër në komunikim me kundërshtarët, kështu ka qenë që ditën e parë kur 70% e shqiptarëve i besuan Shqipërinë për ta shkëputur nga komunizmi.
U mori votat edhe një pjese të partizanëve, që kishin luftuar me armë në dorë kundër nazi-fashizmit dhe që më pas u zhgënjyen nga mënyra si u qeveris vendi 50 vjet, si u tradhtuan idealet për të cilat ata luftuan.
Ne menduam se ai do punonte për Shqipërinë, më tha një ditë një nga ish- partizanët që kish votuar për Partinë Demokratike- i dhashë votën time, më tha, dhe duke vendosur dorën në zemër vazhdoi, teserën e PPSH që e mbaja këtu e flaka, për të mirën e vendit, por ai qafir del bërtet nëpër tribuna duke sharë të kuqtë- i kuqi flakë, tha, është ai vetë. Na e hodhi i poshtri.
Po si është e mundur?
Ne e pamë si doli përpara zgjedhësve të tij, i mpakur, i skuqur në fytyrë, i djersitur, duke pirë ujë herë pas herë (për të ardhur keq) madje me një kartë-pecetë në dorë u duk se po fshinte lotët prej mallëngjimit dhe e pranoi humbjen me gojën e tij.
E dëgjuam të gjithë, paçka se na u duk shumë e bukur, për të qenë e vërtetë.
Vetëm se pasi mori veten pas disa minutave (sepse fjalimi ishte i gjatë) na tregoi se ai nuk do të shkonte në shtëpi, por do të ishte aty për të reformuar PD e për të ndihmuar në fushatën e PD për të zgjedhur liderin e ri dhe në sytë e tij u shfaq pak sekonda një gëzim gati fëmijnor dhe mblodhi ato pak forca që i kishin mbetur duke iu drejtuar militantëve të grumbulluar në oborrin e PD me sloganin Përpara dhe e shoqëroi me një lëvizje dore të ngathët si të pashpresë.
Kush e kishte menduar se kjo thirrje nuk do të ishte thjesht për ti qetësuar njerëzit e trishtuar prej humbjes së thellë, por një plan rezervë në kokën e tij, sigurisht i mbështetur nga marifetçinjtë që janë të mirënjohur si të tillë nëpër grabitje mandatesh, si ato të vitit 2009 e ato të vjedhjes së Bashkisë së Tiranës?
Në këto ditë të nxehta të korrikut, kur të gjithë menduam se u çliruam më në fund nga një e keqe (sepse e keqja nuk ka fund) dhe po prisnim e numëronim ditët kur po largohet ky njeri, që vazhdon të mbledhë qeverinë përpara kamerave e vazhdon të flasë përçart për rritje rrogash, e për arritje, sa shpesh harrojmë që ky njeri i ka orët të numëruara.
Po jo vetëm kaq. Kjo na bënte edhe për të qeshur. Tani ai ka filluar të pretendojë se i janë vjedhur mandate madje ka filluar të hapë kuti votimesh, sipas informacioneve që vijnë nga mediat.
Beson ai vërtet se mund të arrijë ndonjë fitore me këto makinacione të neveritura nga populli?
Kaq e thellë sa është fitorja çdo njeri normal e kupton se ai po bën ca përpjekje të dëshpëruara, si një i mbytur që kapet pas flokëve të tij.
A mund të nxirret dhjamë prej pleshtit?
Këtë mund ta besojë vetëm një njeri që është realisht në vështirësi, që është i zhytur në zullume.
Një njeri i kapur në flagrancë që ndërkohë policia i troket tek dera, ndërsa ai i turbulluar sheh nga dritarja njerëz të grumbulluar sehirxhinj të zakonshëm, të cilët kënaqen duke parë spektakle të rastit teksa janë duke ecur në atë rrugë, dritat e makinave të policisë që ndriçojnë oborrin e shtëpisë së tij, dhe ai e sheh veten me duar në pranga, por provon të bëjë tentativat e fundit të arratisjes, ndërsa me veten e tij sigurisht thotë-është e kotë, nuk mund të nxjerrësh dot dhjamë nga pleshti.
Por forca e zakonit.
