Dhjetë ditë për t’u martuar, një vit për tu ndarë
Laureta Rryçi
Në Shqipëri, ndërsa duhet vetëm dhjetë ditë për t’u martuar, teksa martesa juaj ka marrë tatëpjetën, duhet të përgatiteni mirë shpirtërisht dhe financiarisht pasi ju duhet plot një vit për t’u divorcuar. Avokati Bashkim Sulstarova, nëpërmjet gazetës “Albania” këshillon çiftet që janë drejt divorcit, ku nuk duhet të gabojnë në kërkesat që do të paraqesin në Gjykatë. Sulstarova shpjegon se në procedurat e divorcit ka disa momente të rëndësishme, që nisin me iniciativën për t’u ndarë në mënyrë legale, kujdestaria e fëmijës (në rastet kur ka) si dhe përfundojnë me ndarjen e pasurisë. Në momentin që ja besoni Gjykatës ndarjen tuaj, atëherë duhet të përgatiteni për të përballuar financiarisht pagesën ndaj avokatit si dhe faturën e shpenzimeve gjyqësore. Me një përllogaritje mesatare, këto shpenzime në ditët e sotme mund të shkojnë rreth 1000 euro. Statistikat zyrtare në Gjykatën e Tiranës, tregojnë se gangrena e shoqërisë shqiptare është pikërisht divorci. Paditë për divorce të përkthyera në shifra flasin për 3-4 ndarje në ditë vetëm në Tiranë. Avokati Sulstarova që ka si eksperiencë pune në paditë civile pothuajse 20 vjeçare, me keqardhje pohon se rastet kur çiftet pajtohen sa vijnë dhe pakësohen. Nga ana tjetër, si për ironi, shtohen rastet kur konflikti mes çiftit zbret edhe në sallën e gjyqit, teksa pyeten për motivet e ndarjes apo kujdestarinë e fëmijës.
Avokat, ju keni një eksperiencë të konsiderueshme që merreni me paditë që kanë si objekt divorcin. A mund të na thoni pse dirvorcoheshin shqiptarët dhjetë vite më parë dhe pse divorcohen në ditët e sotme?
Unë kam më shumë se një dekadë që punoj si jurist dhe ç’është e vërteta arsyet që çojnë një çift drejt divorcit ndryshojnë për ditë dhe mendoj se kështu do të ndodhë dhe në të ardhmen. Nëse shumë vite më parë, ndarja vinte për shkak të tradhtisë, tani kjo është vetëm një ndër shumë arsye të tjera. Në ditët e sotme, ndarjet vijnë kryesisht nga gjendja e vështirë ekonomike si dhe për shkak se marrëdhëniet në çift janë bërë shumë të dhunshme. Me sa duket këto çifte janë ngutur në marrjen e vendimit për t’u martuar, dhe në ditë të vështira jo vetëm nuk e mbështesin më njëri –tjetrin, por, tentojnë me të gjitha mundësitë që t’i vështirojnë jetën personit që deri më dje ishte bashkëshortja ose bashkëshorti.
Së fundmi, kush e merr iniciativën për t’u divorcuar, gruaja apo burri?
Dy-tri vitet e fundit shohim çdo ditë dhe më shumë që iniciativa për divorc vjen nga gruaja. Kjo e fundit ka raste që ndihet e lënduar shpirtërisht dhe fizikisht, por edhe e tradhtuar. Dhuna dhe stresi sistematik e detyrojnë t’i drejtohet Gjykatës për t’u ndarë një herë e mirë nga ai bashkëshort. Por, nuk duhet të përjashtojmë edhe rastet e meshkujve kur u ka rënë një bashkëshorte shumë posesive, apo kur meshkujt ridashurojnë dhe një lidhje e re u duket më tunduese për të jetuar në ditët në vazhdim.
Sa zgjat një proces në Gjykatë për t’u divorcuar?
Në rastin kur çifti ka rënë paraprakisht dakord dhe i drejtohet Gjykatës vetëm sa për të formalizuar ndarjen, arrijnë ta realizojnë këtë proces në një periudhë kohore prej tri muajsh. Ndërsa në rastet kur konflikti shfaqet edhe në sallën e gjyqit, gjykatës i duhet të marrë përsipër të gjykojë disa momente të rëndësishme mes çiftit. Por, përveçse aq, ka palë në proces që mungojnë nëpër seanca enkas që ky proces të zgjasë sa më shumë. Ndoshta me një kalkulim duke u bazuar dhe në praktikën gjyqësore si dhe eksperiencën që unë kam, mund të them se për të tilla raste duhet së paku një vit për t’u divorcuar.
Një nga momentet e divorcit është dhe kujdestaria e fëmijëve. Çfarë parashikon ligji për të tilla raste dhe si vepron gjykata?
Ligji i beson fëmijën prindit që ka kushte më të favorshme. Në praktikën gjyqësore, ka rezultuar se fëmija i është besuar nënës. Megjithatë, kur nëna nuk është një shembull i mirë, fëmija i besohet babait. Në moshën 10-vjeçare fëmija thirret në Gjykatë dhe pyetet në prezencën e psikologes se me kë ka dëshirë të qëndrojë tani që babi dhe mami nuk do të jetojnë më sëbashku. Gjykata në momentin që merr vendimin mbi kujdestarinë bazohet në aktin e ekspertimit që mban firmën e psikologes. Kjo e fundit ka marrë si detyrë që të bisedojë me fëmijën si dhe të vëzhgojë mbi kushtet dhe sjelljet që ofrojnë dy prindërit.
Një tjetër moment po delikat është edhe ndarja e pasurisë. Ku bazohet gjykata për ndarjen e pasurisë mes një çifti që kanë vendosur të mos vazhdojnë më jetën bashkëshortore?
Për ndarjen e pasurisë, çiftet duhet të paraqesin një padi më vete. Për të kërkuar pasurinë, duhet të depozitosh në Gjykatë një padi civile me objekt për pjesëtimin e pasurisë bashkëshortore. Gjykata, në tilla raste, ndan vetëm pasurinë që çifti ka vënë gjatë viteve të martesës. Kurrsesi nuk preket dhe nuk çmohet pasuria që ekzistonte për të dyja palët para se të lidhej kurora. Në rastet kur çifti kanë gjetur gjuhën e përbashkët, atëherë dhe Gjykata e ka më të lehtë për ndarjen e pasurisë. Ndërsa në ato raste kur palët nuk kanë rënë dakord atëherë gjykata nëpërmjet një eksperti bën kalkulimet mbi ndarjen e pasurisë. Eksperti vlerëson pasurinë e paluajtshme dhe sendet e luajtshme. Gjithmonë bëhet fjalë për ato pasuri që janë vënë gjatë viteve të martesës.
Kohët e fundit kemi vënë re një tjetër fenomen. Pavarësisht se çifti divorcohet, sërish vazhdon bashkëjetesa në të njëjtën çati. Pse ndodh kjo?
Fenomeni kryesisht është shfaqur gjatë tri viteve të fundit. Arsyet ekonomike e çiftit detyron Gjykatën që edhe pse të divorcuar i lë të jetojnë sërish në të njëjtën çati. Kjo ndodh në ato raste kur as burri dhe as gruaja nuk pranojnë të vënë në ankand atë shtëpi të vetme që kanë dhe në të njëjtën kohë nuk kanë mundësi t’i likuidojnë njëri-tjetrin me para kesh.
Kostoja e një procesi mbulohet nga personi që ka marrë iniciativën për t’u divorcuar?
Në paditë për divorc, gjykata kur jep vendimin gjithmonë vendos që shpenzimet të mbulohen nga të dyja palët. Pra, pavarësisht se kush e merr iniciativën, palët kanë si detyrim të mbulojnë shpenzimet e avokatit që kanë zgjedhur për t’i mbrojtur të drejtat gjatë procesit si dhe gjysmën e shpenzimeve gjyqësore. Me një kalkulim të përgjithshëm, mund të themi se njërës palë mund t’i shkojë si kosto për të paguar në total rreth 1 mijë euro.
Pensionet ushqimore, baballarët ngurojnë të paguajnë për fëmijët e tyre
Avokati Bashkim Sulstarova shpjegon se dhjetëra padi për pension ushqimor përfundojnë në Zyrën e Përmbarimit për ekzekutim. Ndërsa Gjykata vendos për shumën që duhet të paguajnë prindi që nuk e ka fëmijën në kujdestari, në shumicën e rasteve nuk respektohet ky rregull. Sipas avokatit, baballarët për shkak të idesë se me ato para mund të mbajnë dhe ish-bashkëshorten ngurrojnë të shlyejnë detyrimin prej 20 mijë lekësh ndaj fëmijës së tyre. Por, ka dhe plot raste kur baballarët tregohen më shumë se zemërgjerë duke u kujdesur për çdo shpenzim financiar që bëhet për fëmijën pavarësisht se janë të divorcuar.
Forma e lidhjes se martesës
Përpara lidhjes së martesës, nëpunësi i gjendjes civile bën shpalljen e saj, duke afishuar në vende te caktuara nga bashkia ose komuna fletën e shpalljes, ku tregohen përbërës të gjendjes civile të bashkëshortëve të ardhshëm, si dhe vendin ku do të lidhet martesa. Kërkesa për shpallje bëhet nga bashkëshortët e ardhshëm ose nga personi i caktuar nga ata me prokure të posaçme. Shpallja bëhet ne bashkinë ose komunën e vendit ku secili nga bashkëshortët e ardhshëm ka vendbanimin ose vendqëndrimin.
Nëse nuk kanë jetuar 6 muaj në vendbanimin ose vendqëndrimin aktual, shpallja duhet të bëhet edhe në bashkinë ose komunën ku bashkëshorti ka jetuar më parë. Dhjetë ditë nga shpallja e martesës, çifti mund të paraqitet në Zyrën e Gjendjes Civile për të bërë celebrimin.
10 Maj 2010